TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kryeministri në detyrë dhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se gjashtë deputetë të LDK-së nuk po e respektojnë marrëveshjen e arritur mes dy partive për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
Kurti ka bërë të ditur se ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e grupit multietnik, i cili ishte aranzhuar më herët. Ai tha se gjatë takimit i ka njoftuar përfaqësuesit për bisedimet dhe marrëveshjen me LDK-në, si dhe për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president.
“Ata ndajnë keqardhjen me të gjithë neve që kjo nuk po mund të realizohet, për shkak se gjashtë deputetë nga LDK-ja nuk e respektojnë këtë marrëveshje”, tha Kurti.
Kreu i LVV-së deklaroi se partia e tij do të vazhdojë përpjekjet për të shmangur zgjedhjet e reja.
“Do të vazhdojmë të ecim tutje duke u përpjekur t’i evitojmë zgjedhjet e reja”, deklaroi Kurti.
Kurti: Kemi më shumë vota për presidentin, nga 64 në 74
Pavarësisht zhvillimit negativ të një dite më parë, Kurti tha se marrëveshja me LDK-në ka sjellë progres sa i përket numrit të votave për zgjedhjen e presidentit.
“Dje pasdite ndodhi një zhvillim negativ, por kemi pasur progres dhe në këtë legjislaturë jemi më mirë sesa në të kaluarën sa i përket numrit të votave për president. Feride Rushiti ka pasur 64, tash Bekim Sejdiu ka 74”, tha ai.
Kurti bëri të ditur se do të zhvillojë konsultime të brendshme me kryesinë e Vetëvendosjes.
Abdixhiku: Numrat për zgjedhjen e presidentit, për momentin nuk janë
Pas përfundimit të takimit, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, deklaroi se numrat e nevojshëm për zgjedhjen e presidentit, për momentin, nuk janë.
Kurti tha se gjatë takimit me Abdixhikun është njoftuar për situatën aktuale brenda LDK-së, ndërsa edhe ai e ka informuar kreun e LDK-së për zhvillimet brenda Vetëvendosjes.
“Ne vazhdojmë të jemi optimistë, ndonëse situata është më e vështirë se përpara. Shohim çfarë mund të bëjmë në ditët në vijim”, theksoi Kurti.