TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Vendi ynë fqinj Italia, duket se është paralizuar nga koronavirusi.
Vetëm në 24 orët e fundit, janë shënuar 133 viktima nga Covid-19, duke e rritur numrin total të fataliteteve në 366.
Italia është vendi më i prekur në Europë nga Koronavirusi, me 7375 të infektuar.
Të dielën, qeveria italiane lajmëroi se 16 milionë personave do t'u ndalohet udhëtimi nga Lombardia dhe 14 provinca të tjera, në mënyrë që virusi të mos vijojë përhapjen në zona të tjera të Italisë, në Evropë dhe më gjerë. Karantina e vendosur për provincat e veriut, ku përfshihet qyteti i Milanos dhe Venecia, do të shoqërohen me mbylljen e shkollave, palestrave, muzeve, klubeve të natës, në mbarë vendin.
Rrugët e provincave të vendosura në karantinë, por edhe në qytete të tjera përfshirë Romën, janë boshatisur krejtësisht dhe qytetarët, të nxitur nga paniku, janë dyndur drejt supermarketeve, duke i boshatisur një pjesë prej tyre.
Këto masa të vendosura nga qeveria italiane do të vijojnë deri në datën 3 prill. Deri në këto momente, Italia ka marrë masat më radikale, pas Kinës, në përpjekje për të frenuar përhapjen e virusit.
Koronavirusi i shfaqur fillimisht në Wuhan të Kinës, po përhapet me shpejtësi në vende të ndryshme të botës. Veç Italisë edhe Irani është goditur rëndë nga virusi. Në 24 orët e fundit janë raportuar 49 viktima në Iran, duke e rritur numrin e të vdekurve në 194.
Në shkallë globale janë infektuar 109,680 persona dhe kanë ndërruar jetë 3802 persona nga koronavirusi. Raportohet se 60,956 persona janë shëruar tërësisht.
/TPZ.al/