AKTUALITET, 30 Mars 2019, 11:35

“Për një Shkodër të lirë nga krimi”, dy javë pas deklaratës së ministrit Lleshaj krimi godet fort

“Për një Shkodër të lirë nga krimi”, dy

Vetëm dy javë pas deklaratës së ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, “për një Shkodër të lirë nga krimi”, kryeqendra e veriut është goditur sërish nga një vrasje e dyfishtë.

Duke iu referuar operacionit që vuri në pranga 11 persona që jepnin para me fajde, ministri Lleshaj shkruante: “Maranaj”, për një Shkodër e Shqipëri të lirë nga krimi. Policia e Shtetit dha sot një tjetër goditje madhore kundër krimit të organizuar dhe financave të tij. Ky sukses motivon më tej Policinë dhe qytetarët për të vijuar së bashku përpjekjen për Shqipërinë europiane.”

E konsideruar në media edhe si “Palermo e Shqipërisë”, në Shkodër u ekzekutuan sot dy vëllezërit Astrit dhe Ibrahim Bilali.

Ndonëse është herët për të folur për arsyet e kësaj ngjarjeje të rëndë, një prej pistave kryesore lidhet me të kaluarën problematike të Asmer Bilalit, djali i njërit prej viktimave, Astrit. Ai ka qenë i arrestuar edhe si pjesë e grupit ‘Bajri’ në Shkodër.