BOTA, 16 Shtator 2023, 20:20

VOA zbardh 'prapaskenat': Në OKB, presidenti Biden do të bëjë thirrje për mbështetjen e Ukrainës

VOA zbardh 'prapaskenat': Në OKB, presidenti Biden do të

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden shkon në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork javën e ardhshme, ku ai do të përpiqet të konsolidojë mbështetjen ndërkombëtare për Ukrainën. Por, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara, shumë vende të pjesës jugore të globit kërkojnë të tërheqin vëmendjen drejt sfidave të zhvillimit dhe krizave të tjera ndërkombëtare. Pas vizitës së tij historike në Vietnam dhe takimit të 20 vendeve më të zhvilluara të botës në Indi, Presidenti Joe Biden do të angazhohet përsëri me udhëheqësit botërorë, kësaj radhe në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Ai pritet të kërkojë mbështetje për Ukrainën, siç bëri vitin e kaluar.

“Kjo luftë synon të shuajë të drejtën e Ukrainës për të ekzistuar si shtet, dhe të drejtën e Ukrainës për të ekzistuar si popull”, tha Presidenti Biden gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, vitin e kaluar. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky planifikon të marrë pjesë në takimin e këtij viti në kërkim të mbështetjes për vendin e tij. Ai do të takohet me Presidentin Biden në Shtëpinë e Bardhë të enjten. Megjithëse Ukraina është shqetësimi kryesor, Presidenti Biden do të merret edhe me shqetësimet e hemisferës jugore, duke përfshirë krizën e klimës, varfërinë dhe gjendjen e refugjatëve.

“Këto janë çështje të lidhura sepse agresioni rus në Ukrainë ka shkaktuar pasoja që ndikojnë në sigurinë ushqimore, energjetike dhe dëme të tjera për vendet në mbarë botën. Përfundimi i kësaj lufte në mënyrë të drejtë, mbi parimet e sovranitetit dhe integritetit territorial, do t’i shërbente jo vetëm popullit ukrainas, por popujve kudo”, thotë Jake Sullivan, Këshilltari amerikan i Sigurisë Kombëtare. Zoti Biden planifikon gjithashtu të takohet me udhëheqësit e Kazakistanit, Kirgistanit, Taxhikistanit, Turkmenistanit dhe Uzbekistanit. Udhëheqësi kinez Xi Jingping u takua me krerët e Azisë Qendrore në fillim të këtij viti.

“Ne nuk e shohim këtë si konkurrencë me Kinën për ndikim në këto vende. Ne e shohim atë si forcimin e një marrëdhënieje që tashmë e kemi”, thotë Linda Thomas-Greenfield, ambasadore e Shteteve të Bashkuara në OKB. Presidenti Biden do të zhvillojë takime dypalëshe me disa udhëheqës botërorë, përfshirë me presidentin e ardhshëm të G20-ës, Presidentin brazilian Lula da Silva. Ai do të takohet edhe me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu. SHBA-ja ka kritikuar politikat e vijës së ashpër të qeverisë së zotit Netanyahu, përfshirë planin për reformat në gjyqësor, për të cilin kritikët thonë se është rrezik për demokracinë e Izraelit./ VOA