BALLKAN, 23 Korrik 2020, 10:10

Pas Haradinajt, edhe Limaj i pakënaqur me qeverinë e Hotit

Pas Haradinajt, edhe Limaj i pakënaqur me qeverinë e Hotit


Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj ka thënë mbrëmë në T7 se nuk ka qenë i informuar për emërimin e Skënder Hysenit si koordinator për dialogun Kosovë-Serbi.

“S’kam qenë i informuar për koordinatorin, por është çështje e kabinetit. Pse e ka emëruar nuk e di”, është shprehur Limaj.

Limaj ka shprehur pakënaqësi edhe për mënyrën si po zhvillohet dialogu me Serbinë.

“Video-samiti dhe vizita në Bruksel kanë qenë me pëlqimin e partive në koalicion. Nuk e kemi ditur se për çfarë është biseduar. Por për përgatitje po. Kemi pasur platformën e përbashkët.

Nga temat që janë biseduar kemi vërejtjet tona si Nismë. Rreziku është që po kthehemi në një dialog teknik. Fatkeqësisht tri vjet kemi humbur dialog pa lidhje. Për teka individuale. Jemi për dialog por për tema vitale. Nuk duam më dialog për normalizim, por për njohje reciproke.

Nëse Serbia nuk është e gatshme të negociojë për njohje, atëherë ne nuk jemi të interesuar. Atë ditë patëm problem me sjelljen e Vucic. Ai tha se jemi të interesuar të flasim për ekonomi, por jo për njohje. Çfarë ekonomie pa njohje?”, – thotë Limaj.

Një ditë më parë edhe kreu i AAK-së shprehu pakënaqësi për mënyrën si po e drejton qeverinë Avdullah Hoti.