TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Një diplomat duhet të ketë kurajo, madje formën më sipërore të guximit, të paktën në ditët tona: këllqet për të shprehur mendimet e tij dhe për t’i thënë “jo” eprorit, kur lypset.
Ky është mësimi boshtor për çdo përfaqësues dhe mbrojtës të interesave të vendit të tij, sipas Pietro Quaronit, një aseti të diplomacisë italiane në shekullin e kaluar, të njohur më gjerësisht edhe për lexuesin shqiptar si autor i botimit të suksesshëm autobiografik, “Valixhja diplomatike”.
Ky leksion duhet t’i shërbente edhe të përzgjedhurit të kryeministrit Edi Rama në krye të diplomacisë shqiptare, Gent Cakajt, i cili në një dalje publike ditën e sotme, u përpoq të mbulojë diellin me shoshë, duke keqlexuar mesazhet boll të qarta të raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR-it për votimet e 30 qershorit.
Në skanimin e përpiktë të ditës së zgjedhjeve, por edhe të periudhës paraprirëse të dokumentuar në raportin përfundimtar, OSBE/ODIHR-i pohoi e zeza mbi të bardhë se partia qeverisëse, që garonte me vetëbesim në një garë pa kundërshtarë, kishte përçudnuar procesin kryepingulthi.
Sipas OSBE-ODIHR “KQZ interpretoi ligjin në mënyrë të paqëndrueshme dhe në një mënyrë tepër të zgjeruar, duke ulur sigurinë juridike”.
Në raport theksohej se gjyqtarët u ndikuan në vendimet e tyre për shkak të kalimit në “filtrin” e vetting-ut. Gjithashtu, raporti vinte në dukje se mospublikimi i dekretit për anulimin e 30 qershorit të presidentit të Republikës, Ilir Meta në Fletoren Zyrtare, është i paligjshëm.
Më tej, për shkak të situatës së pazakontë me zgjedhjet pa garë në 30 qershor, ODIHR specifikonte se “nuk ka dispozita të posaçme për zhvillimin e zgjedhjeve pa kundërshtar dhe nuk ka kërkesë minimale ligjore për pjesëmarrjen e votuesve për vlefshmërinë e rezultatit”. Thënë këto, legjimiteti i votimeve vihet në dyshim.
Ndërsa, sot, duke fyer inteligjencën e një populli të braktisur edhe nga mediat që i janë shitur politikës, Cakaj, më i lëçituri mes shqiptarësh, tjetërsoi sipas lenteve të selisë rozë të vërtetat fshikulluese e të formuluara krejt açik nga OSBE-ja. ”Raporti i OHDIR e cilëson sjelljen e PD dhe LSI, në raport me godinën e Kryeministrisë, si të dhunshme.
Një ditë pas zgjedhjeve më me rëndësi sesa emrat e rinj që janë legjitimuar në këtë proces, ka qenë dëshmia se braktisja e parlamentit nuk mund të përkthehet në avancim institucional. Kësaj radhe kemi pasur shumë më shumë sesa bojkoti nga opozita. Jemi ekspozuar nga një dhunë vandaliste para dhe pas procesit zgjedhor.
Këtë e thotë edhe raporti. Madje kemi pasur tentativa për bllokim të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE. Tashmë me publikimin e raportit, ekziston një opinion se procesi zgjedhor ka qen i rregullt”, tha ndër të tjera ministri për gazetarët.
Të njehsuar me kulturën e “njëshit”, pjesë e trashëgimisë malinje të regjimit komunist, në Shqipëri, sikurse në demokracitë simotra në vendet e Evropës Lindore, bën çudi dhe konsiderohet gati si një skizmë dalja nga “rreshti” (rasti i Arta Dades dhe Ditmir Bushatit) i përvijuar prej kreut të partisë dhe për më tepër prej kryeministrit, që në këto kushte shket gjithnjë e më shumë drejt autoritarizmit.
Në vend që të adaptohen vlerat jetike të demokracive liberale të vendeve të Bashkimit Evropian, një ëndërr që duket të jetë e kyçur në sirtar për disa gjenerata shqiptarësh të zhgënjyer, bëhen prapakthime që ngadalësojnë gjer në lodhje shoqërinë shpresë pakët që po shpopullohet çdo ditë e më tepër nga emigrimi.
“E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” ishte dhe mbetet një thirrje e dëshpëruar, por e njëmendtë. Për së brendshmi, me mjedise partiake demokratike ku kontribuojnë persona me integritet dhe jo rrufjanë të liderit, si edhe për së jashtmi, të integruar në familjen e madhe evropiane. /Lapsi.al