TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ministria e Shëndetësisë, ka njoftuar në mesnatë se dy persona janë prekur nga koronavirusi në Shqipëri. Ata kanë ardhur në vendin tonë, nga qyteti i Firences në Itali. Ministria konfirmon se këta persona, janë babë e bir, respektivisht 54 vjeç dhe 28 vjeç. Ata kanë qëndruar disa ditë në Firence dhe janë kthyer në Tiranë me makinën e tyre personale.
Informacion i përditësuar
Dy qytetarët e konfirmuar me koronavirusin e ri, babë e bir, 54 vjeç dhe 28 vjeç kanë qëndruar disa ditë në Firence dhe kanë udhëtuar në rrugë tokësore nga Firence drejt Tiranës, nëpërmjet pikës kufitare të Hanit të Hotit, me makinë personale.
Menjëherë pas shfaqjes së shenjave klinike dhe lajmërimit të urgjencës kombëtare në nr.127 i janë marrë mostrat, të cilat u konfirmuan mbrëmjen e sotme nga laboratori i virologjisë në IShP.
Dy rastet e konfirmuara me COVID-19 janë në gjendje të stabilizuar dhe po trajtohen në spitalin infektiv në Tiranë.
Ndërkohë strukturat e shëndetit publik po realizojnë hetimin epidemiologjik dhe marrjen e mostrave të kontakteve.
Njoftimi i parë i Ministrisë së Shëndetësisë:
Ministria e Shëndetësisë: Konfirmohen dy raste të importuara me COVID-19 në Shqipëri.
Gjendja e dy të prekurve babë e bir që kanë udhëtuar nga Firence në Tiranë është e stabilizuar dhe nuk paraqesin komplikacione.
Strukturat tona të urgjencës kombëtare dhe ISHP janë duke ndjekur protokollin klinik dhe epidemiologjik për të dy rastet.
MSHMS përsërit thirrjen për qytetarët që kanë udhëtuar nga vende të prekura dhe ndjejnë simptoma të ngjashme me gripin, të telefonojnë në nr.127, ku mjekët tanë do t'i përgjigjen çdo rasti.
MSHMS u bën thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë dhe të zbatojnë rigorozisht rregullat e higjenës, sipas njoftimeve që kemi bërë gjatë gjithë kësaj kohe.
Gjithashtu u bëjmë thirrje qytetarëve që t'u referohen vetëm burimeve zyrtare për marrjen e informacionit. MSHMS do të vazhdojë të ofrojë informacione të përditshme mbi situatën dhe masat e marra.
/TPZ.al/