BALLKAN, 24 Shtator 2018, 10:49

FOTO/ Jeta luksoze e avokates së vrarë në Athinë, lidhja me killerin shqiptar

Pas vrasjes së avokates greke mediat në Greqi kanë dhënë detaje lidhur me jetës e saj luksoze. 33 vjeçarja postonte foto me makina të ndryshme, bizhuteri të shtrenjta dhe udhëtime, kjo ishte pjesë e jetës së Katerina-la Bella Mafia.

Dyshohet se ekzekutimi i saj në Athinë mund të jetë kryer nga vrasës me pagesë për një larje hesapesh mes bandave kriminale, raportojnë mediat greke.

33-vjeçarja greke u gjet e vrarë në garazhin e shtëpisë së saj, ka qenë emër i njohur për policinë dhe e përfshirë në disa vepra penale.

Avokatja kishte lidhje të ngushta me një vrasës shqiptar në Athinë. Ky i fundit, në vitin 2009 ishte paguar 40 mijë Euro për vrasjen e një gruaje. Për këtë ngjarje të ndodhur 9 vite më parë, doli pikërisht emri i 33-vjeçares të vrarë së fundmi, e dyshuar si porositëse, por më pas u lirua.

Shqiptari, në të kaluarën ka qenë i arrestuar edhe për krime të tjera. Ai konsiderohej si i dyshuar për sulmin me acid ndaj një deputeteje greke, Konstantina Kuneva.

33-vjeçarja ka qenë në të kaluarën e akuzuar për vjedhje, drogë dhe përfshirje në organizatë kriminale.

Madje kishte qenë disa herë edhe shënjestër e atentateve. Në vitin 2011, kur ishte 7-muajshe shtatzënë kishte rënë pre e një atentati, por kishte mundur të shpëtonte.

Në garazhin ku u gjet trupi i pajetë i saj, policia mblodhi 16 gëzhoja kallashnikovi. Besohet se është përdorur edhe një armë e dytë në krim, një pistoletë. Hetuesit po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë së zonës për të përcaktuar lëvizjet e vrasësve. Ata dyshojnë se autorët i kishin ngritur pritë dhe e ekzekutuan sapo ajo mbërriti në shtëpi.

Policia helene po vazhdon hetimet për të zbuluar autorin e vrasjes së avokates 33 vjeçare. TPZ.AL