AKTUALITET, 11 September 2026, 09:21

Durrës/ Banorët e ish-Kënetës në protestë, bllokojnë dhe rrugën: Kërkojmë investime dhe pastrim të kanaleve!

Banorë të zonës së ish-Kënetës në Durrës dolën në protestë dje duke bllokuar për rreth një orë rrugën “Vllazërimi”.

Dhjetëra qytetarë, kërkuan ndërhyrje konkrete për zgjidhjen e problematikave infrastrukturore dhe parandalimin e përmbytjeve.

Protestuesit u shprehën se mungesa e investimeve në infrastrukturë vijon të krijojë probleme të përsëritura për banorët e zonës, veçanërisht gjatë reshjeve intensive. Sipas tyre, pjesa më e madhe e familjeve të prekura janë përmbytur tre herë gjatë periudhës janar 2025–janar 2026.

Një tjetër shqetësim i ngritur gjatë protestës ishte mungesa e dëmshpërblimeve për dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e fundit. Banorët deklaruan se ende nuk kanë marrë kompensimin e premtuar për dëmet e pësuara në banesa dhe pasuri.

Përveç dëmshpërblimeve, banorët kërkojnë nga pushteti vendor ndërhyrje të menjëhershme për përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve të jetesës.

Ndër problematikat e evidentuara prej tyre janë mungesa e kazanëve të mbeturinave, mosmirëmbajtja dhe mospastrimi i kanaleve kulluese, si dhe ndotja mjedisore.

Gjatë protestës, qarkullimi i automjeteve u bllokua pjesërisht përgjatë aksit rrugor. Protesta u zhvillua pa incidente.