TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
I ngritur në 15 Mars të vitit të kaluar, Komisioni Hetimor Parlamentar për ish-Ministrin Tahiri përfundoi mandatin. Në afro 10 muaj u zhvilluan vetëm pak seanca, ndonëse Kuvendi kishte shtyrë afatin me 3 muaj. Kërkesa e opozitës për ta zgjatur edhe me 3 muaj të tjerë punimet e këtij Komisioni u rrëzua në Konferencën e Kryetarëve.
“Do dorëzojmë një tjetër kërkesë. Ka emrin e Tahirit Komisioni, por lidhet me fenomenin, me emrat që kanë qenë dhe janë sot në qeveri. Hetimet do bëhen nga Rama e deri te Taulant Balla, jo vetëm për Tahirin. Lidhjet e qeverisë me krimin vijojnë të jenë problem madhor”, deklaroi Paloka.
Mospranimin e kërkesës për shtyrje të afatit të komisionit ekzistues, Taulant Balla e justifikoi me bojkotin e opozitës, ndërsa u shpreh i hapur për të pranuar kërkesën e re të opozitës.
“PD bashkë me LSI të sjellin në formën siç e kërkon Kushtetuta dhe ligji kërkesën përsëri, me qëllim që të vijojë procesi hetimor siç e duan ata. Por në asnjë rast, qoftë Kushtetuta, qoftë ligji për komisionet hetimor, Rregullorja e Kuvendit nuk do të shkelet nga ana jonë se PD ishte në gjumë për dy muaj me radhë. Apeli im ka qenë, meqenëse nesër ngrejmë një tjetër komision hetimor të kërkuar nga Meta, kjo çështje të ndiqet, të hetohet sa më shpejt. Në 5 vitet e fundit i vetmi komision që ka dalë me raport është një i drejtuar prej nesh”, tha Balla.
Historia ka treguar se komisionet hetimore të ngritura për çështje të ndryshme nuk kanë sjellë ndonjë rezultat, por vetëm show dhe harxhim parash.
Po e nisim si fillim me Komisionin hetimor “të veshit”. Bëhet fjalë për një ngjarje të vitit 2013, në Vjenë. Komisioni hetimor u ngrit nga demokratët për atë që e cilësuan si incidenti i 24 prillit në Akademinë Diplomatike në Vjenë mes kreut të opozitës (në atë kohë) Edi Rama dhe Egin Cekes, ambasadorit shqiptar në OSBE.
Sipas demokratëve, në atë kohë Edi Rama i tërhoqi veshin ambasadorit shqiptar dhe kjo ishte dhunë ndaj diplomacisë dhe prishja e imazhit të vendit.
Po demokratët ishin ata që, pas një seance të jashtëzakonshme ngritën një komision hetimor për demonstratat e 21 janarit. Në këtë komision u thirr edhe ish-kryeministri Sali Berisha e shumë emra të tjerë… Përfundimi ishte: komisionit i përfundoi afati pa ndonjë rezultat!
Më pas kemi komisionin hetimor për përgjimet. Gjatë 2016 çështja “Imsi Catcher” ishte patatja e nxehtë në arenën e politikës që u finalizua me ngritjen e një komisioni hetimor. Nga ana e gjykatës pati një pezullim të përkohshëm nga detyra të ish drejtorit të përgjithshëm Haki Çako dhe dy masa arresti shtëpiak, vendime këto që u shfuqizuan nga gjykata e Apelit. Por përfundimi që arriti ky komision hetimor? Zero…
Çështja e CEZ, sërish përfundoi me një komision hetimor. Pas “hetimeve” të këtij komisioni u tha se për privatizimin e Operatorit të Shpërndarjes nga kompania CEZ, procesi i privatizimit i ka shkaktuar shtetit shqiptar një dëm prej 415 milionë eurosh. Por vetëm kaq…