LIFESTYLE, 24 Shkurt 2020, 15:15

“Kërkova maskë po s’gjeta”, Rozana Radi ngre shqetësimin për epideminë vdekjeprurëse: S’ka kontrolle të rrepta, a jemi të përgatitur?

Rozana Radi ka shtjelluar në rrjete sociale një temë aktuale, që ka nxitur frikë dhe mosbesim tek shqiptarët, epidemia e Coronavirusit. E shqetësuar për faktin se në Shqipëri ka një mungesë profesionalizmi, dhe mungon pothuajse fare kontrolli në portin e Durrësit, Rozana Radi ngren pyetjen thelbësore: A jemi të përgatitur për të përballuar një epidemi të këtyre përmasve?

Gjithashtu këngëtarja dhe moderatorja Radi shton se mungojnë maskat e specializuara për t’u mbrojtur nga ky virus vdekjeprurës.

“Nuk është vetëm aeroporti i Tiranës! Janë të gjitha pikat kufitare ku duhet të shtohet kontrolli shëndetësor. Është porti i Durrësit ku udhëtarët konfirmojnë që nuk ka kontrolle të rrepta për këtë epidemi. Pyetja është: A jemi të përgatitur për të përballuar një epidemi të këtyre përmasave?”- shkruan Rozana Radi në profilin e saj në rrjete sociale.

Ndërsa bashkëngjitur këtij postimi, këngëtarja shton më tej: “Kërkova një maskë më të perfeksionuar se ajo që mund të vemë për një grip të thjeshtë por nuk e gjeta!

Kush mund të më japë një info më të detajuar se a i kemi ne aksesorët që përdoren në raste të tilla virusesh ? (Nuk flas për maska letre këtu )”.

Situata me koronavirusin është kthyer në alarm edhe në Shqipëri. Vdekja e 6 personave dhe infektimi i mbi 220 të tjerëve në Itali ka ngjallur frikë në vendin tonë, ku janë forcuar kontrollet në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Ministrja dhe qeveria kanë siguruar qytetarët se nuk ka vend për panik, ndërkohë që shkolla “Udha e Shkronjave” u mbyll vetë mbrëmjen e djeshme në Tiranë.