SPORT, 8 Maj 2019, 12:42

Pluralizmi në rrezik…!

Pluralizmi në rrezik…!


Nga Kastriot Islami

Blerja e votave dhe kërcënimi i votuesve janë dy dukuri që janë përmendur në dy raportet e OSBE-ODHIR për zgjedhjet e 2013 dhe 2017 në Shqipëri.  Në zgjedhjet e 2009 dy partitë kryesore, PS dhe PD, ishin në pozita pothuajse të barabarta, me përkatësisht 40,85 për qind të votave dhe 40,18 për qind të votave, pra me një diferencë të papërfillshme mes tyre prej 0,67 për qind të votave. Dy forcat kryesore politike, PS dhe PD garantonin një ekulibër politik të arsyeshëm.

Ndonëse me probleme, sistemi politik pluralist funksiononte duke pasur një parti ‘king maker’ dhe ruajtur një balancë mes maxhorancës e opozitës. Por në 2013 Rama me ndihmën e LSI i jep goditjen e parë të fortë pluralizimit. Në 2017, Rama keqpërdor marrëveshjen me PD, për ti dhënë goditjen fatale pluralizmin. Dhe tentativat e Ramës për të zhvilluar zgjedhjet vendore të 2019 pa PD, LSI e aleatët e tyre do të ishte ‘vrasja përfundimtare’ e pluralizmit. Do të ishte gabim historik nëse Ramës, pra vetëm një individi, do ti jepej nga forcat politike, qytetarët dhe ndërkombëtarët ‘mbështetja’ për të konsoliduar sistemin e maskuar ‘monist’ më opozitën fasadë, autoritar, oligarkik dhe të centralizuar.

1. Goditja e parë e fortë ndaj pluralizimit jepet në 2013…

Në zgjedhjet e vitit 2013, PD vinte pas 8 vitesh të drejtimit të qeverisjes së vendit dhe kishte argumente të pranueshëm për ‘qarkullimin e pushtetit’ por dimensioni i ‘rrudhjes’ së PD do të ishte përtej logjikës politike dhe i vinte kryesisht për shkak të përdorimit të i) ‘forcës’ kërcënuese të individëve me rekorde kriminale; dhe ii) përdorimit masiv e eksesiv të parave të dyshimta  për blerjen e votave dhe kërcënimin e votuesve nga ana e PS.

Natyrisht një rol jo të vogël në prishjen e balancës politike përmes ‘rrudhjes’ së konsiderueshme të opozitës, do të kishte edhe LSI, e cila mund të thuhet se pranoi me naivitet (LSI tani që ka dalë në opozitë e ka pranuar këtë gabim) ‘të përdorej’ nga Rama për të ‘rrënuar’ PD, por që në realitet i kishte dhënë goditjen e parë dërmuese pluralizmit, duke çuar në krijimin e një supermaxhorance të frikshme që bënte ç’të donte dhe kontrollonte gjithçka duke u shprehur se ‘nuk keni parë gjë akoma’.

Ndërkohë që Rama forconte pozitat e regjimit autoritar të ‘oligarkisë, krimit e korrupsionit’ duke i shtuar edhe komponentin e ‘narkotrafikut e të kultivimit të kanabisit’, LSI kishte vënë në dispozicion të gjithë votat e saj (përsëri me naivitet) duke i mundësuar Ramës të rriste në mënyrë të frikshme pushtetin për të kontrolluar biznesin e madh, median, shoqërinë civile dhe të hidhte hapat drejt kontrollit të sistemit gjyqësor dhe më tej të zotëronte i vetëm edhe sistemin politik e të kontrollonte institucionet kushtetuese.

Synimi final ishte kontrolli i sistemit politik në mënyrë autoritare dhe të centralizuar, madje individualisht, prandaj të gjithë bateritë gjatë periudhës 2013-2017 do të drejtoheshin për kërcënimin dhe rrënimin e opozitës apo kthimin e saj në fasadë.

2. Goditja fatale ndaj pluralizimit jepet në 2017…

Në zgjedhjet e vitit 2017, PS do të vinte e vetme në krye të qeverisë duke vënë në përdorim për ‘fryrjen’ e Rilindjes të gjithë arsenalin për i) blerjen e votave me paratë e korrupsionit, ii) kërcënimin e votuesve përmes individëve me rekorde kriminale (këtë radhë të fshehur pas ‘manekinëve’ apo individë të maskuar me etiketa të tjera politike); iii) dhe të gjithë potencialin e narkotrafikut e të kultivimit të kanabisit për të joshur e friksuar votuesit.

Po ashtu në një dimension të paprecedent do të ishte edhe përdorimi i mjeteve të administratës publike: i) punësimi. ii) asistenca sociale, iii) lejet dhe certifikatat e legalizimeve; e tjerë. Përsëri në raportin e OSBE/ODHIR do të vendoseshin dy sindromat e ‘blerjes së votave’ dhe ‘kërcënimit të votuesve’ që Rama në krye të qeverisë i ka shndërruar në mekanizmat kryesorë e të vetëm të ‘fryrjes’ së Rilindjes por edhe të ‘rrudhjes’ së PD e cila natyrisht ka ndodhur edhe për shkaqe të brëndshme të PD e opozitës.

Po këtë radhë synimi ishte më diabolik, eliminimi i ‘king makerit’, për të qeverisur i vetëm dhe në mënyrë të centralizuar, pra të LSI. Pasi kishte ‘rrudhur’ opozitën në 2013 dhe kishte keqpërdorur votat e ‘king makerit’ gjatë të gjithë periudhës qeverisëse 2013-2017, përmes marrëveshjes së 18 majit 2017, Rama do të krijonte perceptimin se tani radhën për tu ‘rrënuar’ e kishte LSI dhe në një farë mënyre arriti ta realizonte këtë synim diabolik, këtë radhë për shkak edhe të dobësive/naivitetit/gabimeve të opozitës.

3. Një ‘fotografi’ e rrënimit të pluralizimit…

Ndërkohë që në 2009, diferenca mes PS e PD ishte vetëm 0,67 për qind, sistemi pluralist kishte filluar të funksiononte sepse i) ekzistonte ekuilibri politik maxhorancë/opozitë; ii) maxhoranca formohej nga një parti kryesore dhe një parti ‘king maker’ dhe iii) opozita ishte shumë fuqishme. Në zgjedhjet e 2013, diferenca mes PS e PD rritet në 10,73 për qind, duke shkaktuar një tronditje jo të vogël të sistemit pluralist të ekulibruar për shkak të dizbalancës mes një supermaxhorance dhe një opozite të ‘rrudhur’ në ekstrem.

Por sistemi pluralist kishte ende shpresë të rikthehej në ekulibër sepse vazhdonte të ruhej ‘king makeri’ dhe shpresa se opozita do të ringrihej. Po në zgjedhjet e 2017, sistemi pluralist do të merrte një goditje shumë të rëndë, deri fatale, sepse i) opozita ‘rrudhet’ në vlerën e  frikshme prej 28,85 për qind duke rritur në kufijtë e 19,49 përqind distancën mes PS e PD; ii) eliminohet ‘king makeri’ dhe kështu Rama, si individ zotëron i vetëm ‘timonin’ e qeverisjes, sepse PS është kthyer në një parti klienteliste që kontrollohet nga një individ.

Arsyet e kësaj dinamike të frikshme e shqetësuese nuk kanë të bëjnë aspak me ‘suksesin politik’ të PS dhe/ose vetëm me ‘dështimin politik’ të PD por ajo mund të shpjegohet kryesisht duke qenë njëkohësisht edhe argument i fuqishëm, me instalimin në Shqipëri të një regjimi autoritar të ‘korrupsionit, krimit dhe narkotrafikut’ që kërkon i vetëm të drejtojë në mënyrë moniste, të centralizuar dhe autoritare duke kontrolluar madje individualisht sistemin politik.

Natyrisht edhe PD, LSI, PDIU që janë aktualisht forcat kryesore politike parlamentare kanë përgjegjësitë e tyre të konsiderueshme,  për këtë dinamikë por shkaku kryesor e parësor mbetet veprimi agresiv i një regjimi autoritar të një pakice ‘korruptive, oligarke e kriminale’ që ka programuar prej kohësh dhe aktualisht po vendos nën kontroll gjithçka, përfshi edhe sistemin politik, duke çuar në një dizekuilibër politik me pasoja të frikshme për të ardhmen e vendit dhe sistemin pluralist.

4. Zgjedhjet e ardhshme, e vetmja mënyrë për të shpëtuar pluralizmin

Rama po tenton të futet i vetëm në zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019.  Ky do të ishte momenti i ‘vrasjes’ përfundimtare të pluralizmit. Për të fshehur ‘thikën vrastare’ dhe duart e gjakosura Rama po kërkon të maskojë këtë akt makabër duke sponsorizuar krijimin e një opozitë fasadë, i udhëhequr nga paranoja  se të tilla zgjedhje fasadë do të pranoheshin nga shqiptarët dhe do të certifikoheshin nga ndërkombëtarët.

Të gjithë partitë kryesore opozitare, PD, LSI, PR, PDIU, PBDNJ, PDK, LZHK e tjerë janë angazhuar seriozisht për të penguar ‘vrasjen’ e pluralizmit, duke stigmatizuar si ideatorin, organizatorin dhe përgjegjësin kryesor të ‘vrasjes’ së pluralizmit, vetëm Edi Ramën. Sipas opozitës, për të shpëtuar pluralizmin ka vetëm një rrugë: Zgjedhje të parakohshme, të lira e të ndershme, me një qeveri tranzitore, pa Edi Ramën kryeministër.

Duket një projekt shumë i vështirë por është i vetmi opsion për të ndalur dorën ‘vrastare’ të pluralizmit. Nëse Rama nuk do të tërhiqet nga marrëzia e projektit diabolic të ‘vrasjes’ së pluralizimit, atëherë opozita ka deklaruar se do të bëhet barikadë ndaj këtij akti barbar dhe me pasoja për shqiptarët, të cilët vetëm 28 vjet më parë u ngritën fuqimisht për të vendosur pluralizmin.

Kjo natyrisht mund të çonte në përplasje sociale, përgjegjësinë dhe koston për të cilën do ta kishte vetëm Edi Rama, që do të përfundonte me shumë gjasa si të gjithë drejtuesit e tjerë autoritarë e të korruptuar.