TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar Kosovën se vonesat në funksionalizimin e institucioneve mund të ndikojnë në përfitimin e vendit nga fondet e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Në një përgjigje për RTV21, një zëdhënës i Komisionit Evropian u ka bërë thirrje aktorëve politikë në Kosovë që të zhvillojnë një dialog efikas ndërpartiak dhe të arrijnë një marrëveshje për tejkalimin e bllokadës institucionale.
Sipas BE-së, është thelbësore që institucionet e Kosovës të konstituohen pa vonesa të mëtejshme, në përputhje me Kushtetutën dhe procedurat përkatëse.
“BE-ja u ka bërë vazhdimisht thirrje të gjithë aktorëve politikë që të sigurojnë stabilitet institucional. Është thelbësore që institucionet e Kosovës të konstituohen pa vonesa të mëtejshme”, ka deklaruar zëdhënësi i Komisionit Evropian.
Ai ka paralajmëruar se zvarritja e formimit të institucioneve mund të pengojë zbatimin e reformave dhe të ndikojë në aftësinë e Kosovës për të përfituar plotësisht nga mbështetja financiare e BE-së, përfshirë fondet e Planit të Rritjes.
“Vetëm një dialog efikas ndërpartiak dhe një qëllim i përbashkët do t’i mundësojnë Kosovës të ndjekë objektivat e përbashkëta dhe të zbatojë reformat që kërkojnë qytetarët e saj”, thuhet në përgjigjen e BE-së.
Kosova rrezikon një pjesë të financimit
Kosova rrezikon të mos përfitojë një pjesë të fondeve nga Instrumenti për Reforma dhe Rritje, për shkak të vonesave në përmbushjen e reformave të përcaktuara.
Institucionet e Kosovës kanë paraqitur më 15 korrik 2026 kërkesën e parë për disbursimin e fondeve, ndërsa Komisioni Evropian është duke vlerësuar raportimin për hapat e ndërmarrë në kuadër të reformave.
Megjithatë, vonesat në zbatimin e objektivave të përcaktuara kanë ngritur pikëpyetje mbi mundësinë që Kosova të përfitojë të plotë shumën e parashikuar.
Reformat që lidhen me kërkesën e Kosovës përfshijnë objektiva që duhej të përmbusheshin në dhjetor 2024, qershor 2025 dhe qershor 2026.
Në këtë situatë, BE-ja kërkon funksionalizimin sa më të shpejtë të institucioneve të Kosovës, duke e konsideruar stabilitetin politik dhe zbatimin e reformave si kushte thelbësore për përfitimin e mbështetjes financiare evropiane.