TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Skandali me dëmshpërblimet e rreme në Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS), ku drejtues dhe punonjës të institucionit dyshohen se kanë përdorur dokumente të falsifikuara dhe marrëveshje fiktive për të nxjerrë mbi 1.2 milionë euro nga fondet e sigurimit të automjeteve, po merr përmasa edhe më të mëdha. Prokuroria Themelore në Prizren ka zgjeruar hetimet, duke vënë nën hetim edhe 21 persona të tjerë. Me këtë zhvillim, numri i të dyshuarve në dosje ka arritur në 69. Sipas Prokurorisë, drejtues dhe punonjës të BKS-së dyshohet se kanë përdorur dokumente të falsifikuara, marrëveshje jashtëgjyqësore fiktive dhe transaksione të paligjshme për të miratuar dëmshpërblime që nuk duhej të paguheshin nga fondet e institucionit, duke i shkaktuar një dëm financiar që tashmë ka kaluar 1.2 milionë euro.
Hetimet për këtë dosje nisën në janar të këtij viti, kur autoritetet arrestuan 39 persona, mes tyre edhe ish-drejtorin ekzekutiv të BKS-së, Sami Mazreku, dhe ish-drejtorin e Financave, Valon Berisha. Sipas Prokurorisë, gjatë hetimeve u zbuluan 166 transaksione të dyshimta, përfshirë edhe 25 marrëveshje jashtëgjyqësore fiktive, përmes të cilave persona janë kompensuar nga fondet e BKS-së.
Në zhvillimin e fundit, Prokuroria njoftoi se 21 punonjës të BKS-së po hetohen për veprën penale "Keqpërdorimi i besimit në ndihmë". Sipas autoriteteve, ata dyshohet se kanë mundësuar ose kanë marrë pjesë në transferimin dhe përfitimin e shumave të parave pa mbulesë, në kundërshtim me procedurat e institucionit. Pagesat e dyshuara variojnë nga 2 mijë deri në 53 mijë euro për person, ndërsa vetëm nga veprimet e reja të identifikuara dëmi i dyshuar është rritur edhe me rreth 200 mijë euro.
Paralelisht me hetimin penal, Prokuroria ka zhvilluar edhe një hetim financiar. Si rezultat janë sekuestruar dhe ngrirë 35 prona, mes tyre parcela, apartamente dhe garazhe, të lidhura me tre të dyshuarit kryesorë. Gjithashtu është urdhëruar ngrirja e 21 llogarive bankare të personave nën hetim.