AKTUALITET, 14 September 2026, 18:17

Alarmi për bombë në shkollën “Edith Durham”, Koçiu: Një çmenduri e mirëfilltë kriminale

Një alarm për bombë në shkollën “Edith Durham” në Tiranë ka shkaktuar shqetësim dhe panik, duke vënë në lëvizje autoritetet e sigurisë.

Për ngjarjen ka reaguar zv.kryeministrja dhe ministrja e Arsimit, Albana Koçiu, e cila e ka dënuar ashpër këtë veprim.

Koçiu e cilësoi alarmimin për bombë si një “çmenduri të mirëfilltë kriminale”, duke theksuar se raste të tilla nuk mund të konsiderohen si shaka, pasi cenojnë sigurinë e nxënësve, mësuesve dhe prindërve.

Sipas saj, dhënia e një alarmi të rremë për një mjet shpërthyes krijon panik të panevojshëm dhe detyron institucionet të ndërmarrin masa të menjëhershme sigurie. Zv.kryeministrja theksoi se liria e shprehjes nuk mund të përdoret si justifikim për veprime që rrezikojnë sigurinë publike.

Ajo kërkoi që autoritetet të zbardhin sa më shpejt rrethanat e ngjarjes dhe përgjegjësit të përballen me pasojat ligjore.