AKTUALITET, 19 October 2026, 10:06

"Familjet e të miturve, paguajnë dëmet"/ Rama: Mësuesit që nxisin nxënësit të dëmtojnë shkollat, nuk kanë për ta parë më derën e shkollës. Studentët dhunues, pa bursa

"Familjet e të miturve, paguajnë dëmet"/ Rama:

Kryeministri Rama duke folur për protestat e dhunshme tha se ata mësues që nxisin nxënësit të dëmtojnë institucionet nuk kanë për ta parë me sy derën e shkollës.

"Po këto të gjitha nuk hyjnë në lupën e lavatriçeve të parave të zeza në media dhe as në gropat e zeza ku fshihen të ardhurat e shqiptarëve, evazion fiskal me miliona e miliona euro, sepse ato janë aty për ta sjellë ditën e gurit dhe të hurit, me gjithfarë shpifjesh dhe me një tam-tam të përditshëm, të përditshëm e të përditshëm, duke i rrokur kokën të gjithë dynjasë për t'i thënë që çdo pakënaqësi që ju krijohet vjen nga ata atje që po ju vjedhin të gjitha çdo ditë.

Mësues, mësues që marrin nxënësit dhe i nxjerrin nga shkolla dhe u thonë: "Bini xhamave të shkollës", siç ndodhi në Lezhë.

Ajo mësuese dhe ata mësues nuk kanë për ta parë më derën e shkollës dhe nuk do të marrin më asnjë lloj roli si punonjës të shtetit, kurrë më në shtet.

Si mundet një mësues t'i thotë nxënësit të thyejë xhamin e shkollës? Çfarë është kjo lëvizje për ta bërë Shqipërinë më të mirë, më europiane, më demokratike, më njerëzore?", tha Rama.

Rama: Familjet e të miturve që dhunojnë do paguajnë dëmet! Studentët që sulmojnë policët s'do kenë arsim falas e bursa

Kryeministri  Edi Rama paralajmëroi se familjet e të miturve që marrin pjesë në aktet e dhunës gjatë protestave do të mbajnë përgjegjësi financiare për dëmet e shkaktuara, nëse nuk marrin përgjegjësinë për fëmijët e tyre. Rama tha se edhe studentët që lënë shkollën për të sulmuar efektivët e Policisë do të përballen me pasoja administrative, duke paralajmëruar se nuk do të përfitojnë më arsim falas, bursa apo mbështetje financiare nga shteti.

"Kush i është vënë në dispozicion këtij plani ogurzi, do të paguajë. U them të gjitha familjeve të atyre të miturve: Do të paguani në rast se nuk do të mbani përgjegjësinë tuaj për ata fëmijë, në rast se nuk dini ju t'i mbroni fëmijët tuaj dhe i lini rrugëve, nga 15, 14, 13 apo 16 vjeç, që të marrin rolin e mburojës së atyre të tjerëve që janë mbrapa. Atëherë, fatura financiare për të gjitha këto dëme do t'ju përndjekë deri në fund.

U them të gjithë atyre të tjerëve që ikin nga shkolla për të dhunuar Policinë, që nuk do të kthehen në shkollë normalisht, pa pasoja administrative për këtë. Nuk do të kenë arsim falas. Ata studentë që dalin dhe dhunojnë Policinë e Shtetit nuk do të kenë bursa, nuk do të kenë mbështetje financiare nga shteti.

Nëse duan të vazhdojnë universitetin, pasi kanë hedhur gurë ndaj prindërve të fëmijëve të tjerë të Shqipërisë, që janë fëmijët e efektivëve të Policisë apo që janë fëmijët e kujtdo që është në anën e shtetit, asnjë kokërr leku nuk do të marrin ata nga taksat e shqiptarëve, për asgjë.

Sepse me taksat e shqiptarëve do të riparojmë trotuaret, me taksat e shqiptarëve do të riparojmë semaforët, me taksat e shqiptarëve do të riparojmë kamerat që ata shkatërruan, tabelat, stolat. Me taksat e shqiptarëve do të zëvendësojmë pemët.

Nuk do të paguajmë nga taksat e shqiptarëve për ca djem dhe vajza që kujtojnë se u bë deti kos për Antifa-n dhe për gjithë çfarëdolloj delirantësh.

Edhe për gropën e madhe të fshehjes së të ardhurave të shtetit, News24, pronari i së cilës duhet të jetë përpara drejtësisë dhe për të cilin janë kapicë dosjet për evazion fiskal me miliona e miliona euro, dhe të cilit Prokuroria e Tiranës i ka dhënë imunitet, apo për lavatriçen e parave të zeza, Syri-n, burimet e propagandës më të shëmtuar kundër Policisë së Shtetit.

Si do t'i dorëzohet shteti, si do t'i dorëzohet qeveria, si do t'i dorëzohet Parlamenti, si do t'i dorëzohet Shqipëria këtij vulgariteti, kësaj të keqeje, këtyre që qajnë për studentët, këtyre që duan arsim më të financuar dhe që të tërë... Më saktë, ndjesë për futjen e të gjithëve në një thes, se s'janë të gjithë në një thes, por shumica e tyre marrin paratë nën dorë, grabisin pensionet, nuk deklarojnë të ardhurat, sepse janë të ardhura nga paratë e zeza për të bërë analiza dhe deklarojnë sikur janë punonjës në fason, dhe pastaj u qajnë hallin punonjësve në fason.

Ju qajnë hallin pensionistëve, duan më shumë për pensionistët dhe nuk kanë zemër që të kontribuojnë të paktën me tatimin mbi pagën e tyre të vërtetë në të zezë", tha Rama. 

Rama për protestuesit e maskuar: Adhurojnë dhunën dhe kaosin, kanë nevojë për psikolog 

Kryeministri Edi Rama i cilësoi protestuesit e maskuar si njerëz që adhurojnë dhunën, molotovët dhe kaosin, ndërsa tha se ata kanë nevojë për psikolog.

"Nuk ka dalë të himnizojë dhunën, gurin, drurin, hurin e një mase kapuçzinjsh të maskuar, pas të cilëve nuk ka studentë, pas të cilëve nuk ka të reja dhe të rinj që duan një Shqipëri më të mirë, por ka vetëm qorra, njerëz pa shkollë, njerëz që nuk dinë as nga vijnë, as ku shkojnë, viktima të shumëçkaje, të cilët adhurojnë këtë, adhurojnë molotovin, adhurojnë ato llastiqet me vida, me të cilat godasin kafkat e policëve, adhurojnë rrëmujën dhe kaosin.

Dhe pastaj u turren dyqaneve si brumbuj që brejnë jetën, brejnë djersën, brejnë gjakun e familjeve që jetojnë me ato dyqane.

Si mund të përkrahet, si mund të himnizohet, si mund të adhurohet kjo masë, e cila ka nevojë për psikolog, e cila ka nevojë për t'u trajtuar nga shoqëria si një masë njerëzore vajzash dhe djemsh që vijnë nga periferitë për të shkatërruar qendrën dhe që kanë brenda të gjitha keqkuptimet e mëdha të një kohe kur shohin në ekranin e telefonit se si disa të tjerë e disa të tjera, që jetojnë me online-in dhe marrin e bëjnë nga dhjetëra mijëra euro në muaj pa paguar asnjë taksë, mund të hanë e të pinë, të vishen e të jetojnë në luks.

Dhe ata pastaj përdoren nga këto forca të tjera, nga Antifa, nga shërbime të huaja dhe nga armiqtë e Shqipërisë", tha Rama. 

"Shoqëria shqiptare nuk mund ta tolerojë këtë flamë vulgariteti"

Kryeministri Rama po mban një takim me drejtuesit e Policisë së Shtetit.

"Rezistenca juaj i bën nder Republikës. Pashë dje një police, që kishte një tjetër vajzë, të veshur e të mbathur nga koka te këmbët si e dalë nga Instagrami e me kufje në vesh, që i kthehej vajzës me uniformë me fjalor rrugaçëror, prej burrash të dehur. Ja simbolet e protestës. Shoqëria shqiptare nuk mund ta tolerojë këtë flamë vulgariteti. Dua të shpreh solidaritet me të gjithë efektivët dhe familjet e tyre”, u shpreh Rama.

Rama: Si mund të jenë studentë ata që duartrokasin djegien e një polici? 

Kryeministri Rama thotë se këta që po përmbysin  vendin nuk mund të jenë studentë

“Kjo nuk është revoltë për arsimin. Ishin 20 mijë nxënës, e bllokuan i bllokuan universitetet, e bllokuan mësimin, por ishin paqësorë dhe kishin kërkesa për universitetin. Çfarë studentësh janë këto? Si mund të jenë studentë këta që adhurojnë gurin, që duartrokasin djegien e policit, me djegien e bizneseve, që duartrokasin djegin e bankave, si mund të jenë studentë. Këta nuk janë studentë. Këta nuk ka si të jenë studentë, edhe pse mund të jenë regjistruar në shkollë. Vullneti i popullit do kthehet përmbys?”, tha Rama.

Rama: Si mund të jenë këta zëri i së ardhmes? Kostoja e jetesës nuk ulet duke djegur e shkatërruar! Me taksat e kullave ndërtohen shkolla e banesa sociale 

Kryeministri Edi Rama kritikoi protestuesit e dhunshëm, duke pyetur se si mund të jenë ata zëri i së ardhmes, kur djegin e shkatërrojnë. Rama tha se kostoja e jetesës nuk ulet duke djegur makina e sulmuar biznese, ndërsa theksoi se nga taksat e kullave ndërtohen shkolla dhe banesa sociale.

Pashë dje një vajzë nën uniformë, e cila ruante shtetin në bulevard. Kishte përballë një tjetër vajzë, të veshur e të mbathur nga koka te këmbët si e dalë nga Instagrami, edhe me kufje në vesh, që i drejtohej vajzës nën uniformë me një fjalor rrugaçëror prej burrash të dehur. Një nga simbolet e protestës.

Si mund të jemi ne, si mund të jetë shoqëria shqiptare sot e gatshme ta justifikojë, e jo më ta tolerojë, këtë flamë vulgariteti?

E dinë mirë drejtuesit këtu se çfarë lexojnë në ato rrjetet e tyre të brendshme, se çfarë gjuhe: "Hajde sot do djegim gjithë pemët e Tiranës. Hajde sot do shkatërrojmë gjithë makinat e Tiranës".

Si mund të jenë këta zëri i së ardhmes? Si mund të jenë këta thirrja e diçkaje të re?

Këta ulin koston e jetesës? E dimë të gjithë shumë mirë dhe besojeni që e dimë, po aq sa dini ju, edhe pse ju e keni në të përditshmen tuaj më shumë sesa unë, peshën e kostos së jetesës.

Po do të ulet kostoja e jetesës duke djegur e duke shkatërruar? Do të vijnë paga më të mira duke thyer banka e duke djegur makina? Do të ketë strehim më të përballueshëm duke sulmuar bizneset dhe duke sulmuar kullat?

"Hajde të shkojmë", thoshin, "të shkatërrojmë edhe dje kokën e Edi Ramës atje", se e kanë bërë edhe kokën time atë godinën atje.

Po e dinë, nuk e dinë se sa taksa paguhen për ta ndërtuar atë godinë? E dinë? Jo, nuk e dinë.

Që me taksat e asaj godine dhe me përqindjen që nga ajo godinë del për strehim, ndërtohen pesë shkolla të reja. Pesë shkolla të reja ndërtohen!

Janë 3 milionë euro taksa dhe 3% shkon për strehim, që janë 18 apartamente për njerëzit që kanë nevojë për një strehim të përballueshëm dhe social.

Si dalin taksat? Nga dalin? E kanë bërë ndonjëherë llogarinë këta se si financohen të gjitha këto që ndërtohen në Tiranë? Shkolla, rrugë, trotuare, semaforë, pemë që mbillen dhe të gjitha, të gjitha me radhë.