TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një specie e re maceje të egër është identifikuar në pyjet e Bolivisë, në një zbulim që konsiderohet i pari i këtij lloji në më shumë se një shekull.
Kafsha, e quajtur “Tilcayo” nga komunitetet lokale, jeton në pyjet Yungas, një zonë malore e mbuluar nga mjegulla dhe me lagështi të lartë. Ajo i përket grupit të maceve tigër, një familje macesh të vogla dhe me pulla që gjenden në Amerikën Qendrore dhe Jugore.
Tilcayo është rreth 46 centimetra e gjatë dhe peshon afërsisht 1,4 kilogramë, duke qenë më e vogël se një mace mesatare shtëpiake. Ka një qime ngjyrë kafe të çelët dhe pulla me forma të parregullta në të gjithë trupin, shkruan A2 CNN. Studiuesit përdorën analizat gjenetike për të konfirmuar se bëhet fjalë për një specie të veçantë, të cilën e kanë emërtuar shkencërisht Leopardus tilcayo.
“Gëzofi i saj është kafe i çelët, me lara me forma të parregullta në të gjithë trupin”, tha Paola Nogales-Ascarrunz, një nga autoret e studimit.
Për momentin, shkencëtarët kanë shumë pak informacion për mënyrën e jetesës së kësaj maceje. Analizat e jashtëqitjes kanë zbuluar mbetje brejtësish, çka sugjeron se ata mund të jenë pjesë e dietës së saj. Sytë e mëdhenj tregojnë gjithashtu se kafsha mund të jetë aktive gjatë natës.
Një nga ekzemplarët e studiuar është një mashkull 10-vjeçar, i cili aktualisht jeton në një strehë për kafshë të egra në Bolivi, pasi më parë ishte mbajtur nga një familje vendase.
Ekipi analizoi ADN-në e 38 maceve të marra në disa vende të Amerikës së Jugut. Rezultatet treguan se macet tigër përbëhen nga pesë specie gjenetikisht të dallueshme. Sipas analizave, linja evolucionare e Tilcayos u nda nga macet e tjera tigër rreth 1,4 milionë vjet më parë.
Studiuesit kanë informuar edhe Bashkimin Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës, IUCN, i cili pritet të vlerësojë veçmas statusin e pesë linjave. Tilcayo mund të klasifikohet si specie e rrezikuar, pasi pyjet Yungas përballen me shpyllëzimin, zgjerimin e bujqësisë, zjarret dhe aktivitetin minerar.
Shkencëtarët paralajmërojnë se zbulimi tregon që ekzistojnë ende specie të panjohura, të cilat mund të zhduken përpara se të identifikohen.

