TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Agim Fili para çadres ku banon prej 6 muajsh | Foto : G. Kabashi
Bashkëshortët e sëmurë vazhdojnë të jetojnë në çadër, ndërsa çdo mëngjes Midja, e zonja e shtëpisë, e hap dykanatësh derën e banesës së shkatërruar nga tërmeti. “Tani kam filluar ta harroj se si ka qenë nga brenda, por nuk mund të rri pa e parë çdo ditë,” thotë Midja. Shumica e fshatarëve gjatë pranverës i kanë mbjellë bahçet, duke siguruar perimet e stinës. Në Gjuricaj janë shënuar vetëm tre raste infektimi me COVID- 19 dhe puna në ara nuk është penguar siç ndodhi me ndërmarrjet në qytet. “Kemi punuar dhe kemi goxha prodhime,” dëshmon për BIRN, Ylli Tema, “por medet, fiqtë e pemishtes sime po qelben, pasi nuk i merr kush.” Nga fshati Gjuricaj është më e lehtë të shkosh në Tiranë me makinë, por herë për mungesë organizimi e herë për çmimin e ulët që ofrojnë tregtarët e shumicës prodhimi i pjeshkave, dardhave, mollëve e fiqve, mbetet në degë. “Ja, si thu ti,” më drejtohet Ylli. “Ai zotëria i shumicës e do qumështin me 25 lek për litër, kurse unë një bidon uji me një gjysëm litri ujë duhet ta blej në dyqan 50 lek, pra sa katërfishi i një litri qumësht. Po jo mor zotri! – e mbyll ai diskutimin e tij. Isuf Shehu ka qenë drejtor shkolle në Ishëm dhe tani vjen thuajse çdo ditë nga Durrësi në fshatrat ku ka punuar për shumë vite. Për muaj me radhë, bashkë me një grup vullnetarësh ai ka ndërmjetësuar me fondacionet e huaja për ti adresuar ndihmat e çdo lloji te familjet që kanë më shumë nevojë. “Sapo ishim riorganizuar për të ruajtur dhe promovuar burimet natyrore të zonës.” tregon Isufi, “kur ia behu në fillim tërmeti e pas tij edhe pandemia”. Shtatë shoqatat e grupuara në një të vetme janë pagëzuar me emrin “Ishmi”, duke punuar si vullnetarë në terren, por meraqet e tyre me kalimin e kohës janë rritur. Kanë kaluar gati shtatë muaj, dhe deri tani janë shëmbur me qëllim rindërtimi tre shkolla në Ishëm, Gjuricaj dhe Shkafane, e po ashtu edhe spitali. “Nuk është rindërtuar deri tani asnjë godinë publike, e dëmtuar nga tërmeti,” thotë Veprimi, një nga veprimtarët e shoqatës, dhe shton: por ndërtimet në bregdet ama, nuk kanë pushuar asnjë çast”. Megjithëse janë të shqetësuar kryesisht për bashkëfshatarët e tyre të pastrehë, Isufi dhe Veprimi, nuk e ndjejnë veten mirë kur flitet për ndërtimet e pafund që kanë kapluar bregdetin e Lalzit, si dhe kodrat e kepit të Rodonit. “Në vend që të ndërtojnë vend e pavend, do të bënin mirë të pastronin lumin e Ishmit, i cili transporton shumicën e papastërtive të kryeqytetit,” thotë i revoltuar Veprimi. Më përpara pinim ujë në atë lumë, kurse tani duket sikur në det derdhen ujrat e zeza,” shprehet ai. “Megjithëse flitet për transparencë, nuk na ka pyetur askush për godinat e fshatrave turistikë, hoteleve dhe resorteve, që po ndërtohen masivisht në pjesën më të bukur të këtij bregdeti,” ndërhyn Isufi, i cili parashikon se në të ardhmen do të krijohet një hendek i madh mes fshatrave me probleme mbijetese nga një anë, dhe lagjeve të reja të bregdetit, ku po strehohen për pushime familjet që kanë mundësi ekonomike të mira.
Familja e Ylli Temës në vreshtë | G. Kabsashi
Isufi ka besim vetëm te njerëzit e mirë, siç i quan ai. “Ja shih Marin Memën – më thotë pastaj. Edhe ndihmat i ndau në familjet që kanë më shumë halle, por edhe planin për ndërtimet e reja e ka bërë siç duhet,” shton mësuesi në pension. Thuajse të gjithë ata që kanë smartfonë këtu në Ishëm e kanë ruajtur në telefon videon e projektit që ka përgatitur fondacioni i Marin Memës për 45 shtëpitë e reja. “Do të ndërtohet aty ku ka qenë pylli me dafina, në krah të rrugës që zbret nga Lalëzi në drejtim të Shkafanes,” tregon me dorë Veprimi. Do ta kishim lënë Ishmin pas me përshtypjen pozitive që të krijon projekti i fshatit të ardhshëm, ku është parashikuar edhe një memorial për Ibrahim Kodrën, piktorin e shquar që u nis nga Ishmi për ti dhënë emër vendit të tij në Evropë. Por nuk qe e thënë. Një burrë i moshuar që dukej sikur e kishte pritur makinën e Veprimit gjithë ditën, kaloi nga ana tjetër e rrugës më disa letra në duar. Ishmakët zbritën të gjithë nga makina, për të më treguar më pas hallin e Valentin Gjikës. “Ky i shkreti i ka OSSHE-së një borxh të papaguar prej 1,7 milion lekësh të vjetra,” thotë Veprimi, duke e vënë në lëvizje përsëri automjetin e tij. Valentini Gjika ka nënshkruar një kontratë me OSSHE që të paguajë me [do faturë mujore personale edhe 1 mijë lek të reja plus për të shlyer borxhin e vjetër. Shtëpinë e tij e shkatërroi tërmeti dhe tani aty nuk banon askush – tregon Veprimi, por faturat nga 2-3 mijë lek i vijnë rregullisht, ndërsa ai jeton me prindërit 85-vjeçarë dhe të shoqen me trompozë në çadër. “Jetojnë pesë vetë me dy pensione, edhe pagesa e korrentit u duhet. Prandaj them unë: ka halle e halle,” e mbyll Veprimi tregimin e tij për familjen nga fshati Shkafane. / BIRN - Reporter.al/