AKTUALITET, 9 September 2026, 17:03

Lushnje, 900 ton luledielli mbeten stok në magazina, s’ka treg për shitje! Fermerët: Pa indrustri jemi të falimentuar

Fermerët e Grabjanit janë ndër kultivuesit kryesorë të lulediellit në vend, duke ruajtur ndër vite traditën e kësaj kulture bujqësore. Edhe këtë vit, prodhimi ka qenë i mbarë, por mungesa e tregut të shitjes ka bërë që rreth 900 tonë luledielli i përpunuar të mbetet stok në magazinat, por edhe në banesat e fermerëve.

Në këto kushte, fermerët kërkojnë ndërhyrjen e shtetit si rregullator, jo vetëm për t'u krijuar mundësi të shesin prodhimin e këtij viti, por edhe për të garantuar vazhdimësinë e kësaj kulture në vitet e ardhshme. Një prej fermerëve që prej 35 vitesh merret me kultivimin e lulediellit, Thanas Veliu, kërkon politika konkrete nga Ministria e Bujqësisë për garantimin e tregut dhe zhvillimin e industrisë përpunuese.

Fermerët thonë se zgjidhja nuk duhet të kufizohet vetëm te eksporti, por duhet të përfshijë edhe nxitjen e industrisë vendase të përpunimit të kulturave vajore. Për fermerët, pa një treg të garantuar, kultivimi i lulediellit rrezikon të tkurret edhe më tej, pavarësisht se kushtet e zonës favorizojnë prodhimin e kësaj kulture.