AKTUALITET, 5 Tetor 2019, 11:34

PROFIL/ Ardi Veliu, një kryepolic me bilanc të rënduar

PROFIL/ Ardi Veliu, një kryepolic me bilanc të rënduar



Lajmi se viktima e atentatit të fundit në Lushnje e kishte lajmëruar policinë për rrezikun që i kanosej, dhe po ashtu u kishte dorëzuar edhe të dhënat, emrat dhe fytyrat e atyre që më pas e vranë, e bën edhe më tronditëse ngjarjen. Ky është një tregues brutal se policia ka dështuar në misionin e saj kryesor, që është mbrojtja e jetës dhe parandalimi i një krimi të tillë.

Viktima, pavarësisht të shkuarës së tij, apo problemeve që mund të ketë patur, e ka bërë detyrën e tij. Eshtë paraqitur në zyrën më të rëndësishme të shtetit dhe ka dhënë informacionin vital. Ai që ka dështuar në këtë rast, që nuk ka bërë detyrën, është Ardi Veliu. Sepse Drejtori i Përgjithshëm i policisë është përgjegjës se si reagon policia në raste të tilla. Ai është përgjegjës për integritetin, për standardet etike dhe profesionale të uniformave blu.

Sigurisht askush nuk pret që Veliu të jetë një sherif që ruan territorin dhe ndjek këmbë pas këmbë keqbërësit. Por gjithkush pret që në vitin 2019, kur një qytetar paraqitet në polici, dhe thotë se x dhe y person po më ndjekin dhe duan të më vrasin, kjo e keqe të mos ndodhë.

Aq më tepër kur autorët, duhet të ishin ndërkohë para drejtësisë për krime të tjera. Dhe në të kundërt, ata lëvizin lirshëm, i dallon, i sheh, i identifikon shenjestra e tyre, por jo komisariati i qytetit.

Janë ngjarje si kjo që kanë bërë që besimi i njerëzve te policia të jetë sot në kuotat më të ulëta.

Kjo ngjarje të rrëzon dhjetëra statistika pas të cilave kapet qeveria kur mburret për treguesit e rendit. Po edhe statistikat në vetvete janë të rënda, kemi deri para dy ditësh të paktën 50 të vrarë për këtë vit. Mbi 20 krime të tilla, janë pa autor.

Edhe pse u mor vesh që policia kishte marrë dijeni për ekzekutimin e mundshëm, ne ende nuk kemi parë edhe sot, pas kaq ditësh, një reagim të fortë të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. Normalisht, duhej të kishte analizë dhe masa të forta ndaj shefave lokalë. Po kjo mesa duket nuk ka ndodhur ende. Një tregues tjetër për fat të keq, që shton dyshimin dhe mosbesimin e qytetarëve.

Zhvillime si këto shtrojnë terrenin për të ngritur tezat se policia i njeh fort mirë grupet kryesore kriminale në vend, por në rastin më të mirë nuk i prek ato, në rastin më të keq bashkëpunon.

Në kohën e Ardi Veliut, i cili u ngjit në postin më të lartë të Policisë së Shtetit prej Fatmir Xhafës, kanë ndodhur disa prej përplasjeve më të rënda kriminale dhe disa prej vrasjeve më të forta mafioze.

Në Vlorë, në Durrës, në Elbasan, në Shkodër, në Lezhë, dhe sigurisht në Tiranë. Në mes të bllokut, në zonën që duhej të ishte më e sigurta.

Grupet kriminale kanë ekzistuar gjithnjë. Por në vitet e fundit, ato kanë treguar se nuk e llogarisin policinë në punët dhe hesapet e tyre.

Nuk ka qytetar në Tiranë që nuk e ka marrë vesh se seriali i krimeve të fundit në kryeqytet, është pasojë e përplasjes së përgjakshme të dy bandave, në luftë për territor. Edhe pse goditjet, krimet ndodhin pa ndalur, krerët e këtyre bandave vazhdojnë aktivitetin të lirë.

Dhe mungon rezultati që duhej të vinte prej planeve, masave që merr policia për të marrë nën kontroll terrenin dhe për të vënë para drejtësisë bosët e krimit.

Gjithkush e di mirë, se një krim i rëndë, por i heshtur jo vetëm po ndodh çdo ditë, por ka lulëzuar dhe ka prekur qindra e mijëra biznese në Tiranë. Eshtë pikërisht gjobvenia. Eshtë e vështirë të gjesh një sipërmarrës që nuk paguan sot taksën tek një grup kriminal, sipas zonës që ata mbulojnë.

Ky është një krim i vështirë për t’u hetuar e provuar, pasi do të duhej patjetër që personat e dëmtuar të denonconin. Problemi është se ata që paguajnë haraçin, nuk kanë besim. Në këto kushte, është policia, drejtori i saj, që merr masa, krijon teknika dhe mundësi, përshtatet në rrethanat e krijuara, për ta kapur fenomenin. Bën disa shembuj, disa histori suksesi, në mënyrë që njerëzit më pas të drejtohen në zyrat e komisariateve kur kërcënohen ose shtrengohen për të dhënë pasurinë.

Veliu do të mbahet mend po ashtu për shoqërimin që i bëri Eskobarit të Ballkanit, nga streha e tij drejt policisë. Disa e rendisin këtë tek sukseset e tij, dhe si arsyen pse gjeneral Lleshi e mbajti akoma në detyrë. Po në sytë e publikut, policia mori një goditje, pasi agjencia më e rëndësishme e zbatimit të ligjit dhe ofrimit të sigurisë në vend, tregoi dobësi, u shndërrua në taksi për një shumë të kërkuar.

Ardi Veliu nuk ka munguar të ofrojë shërbimet e tij politike dhe partiake. Eshtë treguar i ashpër me protestuesit e opozitës dhe në kohën e tij policia u fut edhe në universitete për të shantazhuar studentët që ngritën krye ndaj qeverisë.

Ai është akuzuar nga opozita si i përfshirë në manipulimin e dëshmitarëve, si, në rastin e njohur si “Babale”.

Problemet në fakt nisin që tek emërimi. Specialistët dhe opozita denoncuan në atë kohë se Veliu nuk i plotësonte kriteret për të qënë Drejtor i Përgjithshëm i Policisë e po ashtu, konkursi i zhvilluar qe fiktiv, me fitues të paracaktuar.

Ai nuk ka ofruar garanci për një prej çështjeve më kritike në vend, që është garantimi i zgjedhjeve të lira, një proces jetik për vendin dhe integrimin europian, ku policia ka një rol kyç, parësor.

Me një bilanc të tillë të rënduar, jetëgjatësia në detyrë e Veliajt bën gjithnjë përshtypje./Mapo