TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Më pak se 24 orë para se Kuvendi të mblidhet në seancë plenare për të votuar propozimin e Partisë Socialiste për hartën e re territoriale, kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili ndodhet në paraburgim që prej tetorit të vitit 2024, u ka bërë thirrjen e fundit deputetëve që të mos japin miratimin për draftin.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meta ka shkruar se nesër është një ditë vendimtare për t’i thënë “ndal” shpopullimit të Shqipërisë përmes Reformës Territoriale, të cilën ai e ka cilësuar si akt diktatorial.
Në vijim të reagimit të tij, Meta ka theksuar se “injorimi dhe përbuzja nga mazhoranca e refuzimit të 15 bashkive, këshillave bashkiakë, këshilltarëve dhe qytetarëve është një akt i pabesë.”
Sipas Metës, cilido deputet që voton pro reformës së re territoriale, emri i tij do të shënohet në librin e turpit të historisë.
Reagimi i Metës:
“Nesër është një ditë vendimtare për t'i thënë NDAL hapit kriminal të shpopulimit të vendit përmes një akti dikatorial që e quajnë gjoja reformë territoriale.
Injorimi dhe përbuzja e refuzimit të 15 bashkive, këshillave bashkiakë, këshilltarëve dhe qytetarëve është një akt i pabesë, mafioz dhe armiqësor, që synon shpërnguljen e këtyre komuniteteve, shpopullimin dhe zbrazjen e këtyre zonave për t'u grabitur nga Qeveria dhe për t'jua dhënë më pas pastruesve të parave të pista, klientë dhe mbështetës të saj.
Ky është një akt që dhunon dhe shkel në mënyrë flagrante Kushtetutën, Kartën Europiane për Vetëqeverisjen Lokale dhe injoron zërin e komuniteteve ndaj vetëm duhet përbuzur dhe refuzuar.
Tani, kur është bërë publik dhe paralajmërimi se pas këtij akti do të ketë edhe një tjetër ndarje territoriale pas 4 vitesh, përgjegjësia e çdo deputeti, që voton për të instaluar më tej këtë diktaturë, bëhet edhe më e rëndë.
Nesër cilido deputet që voton pro shpopulimit, emri i tij do të shënohet në librin e turpit të historisë.”