TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Mora shkas për këtë shkrim nga një opinion i z. Genc Pollo të datës 8 maj, ku ai mëtonte të rendiste “disa parashtrime duke u mëshuar më shumë fakteve e më pak opinioneve”. Në këtë përgjigje dëshiroj të citoj disa prej fakteve që z. Pollo harron t’i përmendë lidhur me konfliktin izraelito-palestinez, përfshirë pushtimin rreth 57 vjeçar të territoreve palestineze, dhe të shpreh disa mendime lidhur me qëndrimin e duhur të qeverisë e universiteteve shqiptare ndaj këtij konflikti.
Faktet për konfliktin izraelito-palestinez
Fatkeqësisht, z. Pollo nuk citon asnjë fakt konkret në lidhje me përshkallëzimin e konfliktit pas datës 7 tetor 2023 dhe sulmit jodiskriminues të Hamasit dhe grupeve të tjera të armatosura palestineze ndaj Izraelit ku u vranë rreth 1200 veta, shumica civilë, dhe deri më tani raportohen të plagosur rreth 5,400 persona. Ndërkohë, pas mbi 7 muajsh konflikti intensiv, sipas informacionit nga zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (referuar autoriteteve palestineze në Gaza), si pasojë e veprimeve ushtarake nga ushtria izraelite, numri i palestinezëve të vrarë është rreth 35 mijë veta, duke mos përfshirë rreth 10 mijë që raportohen të zhdukur ose nën rrënoja, dhe mbi 78 mijë veta raportohen të plagosur (8 maj, informacioni në https://www.ochaopt.org/content/hostilities-gaza-strip-and-israel-reported-impact-day-215). Pra, ka mbi 120 mijë persona të vrarë dhe të plagosur në Gaza, që përbëjnë mbi 5% të popullsisë, shumica dërrmuese e të cilëve janë civilë. Për krahasim, nqs do ta reflektonim këtë numër për Shqipërinë kjo do të ishte e barabartë me rreth 135 mijë shqiptarë të vrarë apo plagosur brenda 7 muajve. Nuk e di se çfarë cilësimi do të përdorte z. Pollo nqs e njëjta situatë si në Gaza do të ndodhte në Shqipëri?
Njëkohësisht, rreth 60% e ndërtesave në Gaza raportohen të dëmtuara dhe dëmi material është llogaritur nga Banka Botërore në janar 2024 në rreth 18.5 bilion dollarë. Ndërkohë shkatërrimi, vrasjet dhe plagosjet e palestinezëve në Gaza dhe në territoret e pushtuar palestineze, nga ushtria izraelite vazhdon pa ndalur. Për këtë arsye, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) urdhëroi marrjen e masave nga Izraeli për të parandaluar gjenocidin në Gaza në janar dhe mars 2024. Po ashtu, për të mundësuar futjen e ndihmës humanitare dhe lirimin e pengjeve, Këshilli i Sigurimit (KS) të OKB-së me dt 25 mars 2024 urdhëroi armëpushim për periudhën e mbetur të muajit të ramazanit, me mundësinë e zgjatjes së tij, rezolutë që Izraeli nuk e respektoi. Shumë ekspertë të drejtave të njeriut kanë shprehur shqetësimin e tyre për kryerjen e krimeve në masë në Gaza, përfshirë gjenocid. Dhe Gjykata Ndërkombëtare Penale po heton situatën për krime të kryera në Gaza që nga qershori 2014 dhe pritet të dalë me akuza ndaj disa prej liderëve të Izraelit dhe Hamasit. Këto janë disa nga faktet.
Qëndrimi i universiteteve në botë dhe atyre shqiptare
Krimet e kryera në Gaza janë transmetuar direkt në mediat sociale nga ushtarë izraelitë, përfshirë shkatërrimin përmes detonimit të komanduar të universiteteve dhe shkollave. Deri me datën 30 prill 2024, në Gaza janë vrarë rreth 6400 nxënës dhe 300 staf arsimor dhe rreth 625 mijë studentë janë pa mësim prej 6 nëntorit 2023. Duke pasur parasysh shkeljet serioze e të vazhdueshme nga autoritetet izraelite të traktateve të së drejtës ndërkombëtare të drejtave të njeriut, në të cilat Izraeli është palë, duke përfshirë të drejtën për arsimim, qëndrimi parimor që duhet të mbajnë institucionet e arsimit të lartë (IAL) në mbarë botën dhe në Shqipëri është të paktën ngrirja e çdo bashkëpunimi institucional me universitetet izraelite, si dhe disinvestimi nga kompanitë bashkëpunëtore në vazhdimin e pushtimit të paligjshëm të territoreve palestineze prej vitit 1967. Në të njëjtën kohë, të gjitha IAL-të, përshirë ato shqiptare, duhet të mundohen të rritin bashkëpunimin institucional me IAL-të dhe studiuesit palestinezë.
Qëndrimi i qeverisë shqiptare
Shqipëria e ka njohur Izraelin që në prill 1949 (kur Shqipëria nuk ishte akoma pjesë e OKB-së) dhe shtetin palestinez në nëntor 1988, pra mbi 35 vjet më parë. Qëndrimi i Shqipërisë në OKB dhe organizata të tjera e më në përgjithësi ndjek kryesisht pozicionin e Bashkimit Evropian (BE). Së pari, si anëtare jo e përhershme në KS deri në fund të vitit 2023, Shqipëria është munduar që të jetë pjesë e shteteve që janë përpjekur t’i shtyjnë palët drejt një armëpushimi dhe të kërkojë një zgjidhje të përhershme të konfliktit përmes bisedimeve të paqes bazuar në iniciativën arabe për paqen të vitit 2002 dhe të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutat e KS-së dhe të Asamblesë së Përgjithshme (AP). Tani, si pjesë e AP-së të OKB-së, Shqipëria duhet të përpiqet që të ndalojë shkatërrimin e mëtejshëm të Gazës, të mundësojë hyrjen e ndihmave humanitare dhe shpëtimin e popullsisë palestineze nga uria e sëmundjet, dhe të kërkojë me ngulm lirimin e të gjitha pengjeve izraelite nga Hamasi dhe të atyre palestineze që mbahen pa proces ligjor në burgjet izraelite.
Shqipëria ka detyrimin nën Konventat e Gjenevës të vitit 1949 për të drejtën humanitare t’u kujtojë palëve në konflikt, Izraelit dhe Hamasit, se duhet t’i respektojnë ato rregulla me përpikmëri. Po ashtu, Shqipëria ka detyrimin të mos pranojë aneksimin e avashtë të territoreve palestineze përmes vendbanimeve ilegale izraelite dhe vazhdimin e pushtimit izraelit prej vitit 1967 që pengon të drejtën e popullit palestinez për vetëvendosje. Këto janë detyrime ligjore nën të drejtën ndërkombëtare që Shqipëria ka pranuar, dhe të cilat janë shpjeguar në detaje në mendimin këshillimor të GJND-së të vitit 2004 e të cilat do të detajohen më tej në mendimin e dytë këshillimor mbi situatën në territorin e pushtuar palestinez që pritet të jepet nga kjo gjykatë gjatë vitit 2024. Mbetet të shpresojmë se viktimat izraelite e palestineze të këtij konflikti do të gjejnë paqe dhe drejtësi. Të gjitha shtetet anëtare të OKB-së, përfshirë Shqipërinë, duhet të kontribuojnë drejt përfundimit të menjëhershëm të konfliktit të armatosur izraelito-palestinez dhe rikthimit të palëve në tryezën e bisedimeve, në mënyrë që populli palestinez të gëzojë sa më shpejt të drejtën e tij për vetëvendosje, dhe populli izraelit sigurinë e nevojshme.
*Qendra norvegjeze për të drejtat e njeriut, Universiteti i Oslos