TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ndodh edhe kështu. Shumë shtetas shqiptarë po vuajnë në pikat kufitare me Greqinë, pasi nuk janë lejuar të hyjnë në tokën e tyre pas masave ekstreme nga përhapja e kornonavirusit.
Mirëpo, teksa kjo çështje po zgjidhet gradualisht duke i dërguar ata në hotele me kushtin që të jenë në karantinë për 14 ditë, ka edhe raste kur pengesë për shqiptarët që duan të shkojnë në Greqinë bëhen pikërisht autoritetet… shqiptare.
Prej ditësh po vuan pikërisht një futbollist shqiptar, i cili jeton në Athinë që në moshë të vogël, teksa aty kua familjen. Bëhet fjalë për 21-vjeçarin me origjinë nga Fieri, Igli Doko, i cili në janar u stërvit me Skënderbeun, por përfundoi te Turbina e Cërrikut në Kategorinë e Parë.
Deri në 12 mars, kur dhe u vendos për ndërprerjen e të gjitha aktiviteteve, Doko është stërvitur normalisht te Turbina, por më pas, në përpjekje për t’u larguar drejt familjes së tij në Greqi, nuk është lejuar nga autoritetet shqiptare.
HISTORIA E IGLI DOKOS
Igli Doko tregon ngjarjen e pazakontë që i ka ndodhur, teksa i kërkoi ndihmë emisionit “Fiks Fare” në “Top-Channel” për të gjetur një zgjidhje, pasi ka mbetur mes katër rrugëve.
“Kam tre muaj që ndodhem në Shqipëri dhe pasi u shfaq koronavirusi, kisha probleme me qëndrimin këtu, pasi jetoj vetëm dhe dua të kthehem pranë familjes time në Athinë. Unë jam shqiptar, por disponoj edhe pasaportën greke, pasi jam rritur në Greqi.
I kam të gjitha dokumentat, qoftë shqiptare dhe greke. Kam ardhur në janar në Shqipëri për t’u aktivizuar në një ekip dhe jam aktualisht pjesë e një skuadre në Kategorinë e Parë (Turbina e Cërrikut).
Pas ndërprerjes së kampionatit kam shkuar të jetoj te një kushëriri i babait, pasi nuk kisha zgjidhje tjetër. Tani dua të kthehem në Greqi pranë familjes time”, tregon fillimisht mbrojtësi i majtë.
Më pas sqaron edhe mënyrën se si ka vepruar dhe pengesën që ka patur nga autoritetet shqiptare.
“Kam komunikuar me ambasadën greke në Tiranë dhe më kanë thënë që duhet të marrë leje në policinë shqiptare. Kam kërkuar autorizim tri herë për të shkuar me makinë drejt Greqisë, por nuk kam marrë përgjigje nga policia. Edhe pse janë rregjistruar të dhënat, sërish nuk kam marrë një përgjigje, duke më lënë pezull.
Unë nuk kam asnjë problem të kalojë në tokën greke, sepse këtë garanci ma kanë dhënë autoritetet aty, pasi kam pasaportë greke.
Mund të lëviz lirisht nëse kaloj kufirin shqiptar, por problemi i vetëm është se si do të shkojë unë nga këtu (nga Durrësi) deri në doganën e Kakavijës.
Ndërsa udhëtimi nga kufiri ynë drejt banesës në Athinë është i zgjidhur, sepse kam marrë leje nga autoritetet greke. Më vjen çudi, sepse vetëm dy ditë më parë bëmë sërish aplikim në policinë shqiptare dhe nuk morëm përgjigje. Unë dua të shkojë në shtëpinë time”, ka sqaruar 21-vjeçari, i cili është formuar si lojtar te Panathinaikosi, ndërsa ka qenë edhe kontigjent i Kombëtareve të moshave.
Çështja e Dokos u zgjidh vetëm pas ndërhyrjes së emisionit “Fiks Fare” në Ministrinë e Brendshme që lojtari të merrte leje, duke qenë se ekziston një marrëveshje mes dy vendeve, ku çdo shtetas grek që jeton në Shqipëri mund të riatdhesohet drejt vendin që kërkon të shkojë./ Panorama Sport