BALLKAN, 2 August 2026, 16:13

Përplasen dy helikopterë gjatë shuarjes së flakëve në Greqi, nis operacioni për gjetjen e ekuipazheve (VIDEO)

Një alarm është ngritur pasditen e kësaj të diele në zonën e Psathës në Greqi, pasi dy helikopterë zjarrfikës u përplasën në ajër gjatë operacionit për shuarjen e një zjarri.

Shërbimi zjarrfikës grek ka mobilizuar menjëherë forcat e kërkim-shpëtimit për lokalizimin dhe shpëtimin e anëtarëve të ekuipazheve të dy mjeteve ajrore.

Sipas informacioneve paraprake, autoritetet kanë arritur të vendosin kontakt me ekuipazhin e njërit prej helikopterëve, ndërsa kërkimet vijojnë për helikopterin tjetër.

Janë publikuar pamjet nga momenti kur dy helikopterë u përplasën në ajër gjatë operacionit për shuarjen e flakëve në zonën e Psathës, në Greqi.

Sipas mediave greke, të dy helikopterët ishin ngritur nga aeroporti ushtarak i Elefsinës dhe po merrnin pjesë në operacionet ajrore për shuarjen e zjarrit.

Informacionet e fundit bëjnë të ditur se ekuipazhi i njërit prej helikopterëve është gjallë dhe ka arritur të komunikojë me autoritetet, ndërsa për ekuipazhin e mjetit tjetër nuk ka ende të dhëna. Operacioni i kërkim-shpëtimit vijon.

Në të dy helikopterët pilotët janë me origjinë rumune, ndërsa koordinatorët e misionit janë grekë. Helikopterët ishin marrë me qira nga Shërbimi Zjarrfikës i Greqisë dhe secili kishte nga dy persona në bord.

Në vendngjarje janë dërguar katër autoambulanca të shërbimit të urgjencës dhe një njësi e lëvizshme mjekësore.