TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Partia Progresive Serbe (SNS) ka propozuar njëzëri Aleksandër Vuçiçin si kandidat për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Serbi.
Vendimi u mor gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të SNS-së në Nish. Në të njëjtën mbledhje, partia vendosi të garojë në zgjedhje me listën “Aleksandër Vuçiç – Serbia e Bashkuar”, me Vuçiçin si bartës të listës.
Duke pranuar kandidaturën, Vuçiç e cilësoi atë si “një nder të madh” dhe bëri një bilanc të viteve të qeverisjes së SNS-së, duke pranuar se gjatë kësaj periudhe janë bërë edhe gabime.
“Para 18 vitesh e themeluam partinë. Arritëm ta ndryshojmë Serbinë. A ishte gjithçka ideale? A i bëmë të gjitha siç duhej? Sigurisht që jo. Kemi bërë gabime dhe ato gabime duhet t'ua pranojmë qytetarëve”, tha Vuçiç.
Ai deklaroi se, sipas tij, nuk ekziston një forcë tjetër politike që mbron interesat kombëtare serbe me më shumë përgjegjësi sesa SNS-ja.
Në fjalën e tij, presidenti serb u ndal gjerësisht te çështja e Kosovës dhe akuzoi qeveritë e mëparshme për zhvillimet politike që, sipas tij, çuan fillimisht në shpalljen e pavarësisë së Malit të Zi dhe më pas në shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
“Bilanci i pushtetit të mëparshëm ishte 12 vite qeverisje politike: heqja dorë nga vazhdimësia me Jugosllavinë, shkatërrimi i bashkësisë shtetërore të Serbisë dhe Malit të Zi, shpallja e pavarësisë së Malit të Zi dhe më pas shpallja e njëanshme e pavarësisë së të ashtuquajturës Kosovë”, deklaroi Vuçiç.
Sipas tij, këto zhvillime u shoqëruan me “vuajtje dhe dëbim të serbëve”, ndërsa reagimi i shtetit serb ishte i pamjaftueshëm.
Vuçiç përmendi gjithashtu ngjarjet e marsit të vitit 2004 në Kosovë, duke pretenduar se gjatë trazirave u shkatërruan kisha dhe manastire serbe, ndërsa serbët u vranë dhe u dëbuan.
Në vijim të fjalës së tij, presidenti serb kritikoi ashpër institucionet ndërkombëtare të drejtësisë, përfshirë Tribunalin e Hagës, Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, të cilat i cilësoi si “gjykata të padrejtësisë”.
“Kam marrë urdhra detyrues për arrestimin e radikalëve, për arrestimin e Sheshelit. Jam krenar që nuk kam dorëzuar asnjë serb në Tribunalin e Hagës. Jam krenar dhe ec me kokën lart në këtë vend për këtë. I përballova të gjitha presionet”, u shpreh Vuçiç.
Presidenti serb deklaroi gjithashtu se Serbia nuk mund të pranojë një kompromis që do të nënkuptonte njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Duke iu referuar deklaratave të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për mundësinë e arritjes së një kompromisi, Vuçiç tha se pala serbe ishte përballur me kërkesën për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
“Kur Hashim Thaçi filloi të fliste për mundësinë e arritjes së një kompromisi, përgjigjja ishte se me serbët nuk ka kompromis. Kompromisi, sipas tyre, duhej të nënkuptonte që serbët ta njihnin të ashtuquajturën Kosovë të pavarur, të pendoheshin dhe të kalonin nëpër një katarsis”, tha Vuçiç.
Kandidatura e Vuçiçit nga SNS-ja vjen në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ndërsa presidenti serb pritet të luajë një rol qendror në fushatën e forcës politike që ai drejton.