IDE, 21 Maj 2024, 15:50

Eda dhe Alba, fituan edhe mbi çdo paragjykim timin konservator!

Eda dhe Alba, fituan edhe mbi çdo paragjykim timin konservator!

Me Edën edhe Albën kemi jetuar për vite të tëra në një pallat. Shkëmbeheshim shpesh në ashensor, edhe bashkimi i tyre nuk kishte si të mos ishte pjesë e bisedave tona familjare.
Unë pasionante me argumentat e mia të cilat u ngjanin komenteve që sot qarkullojnë në rrjete, mendoja që kjo lidhje ishte kundër natyrës. Por vajza ime atëherë vetëm 12 vjece sfidoi besimet e mia vetëm me një paragraf: “Mam për ty e zakonshmja është norma, ti je e budallallepsur nga e zakonshmja duke diskriminuar si të papranueshme cdo gjë ndryshe. Madje cdo gjë ndryshe ti e klasifikon si zgjedhje të bërë me qëllim për të sfiduar normat morale, shoqërore familjare edhe ligjore”!

U përpoqa ta kundërshtoj duke i thënë që unë isha një adhuruese e shkrimeve të Virginia Wolf, Elizabeth Bishop apo muzikës së Gianna Naninnit të treja homoseksuale, por bashkëbiseduesja 12-vjecare ishte më e ftohtë nga unë.

“Homoseksualët nuk duhen parë kurrsesi si të çrregullt, të sëmurë, të dëmtuar ose të këqij – janë thjeshtë të ndryshëm. Ata kanë lindur në familje; ata duan të jetojnë në një familje; të martohen; të kujdesen për njëri-tjetrin. Ne nuk duhet thjesht të adhurojmë artin e tyre, por duhet që edhe nëpërmjet tij t’i pranojmë si qenie njësoj të vlefshme”.

Ndërsa fillova të lexoj me shumë mbi jetët e tyre mësova se ato kanë përjetuar një diskriminim edhe më të dhimbshëm se racizmi. Diskriminimi ndaj tyre fillon me terrorin emocional dhe përfundon me mosmiratim shoqëror.

Historitë e tyre shpjegonin se të arrish pubertetin dhe ta gjesh veten duke rënë në dashuri me anëtarë të të njëjtës gjini do të thotë të përjetosh një përzierje të zbulimit të vetvetes dhe neverisë ndaj vetvetes që vështirë të largohet nga vetëdija.

Kur një i ri përballet me seksualitetin e tij të ndyshëm, ai është plotësisht i vetëm. Ndërsa një i ri me ngjyrë jeton në një grupim njerëzish të ngjashëm, gjë që e ndihmon atë për të interpretuar, mbështetur dhe shpjeguar emocionet që ndjen kur përballet për herë të parë me paragjykimet racore, një fëmijë homoseksual në përgjithësi nuk ka njeri. Edhe vetë njerëzit të cilëve ai do t’ju drejtohej natyrshëm të parëve, familjes, mund të jenë pikërisht njerëzit e parë që ai ka frikë se do ta paragjykojnë.

Çdo rrugë mbyllet para tij sepse dashuria e tij homoseksuale thjesht nuk është aq e mirë sa dashuria heteroseksuale; se jeta e tij, angazhimet dhe shpresat e tij thjeshtë vlejnë më pak. Sepse fakti që ai është ndryshe e largon atë jo thjesht nga respekti qytetar, por nga ritualet, historitë familiare, si edhe atij i mohohet me ligj bashkimi civil në martesë.

Sepse martesa vazhdon të konsiderohet si një institucion që u përket vetëm heterosekualëve, bazuar në supozimin e pavërtetë se thelbi i martesës është riprodhimi.

Ndërkohë që martesa civile është njohja ligjore e angazhimit emocional dhe ekonomik të dy njerëzve ndaj njëri-tjetrit gjatë gjithë jetës edhe asnjë ligj nuk kërkon që në martesë fëmijët të jenë produkt i domosdoshëm. Sot kur me mijëra çifte heteroseksuale martohen jo domosdoshmërisht me qëllimin për të pasur fëmijë, por si shprehje angazhimi ndaj njëri-tjetrit, mohimi i martesës së homoseksualëve, përveçse si një gjest i pastër i mosmiratimit publik, nuk ka asnjë arsyetim tjetër logjik.

Dhënia e të drejtës së këtyre njerëzve për të pohuar angazhimin e tyre emocional edhe ekonomik nuk e zvogëlon nxitjen për heteroseksualët për të bërë të njëjtën gjë, nuk është aspak kërcënim kundër familjes madje ofron një mundësi që homoseksualët të mos angazhohen të detyruar nga presioni shoqëror në marrëdhënie emocionale të rreme.

Duke jetuar me Edën e Albën edhe dy vajzat e tyre në një pallat kuptova se ato janë një familje si gjithë familjet e qeta të atij pallati, të cilat nuk kërcënuan mbarëvajtjen e asnjë familje heteroseksuale edhe aq më pak zgjedhjet e adoleshentëve heteroseksualë të pallatit tim. Si fillim i injorova. Pastaj qesha me to, e më tej i gjykova sepse ato thjesht kishin vendosur të mos ndiheshin fajtore për orientimin e tyre seksual sikurse unë nuk ndihem fajtore për flokët bjondë.

E pra, në fund ato fituan mbi çdo paragjykim timin konservator!