TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Në mbledhjen e sotme Këshilli i Ministrave miratoi një ndryshim në vendimin “Për krijimin e shoqërisë aksionare për prodhimin dhe shpërndarjen e dokumenteve biometrike”, duke zgjeruar fushën e veprimtarisë së saj edhe në shërbime dhe sisteme teknologjike të lidhura me identitetin biometrik e digjital.
Sipas vendimit, shoqëria aksionare do të administrojë dhe zhvillojë kapacitetet e nevojshme të infrastrukturës dhe teknologjive të sigurisë së lartë përmes furnizimit nga shoqëria “ALBTraceCo”, sh.a.
Sipas vendimit, infrastruktura dhe teknologjitë e sigurisë së lartë duhet të garantojnë mbrojtjen e të dhënave sensitive të shtetasve, identitetit dhe të dhënave biometrike, si dhe të dokumenteve fizike biometrike boshe.
Në kuadër të ndryshimit, shoqërisë i jepet mundësia të zhvillojë, integrojë ose administrojë platforma dhe sisteme kritike shtetërore, si dhe të ofrojë shërbime shtesë në funksion të prodhimit dhe shpërndarjes së dokumenteve biometrike.
Veprimtaria e parashikuar përfshin edhe projektimin, zhvillimin, implementimin, operimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve elektronike që lidhen me identitetin biometrik dhe digjital, identifikimin elektronik, autentifikimin, gjurmueshmërinë dhe verifikimin elektronik.
Sipas vendimit, shoqëria mund të ofrojë edhe shërbime të tjera teknologjike ose të integruara që shërbejnë për realizimin e këtij qëllimi.
Për zbatimin e vendimit ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, shoqëria aksionare përgjegjëse për prodhimin dhe shpërndarjen e dokumenteve biometrike dhe shoqëria “ALBTraceCo”, sh.a.
Vendimi hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.