AKTUALITET, 30 Qershor 2020, 11:44

Koronavirusi, shtatë pacientë në terapi intensive dhe tre në intubim

Koronavirusi, shtatë pacientë në terapi intensive dhe tre në


Shtimi i rasteve të koronavirusit në vend dhe numri i pacientëve që humbin betejën me sëmundjen e ka bërë kritike situatën në Infektiv, ndërkohë që specialistët vazhdojnë apelin për të rritur në maksimum kujdesin.

Në deklaratën e sotme për mediat, Ministria e Shëndetësisë, bëri me dije se vijojnë shtrimet në spitalin Infektiv.

“Vijon të ketë shtrime në spitalin infektiv ku aktualisht po trajtohen 79 pacientë, 7 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 3 janë të intubuar”- njoftoi Ministria e Shëndetësisë, duke shtuar se vetëm në 24 orët e fundit, 3 pacientë e humbën betejën me koronavirusin.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, “Pavarësisht rasteve ditore të identifikuara pozitivë, lajmi i mirë është se në 24 orët e fundit janë shëruar 25 qytetarë, duke e çuar në 1459 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë”.

Në vendin tonë aktualisht janë 1014 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës.

COVID-19 – Statistika (30 Qershor 2020)

Testime totale 27034

Raste pozitive 2535

Raste të shëruara 1459

Raste Aktive 1014

Humbje jete 62 (Qarku Tiranë 34, Durrës 11, Fier 5, Vlorë 2, Shkodër 8, Kukës 1, Elbasan 1)