TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Në vitin 2013, Ilir Meta erdhi në pushtet, bashkë me Edi Ramën, ku Meta drejtonte një parti të quajtur Lëvizja Socialiste për Integrim. Përgjatë vitit që pasoi dhe duke kulmuar në nëntor të vitit 2014, një valë e Enverizmit u shfaq në vend. Enverizmi u ringjall në atë kohë nën justifikimin e shtatëdhjetë vjetorit të çlirimit. Ministrja e Mbrotjes në atë kohë, Mimi Kodheli, firmosi në bllok medalje për të gjithë veteranët e Luftës Nacional Çlirmtare që në ishin gjallë, përfshirë disa që kishin bërë karrierë si xhelatë gjatë kohës së komunizmit. Në Përmet, në maj të vitit 2014, gjatë një ceremonie për 70 vjetorin e Çlirimit, në prani të Ilir Metës si kryetar i kuvendit, çjerrjet “Enver Hoxha – Enver Hoxha” mbytën njëkohësisht kujtimin e partizanëve që luftuan dhe vdiqën për liri, atyre që luftuan për liri por nuk morën pjesë në krimet e komunizmit, si dhe të mijëra dhe dhjetëramijëra shqiptarëve që u persekutuan gjatë regjimit.
Ringjallja e Enver Hoxhës në atë kohë ishte produkt i Edi Ramës dhe Ilir Metës, por më së shumti, i Ilir Metës. Ish-Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Alexander Arvizu, duket se pati forcën ta kundërshtojë me forcë enverizmin me një deklaratë të vetme më 19 nëntor, 2014 [Link]. Ndërsa Spartak Ngjela cilësoi shfaqjen “rastësore” të portreteve të Enver Hoxhës nëpër takimet publike të Ramës e Metës si “filozofi hajdutësh, që s'e ha njeri në Shqipëri!”
Flirtimi i Ilir Metës me enverizmin në atë kohë ishte dukshëm ashtu siç ishte: një përpjekje për të gjetur një justifikim ideologjik për një parti e cila, ndërsa kishte cilësorët “socialiste” dhe “integruese” ishte në fakt asgjë më shumë se sa një makineri elektorale. Dhe në krahasim me etiketimin “hajdut”, etiketimi “enverist” duket se ngjante më dinjitoz.
LSI si simbol i partisë së themeluar mbi patronazhin politik është pothuajse harruar sot për një arsye shumë konkrete: ish-aleati i saj, Partia Socialiste, u bë një parti ku e ku më e korruptuar, një parti që e mbështet suksesin elektoral te keqpërdorimi i admnistratës publike dhe resurseve të saj shumë më tepër nga sa sa LSI mund të ëndërronte.
Por ja ku jemi, në vitin 2024, kur Meta, pasi ka ndryshuar emrin e korporatës së tij në Parti e Lirisë, është kthyer në një konservator të thekur, mbrojtës të familjes, luftëtar të gejve, etj. Madje madje, për paksa u bë edhe prift duke e shpallur veten armik të satanit.
Në një konferencë për shtyp të dielën, ai tha: “Sot jam përpara jush për të dënuar imponimin e pabesë ndaj fëmijëve dhe të rinjve shqiptarë të lakuriqësisë, satanizmit, perversitetit dhe transvestizmit nga ana e Bashkisë së Tiranës dhe Qeverisë “rilindase”, ose e thënë ndryshe nga ana e “Prindit 2” dhe “Prindit 1”, duke u nisur nga një sërë faktet dhe aktivitetesh të koordinuara midis tyre.” [Link]
Ja pra ku mbërritëm: personi që e ka nisur karrierën si sekretar rinie i Partisë së Punës, që u bë kryeministër socialist dhe themeloi një parti që pati në emër integrimin evropian, flirtoi me enverizmin para se të ndiqte rrugën e hapur nga Viktor Orban në Hungari, Robert Fico në Slovaki e të tjerë: Komunistë të kthyer në konservatorë.
Ficos, Orbanit e të tjerëve u ka ecur jo keq ajo që sot njihet si “politikë identitare”, një politikë që i drejtohet ndjenjave të njeriut, fjala vjen, frikës, fobisë, krenarisë apo fodullëkut krahinor a kombëtar, në vend të politikës së arsyes, politikës që argumenton se njëra alternativë qeverisëse është më e mirë se sa tjetra. Në këtë kontekst, Meta nuk duket të ketë shpikur rrotën dhe pyetja nuk është më, “çfarë po bën ai”, por, “sa shanse ka që të ketë sukses” në këtë lloj politike.
Për fatin e keq të Metës, konjuktura politike dhe shoqërore në Shqipëri nuk jep shumë shpresë për sukses. Për shembull, ndikimi që ka diplomacia perëndimore është në përmasa krejt tjetër dhe fakti është që, politika enveriste në vitin 2014 u shfry me një deklaratë të vetme të Arvizut, në mënyrë që shfaqjet rastësore të portreteve të diktatorit në kurrizet e Metës dhe Ramës të mos i liheshin më rastësisë.
Nga ana tjetër, ndryshe nga Hungaria, Polonia e Slovakia, konservatorizmi fetar është shumë më i paktë në Shqipëri. Shqiptarët kanë kultivuar që nga themelimi i shtetit të vet besimin fetar si një çështje personale, një vlerë që gëzohet në respekt të tjetrit dhe pa u përpjekur t'i imponohet tjetrit. Ishin firmëtarët e pavarësisë, mes të cilëve kishte priftërinj, hoxhallarë dhe dervishë shumë të mençur, të cilët e ndanë një herë e mirë këtë punë duke e lënë shtetin mënjanë çështjes së fesë dhe moralitetit fetar.
Dhe për më shumë, ky lloj konservatorizmi moral, jo si vlerë individuale, por si sistem që duhet t'i imponohet shoqërisë, nuk është diçka e re dhe e panjohur për shqiptarët. Shqiptarët e kanë njohur me tepri këtë lloj konservatorizmi dhe e kanë njohur gjatë kohës së komunizmit. Komunizmi shqiptar ishte konservator në kulm. Një mjeke që shkonte në punë me një fund pak mbi gju, mund të kritikohej ashpër nga ndonjë sekretar partie, e madje mund të përfundonte edhe e internuar në ndonjë zonë të largët për sjellje imorale. Dhe dikush që partia donte ta hiqte qafe, mund të përfundonte i akuzuar si “pederast” dhe të dënohej me deri dhjetë vjet burg, (pavarësisht nëse ishte apo jo). Ndërsa një aktor, i cili, për llogari të një roli në teatër apo në kinema duhej të mbante mjekër, pajisej me një leje të posaçme sepse përndryshe ndalohej në rrugë nga policia partiake dhe detyrohej të rruhej, (gjë që i ndodhi një komunisti italian që erdhi në Shqipëri për të zbuluar parajsën socialiste).
Ky konservatorizëm moral i Partisë së Punës nuk ka pse të na çudisë. Moralizmi është një justifikim shumë i fortë për të dhunuar tjetrin për të mbajtur pushtetin dhe, në fund të fundit, siç shpjegon Hannah Arendt, një forcë revolucionare, kthehet në konservatore në ditën që merr pushtetin, pra në rastin konkret, në vitin 1945.
Konservatorizmi moral i komunizmit shqiptar dukshëm ishte ku e ku më ekstrem se sa konservatorizmi i regjimeve komuniste të vendeve të tjera të Evropës Lindore. Arsyet se pse ishte kështu nuk di të jenë studiuar, por ajo që di është që shqiptarët, pasi u çliruan nga komunizmi në vitin 1992, braktisën me një lehtësi të madhe normat morale të komunizmit. Për shembull, ndërsa në shumë vende pati beteja të ashpra politike për të drejtën e abortit, në Shqipëri kjo çështje nuk u diskutua kurrë politikisht, madje edhe në vitin 1995, kur maxhoranca e Partisë Demokratike në parlament dhe presidenti i kohës Sali Berisha miratuan ligjin që vijon edhe sot të mundësojë abort të asistuar në Shqipëri, nuk pati ndonjë segment të rëndësishëm të popullsisë që të skandalizohej. Kjo puna e abortit tregon gjithashtu se, edhe gjatë kohës së komunizmit, konservatorizmi moral ishte propagandë partiake por jo aq shumë realitet shoqëror. Në një vend ku aborti ishte i ndëshkueshëm, dy vjet burg për asistuesin dhe “riedukim përmes punës” për gruan, aborti ishte një realitet i gjithëpranishëm në të gjithë vendin.
Shqipëria është gjithashtu vendi ku, dukshëm për shkak se shqiptarët janë ngopur me ekstremizmin politik të komunizmit, përgjatë tre dekadave të fundit nuk ka pasur ndonjë lëvizje politike ekstremiste të suksesshme. Nuk ka ndonjë ekstremizëm të majtë apo të djathtë të dhunshëm ndërsa ato pak raste të ekstremizmit fetar janë në nivelin e individëve që numërohen me gishtat e dorës. Edhe partitë nacionaliste kanë dështuar vazhdimisht dhe vazhdimisht të marrin ndonjë numër domethënës votash. Sa i përket huliganëve kokëgdhë, shenjat se grupe të tilla po shfaqen në Shqipëri, si në shumë vende të botës, mund të gjenden te grupet e tifozëve të Tiranës apo të Partizanit, e megjithatë edhe këta janë grupe shumë të vockla për të qenë shqetësim.
Në këtë kontekst, mbështetësit potencialë të një politike të tillë duken shumë të paktë. Shqiptarët mundet të mos pëlqejnë komunitetin LGBTQ por nuk është e sigurt se kaq do të mjaftojë që ata të votojnë një politikë homofobe, siç ndodh në vende të tjera evropiane, e aq më pak, që një politikë e tillë të krijojë maxhorancë qeverisëse, siç ka ndodhur në disa vende të Evropës Lindore.
Shënjestra më e afërt e votuesve potencialë të një politike të tillë janë një grup aspak i madh konservatorësh fetarë ungjillorë, të cilët, sipas modelit të grupeve fetare amerikane, janë të gatshëm të mbyllin sytë dhe të mbështesin dikë si Trump, (martuar tre herë dhe akuzuar nga 26 gra si predator seksual), si kampion të konservatorizmit. Edhe në këtë rast, numri i likeve në Facebook mund të mos jetë tregues i shëndetshëm i potencialit elektoral.
Problemi natyrisht që nuk është politika që zgjedh të luajë Meta, apo disa aktorë nga grupi i Rithemelimit. Problemi është se, duke pasur një opozitë të tillë, socialistët po marrin pozicionin e një force politike thellësisht të korruptuar, e gjithsesi, të arsyeshme, ndryshe nga opozita që po struket nëpër cepat e ekstremizmit konservator. Dhe një opozitë që degradon veten si forcë që kërkon votat e minorancave të vogla ekstremiste vështirë se përbën alternativë qeverisëse.
P.s.: Nuk duhet lënë pa vënë re se media dashamirëse me Metën duket se u kujdes që ta pasqyronte deklaratën e tij si një diskutim mbi krimin dhe korrupsionin, duke nxjerrë në titull komentin që ai kishte mbi operacionin e SPAK kundër shtatë grupeve kriminale dhe duke lënë në brendësi të tekstit komentet homofobike. Kjo mund të ketë të bëjë me një lloj vetëdijeje nga ana e Metës se homofobia, ashtu si enverizmi, nuk ka ndonjë të ardhme politike shumë të fortë në Shqipëri./Reporter.al/