AKTUALITET, 14 Mars 2020, 21:13

Përveç telefonatave, Policia shton patrullimet në zonat ku banojnë të kthyerit nga Italia

Përveç telefonatave, Policia shton patrullimet në zonat ku

Personat e kthyer nga Italia e Greqia, nga data 26 shkurt e në vazhdim, morën paralajmërimin e parë nga Qeveria që të vetëkarantinoheshin, në të kundërt do të gjobiteshin me 5 mijë euro.

Ata ishin të parët që u përballën me kontrollet e Policisë dhe të Ushtrisë, ku përmes një tableti, që prej natës së parë u verifikuan mbi 100 persona, të cilët morën urdhër të vetëkarantinoheshin. Masat kanë vijuar edhe pas këtij verifikimi.

Shërbimet e Policisë, që tashmë kanë identifikuar përmes sistemit TIMS të gjithë personat që kanë mbërritur gjatë kësaj periudhe nga Italia e Greqia, kanë nisur të telefonojnë këta persona dhe t’i këshillojnë që të mos dalin nga shtëpia.

Nga ana tjetër, duke qenë Policia ka në sistem edhe adresat e tyre të banimit, është vendosur që zonat ku ata jetojnë të patrullohen vazhdimisht. Ky lloj monitorimi besohet se do i bindë edhe më shumë këta persona që të mos dalin nga shtëpitë e tyre për një periudhë 2-javore, që nga momenti i hyrjes në territorin e Shqipërisë.

Në të kundërt, atyre u është bërë e qartë se do të gjobiten dhe nuk do të lejohen të largohen më jashtë vendit pa paguar gjobën.