AKTUALITET, 14 September 2026, 18:26

Diaspora4Innovation: Nga ekspertiza e diasporës te partneritetet afatgjata

Më 10 dhe 11 shtator 2026, në Piramidën e Tiranës, u mbajt Konferenca Diaspora4Innovation, e cila mblodhi akademikë nga diaspora dhe Shqipëria, drejtues universitetesh, profesionistë, sipërmarrës, studentë, përfaqësues të institucioneve publike dhe partnerë ndërkombëtarë.

Gjatë dy ditëve, pjesëmarrësit prezantuan rezultatet e projektit dhe diskutuan se si ekspertiza e diasporës mund të kthehet në bashkëpunim të strukturuar dhe afatgjatë me universitetet, institucionet dhe ekosistemin e inovacionit në Shqipëri. Panelet dhe sesionet trajtuan bashkëpunimin akademik, përshtatjen e arsimit të lartë me tregun e punës, edukimin për sipërmarrjen, kërkimin shkencor, inovacionin dhe modelet ndërkombëtare të angazhimit të diasporës.

Diaspora4Innovation nisi në maj 2024, me nënshkrimin e një memorandumi bashkëpunimi ndërmjet GIZ Albania, GERMIN dhe 11 universiteteve shqiptare. Projekti angazhoi 11 akademikë nga diaspora dhe 15 akademikë nga universitetet në Shqipëri, ndërsa 22 profesionistë të diasporës ofruan mentorim dhe mbështetje për sipërmarrësit dhe institucionet e arsimit të lartë. Përmes kësaj nisme, 14 kurse universitare u zhvilluan dhe u pasuruan me përfshirjen e akademikëve nga diaspora, duke përfituar 554 studentë. Gjithashtu, 71 startupe shqiptare, prej të cilave 44 të themeluara nga gra, përfituan nga mentorimi dhe ekspertiza profesionale.

Konferenca shënoi përmbylljen e ciklit të projektit, por jo të bashkëpunimeve të krijuara. Lidhjet mes akademikëve, profesionistëve, universiteteve dhe sipërmarrësve krijuan bazën për partneritete që synojnë të vazhdojnë edhe pas përfundimit të projektit dhe ta bëjnë ekspertizën e diasporës pjesë të zhvillimit të arsimit, sipërmarrjes dhe inovacionit në Shqipëri.

Diaspora4Innovation zbatohet nga GERMIN dhe mbështetet nga EU4Innovation. Në emër të Bashkimit Evropian, Gjermanisë dhe Suedisë, EU4Innovation mbështet GERMIN-in në forcimin e qarkullimit të njohurive dhe ekspertizës së diasporës shqiptare në nivel vendor.