AKTUALITET, 5 Dhjetor 2018, 14:01

PD: 3 protestues u arrestuan padrejtësisht, Tabaku e Balliu te komisariati nr. 4

PD: 3 protestues u arrestuan padrejtësisht, Tabaku e Balliu te komisariati

Partia Demokratike ka denoncuar sot arrestimin pa asnjë letër të tre protestuesve, që u ngritën kundër shembjes së banesave të tyre.

PD bën me dije se “Në mënyrë të beftë dhe pa asnjë shkak real policia është shfaqur në dyert e pjesëmarrësve në protestë për mbrojtjen e shtëpive të tyre.

Zotërinjtë Agim Peposhi, Lahi Lleshi dhe Fuat Durollari janë marrë në rajon pa asnjë letër nga policia e Partisë Socialiste që nuk mbron rendin por sulmon qytetarët”.

Sipas PD, “pa asnjë shkak ato janë arrestuar ndonëse protesta dje ka qenë tejet paqësore dhe konform rregullave ligjore.

Ato arrestohen sepse duan të mbrojnë shtëpitë e tyre, arrestohen sepse duan të mbrojnë liritë e tyre”.

Ndërkohë në mbështetje të tyre deputetet Jorida Tabaku dhe Klevis Balliu janë në komisariatin nr. 4.

“Kjo situatë ndodhte vetëm në diktaturë. Vetëm në komunizëm arrestoheshe se protestoje kundër qeverisë. I duhet thënë boll!”- apelon PD.