TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
“Është përgjegjësi e qeverisë, e cila duhej ta kishte zgjidhur problemin e zyrave”, tha kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, i cili iu përgjigj pyetjes së gazetarëve në lidhje me mungesën e ambienteve të punës.
Për të, përgjegjës për sigurimin e ambienteve për mbledhjet e Këshillit, si dhe për vonesën e ngritjes së Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, është qeveria dhe politika, e cila duhet të bëjë pjesën e saj dhe të mblidhet për të bërë miratimin e disa akteve ligjore që do t’i hapnin rrugë ngritjes së ILD-së. Kjo e fundit është institucioni që do të disiplinojë prokurorët për shkeljet e tyre, tha Ibrahimi.
Ndërkohë, më herët KLP-ja ka dërguar në Kuvend një kërkesë për akordimin e buxhetit të vitit 2019. Më anë të kësaj kërkese, KLP-ja me ndihmën e EURALIUS-it, ka llogaritur se në funksion të KLP-së do të jenë 75 punonjës dhe se për pagat e tyre dhe për investime të tjera duhet një total prej 215 mijë lekësh për vitin 2019.
NGRITJA E ILD-SË
Nga ana tjetër, Ibrahimi u shpreh se edhe vonesa e ngritjes së ILD-së është një problem që duhet të zgjidhet nga politika, pasi KLP-ja nuk ka në kompetencë të bëjë hetime për shkeljet e prokurorëve. “Këshilli nuk i bën vetë hetimet për shkeljet disiplinore të prezumuara. Ato i bën Inspektori i Lartë i Drejtësisë, institucion që nuk ekziston ende.
Mos merrni mundimin të vini te KLP-ja dhe të kërkoni disiplinë për prokurorët. Është thjesht e pamundur për shkak të mungesës së ligjit dhe kjo është përgjegjësi e Parlamentit. Politika duhet të mblidhet urgjentisht të miratojë ligjin. Është shumë e vonuar. Nëse politika nuk miraton ligjin, nuk ka asnjë mënyrë për të disiplinuar prokurorët e korruptuar, prokurorët e paaftë”, tha Ibrahimi.
PROKURORIA E PËRGJITHSHME
Gjatë fjalës së tij për mediat, kreu i KLP-së Gent Ibrahimi bëri të ditur edhe datën se kur do të hapet gara për të zgjedhur prokurorin e përgjithshëm. Pas tre muajsh nga konstituimi, KLP në datën 19 mars do të hapë garën, ndërsa deri në muajin qershor të këtij viti, sipas tij Shqipëria do të ketë prokurorin, por edhe Strukturën e Posaçme Antikorrupsion. Referuar ligjit, është Këshilli i Lartë i Prokurorisë që do të bëjë thirrjen për paraqitje të interesit për drejtues të Prokurorisë së Përgjithshme.
“Këshilli i Lartë i Prokurorisë, jo më vonë se 4 muaj përpara mbarimit të mandatit të prokurorit të përgjithshëm, shpall thirrjen për paraqitjen e shprehjes së interesit për pozicionin e prokurorit të përgjithshëm. Në rast të ndërprerjes së parakohshme të mandatit të prokurorit të përgjithshëm, procedura fillon menjëherë.
Thirrja shpallet në faqen zyrtare të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, si dhe në dy gazetat më të lexuara në nivel kombëtar ose me lajmërim në mediat audiovizive kombëtare”, thuhet në ligj.
Ndërkohë, ndër kriteret që duhet të plotësohen janë: të kalojnë me sukses verifikimin e plotë të pasurisë dhe figurës së tyre; të plotësojnë kërkesat e ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”; të mos kenë qenë anëtarë, bashkëpunëtorë ose të favorizuar nga Sigurimi i Shtetit përpara vitit 1990; të mos jenë bashkëpunëtorë, informatorë ose agjentë të asnjë shërbimi sekret; të mos jenë dënuar më parë me vendim gjyqësor të formës së prerë, për kryerjen e një vepre penale dhe të mos jenë larguar nga detyra për shkaqe disiplinore; si dhe të mos kenë masë disiplinore në fuqi.
Këshilli do të rendisë tre kandidatët që plotësojnë kriteret dhe më pas do të dërgohen në Kuvend për votim.