TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Prej katër ditësh, opinioni publik është bombarduar me pretendime se punonjësit e kompanisë “Mabco” po pengohen të hyjnë në ambientet e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Edhe sot, përfaqësues të kompanisë së Behgjet Pacollit deklaruan se po bllokohen në punimet e tyre, duke krijuar perceptimin se po përballen me një pengesë të padrejtë.
Por a qëndron kjo narrativë?
Konflikti mes dy aksionerëve të një projekti strategjik nuk është një çështje private biznesi. Kur bëhet fjalë për aeroportin e Vlorës, i prezantuar si një ndër investimet më të rëndësishme infrastrukturore në vend, publiku ka të drejtë të dijë jo vetëm se kush po akuzon, por edhe se kush ka përgjegjësi.
Dhe pikërisht këtu nis problemi.
Sipas të dhënave të përmendura në dokumente dhe procedura të lidhura me projektin, “Mabco” kishte detyrimin të përfundonte punimet më 3 shkurt 2025. Megjithatë, deri më 8 prill 2026 janë konstatuar 429 ditë vonesa, me një dëm të raportuar prej rreth 4.6 milionë eurosh.
Pra pyetja është e drejtpërdrejtë: kush po pengon kë?
Sepse ndërkohë që kompania pretendon se po përjashtohet nga aeroporti, vetë përfaqësuesit e saj kanë pranuar publikisht se në aeroport mungojnë ende elementë bazikë funksionalë: energjia elektrike, interneti dhe sistemet teknologjike nuk janë plotësisht operative.
Kjo do të thotë se nuk po flitet për një projekt të përfunduar që po mbahet peng nga dikush tjetër. Po flitet për një projekt që sipas pretendimeve dhe dokumenteve të bëra publike, rezulton ende i papërfunduar.
Përplasja mes Behgjet Pacollit dhe biznesmenit Ademi nuk lindi dje. Konflikti mes palëve shpërtheu në vjeshtën e vitit 2025 për administrimin e aeroportit të Vlorës.
Sipas të dhënave, palët kishin nënshkruar një kontratë noteriale, e cila parashikonte rritjen e pjesëmarrjes së “2A Group” nga 2 në 49 për qind. Por kontrata nuk u regjistrua në QKB. Më pas “2A Group” iu drejtua gjykatës, duke çuar në bllokimin e veprimtarisë së “Mabco” në asamble.
Konflikti u thellua edhe më tej me një kredi prej 100 milionë eurosh të marrë nga “Mabco” përmes fondit “Delphos”. Kjo solli një tjetër përballje gjyqësore, ku Ademi kërkoi pezullimin e veprimtarive të ortakut. Më pas Gjykata e Apelit i njohu “2A Group” të drejtën e administrimit, me argumentin se vendimi synonte të shmangte tjetërsimin e aksioneve.
Por kjo histori nuk kufizohet vetëm në një konflikt civil mes ortakësh.
Prokuroria e Tiranës ka nisur hetime ndaj Behgjet Pacollit, Emin Pacollit dhe administratorit të “Mabco Construction S.A.”, Nelson Çela, lidhur me dyshime për vepra penale që përfshijnë mashtrimin me pasoja të rënda, mashtrimin kompjuterik dhe falsifikimin e dokumenteve. Paralelisht, SPAK po heton procedurat e koncesionit të aeroportit dhe rolin e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.
Në këtë panoramë, pyetja bëhet edhe më e fortë.
Nëse ka një konflikt mbi administrimin, nëse ka procese gjyqësore aktive, nëse ka pretendime për vonesa të mëdha në punime dhe hetime të hapura nga organet e drejtësisë, atëherë çfarë po kërkon sot Behgjet Pacolli të paraqesë: një pengim të padrejtë, apo një betejë për të rimarrë kontrollin e një projekti që po zhvillohet nën një mjegull të dendur akuzash, vonesash dhe pikëpyetjesh?