LIFESTYLE, 29 Tetor 2023, 19:41

Ishte ulur me serbin Gjokoviç? Babai i Rita Orës publikon fotografinë nga stadiumi në Paris

Ishte ulur me serbin Gjokoviç? Babai i Rita Orës publikon

Besnik Sahatçiu, babai i yllit botëror Rita Ora, ka publikuar pamje nga një tjetër kënd, nga ku shihet se këngëtarja nuk ishte e ulur afër tenistit serb Gjokoviq.

“Paris 2023, Finalja e Kupës së Botës në Ragbi, Rita dhe Taika duke i mbështetur ekipet”, shkruan babai i Orës në profilin e tij në Facebook.

Postimi i tij erdhi pas kritikave të shumta që mori këngëtarja nga paraqitja e saj në këtë ngjarje sportive, ku u pa në afërsi të tenistit serb Gjokoviq.

Rita Ora u vu sërish dje në qendër të polemikave, pas atyre 5 sekondave ku ajo shfaqet e ulur në krah tenistit serb Novak Djokovic. Të dy kanë qenë duke ndjekur finalen e Rugby-së mes Afrikës së Jugut dhe Zelandës së re e luajtur mbrëmjen e së shtunës në Stade de France në Paris.

Në një moment gjatë pushimit, kamera fokusoi pranë njëri-tjetrit këngëtaren shqiptare dhe në krah të saj tenistin serb. Rita nisi të qeshë dhe bëri me dorë nga kamera ndërsa kampioni i botës në tenis hapi gojën në shenjë habie.



Por shumë shqiptarë të Kosovës kanë mbetur të zhgënjyer nga Rita e cila ka edhe titullin e ambasadores së këtij vendi. Sipas tyre, ajo nuk mund të qëndrojë në krah të një personi që njihet si anti-shqiptar dhe pro-serb. Ata kanë kujtuar se si pak kohë më parë në Grand Slamin e Parisit, ai shkroi “Kosova është Serbi” ndërsa shprehu ngushëllime në rrjetet sociale edhe për 3 serbët e vrarë në Banjskë.

Kujtojmë që Rita u përfshi në një tjetër skandal dhe shkaktoi zemërim tek shqiptarët edhe pasi performoi me një flamur serb gjatë një koncerti në Hungari.

Në sqarimin e saj, Ora deklaroi se nuk ishte në dijeni se ajo po mbante një flamur serb deri në momentin kur u largua nga skena.