BOTA, 14 Qershor 2025, 21:24

VIDEO/ Izraeli godet fushën gjigante të gazit në Iran, shpërthime dhe tym në ajër

VIDEO/ Izraeli godet fushën gjigante të gazit në Iran,

Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë fushën e gazit South Pars në Iran, depozitën më të madhe të gazit natyror në botë, pas një sulmi të dyshuar me dron nga Izraeli, raportojnë mediat shtetërore iraniane.

Pamje që qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë flakë të mëdha dhe re të dendura tymi në provincën jugore Bushehr, ku ndodhet kjo strukturë strategjike. Sipas Ministrisë iraniane të Naftës, objektiv i sulmeve kanë qenë faza 14 e South Pars dhe kompania Fajr Jam, e specializuar në rafinimin e gazit.

Ky është raportimi i parë për sulme direkte të Izraelit ndaj infrastrukturës energjetike iraniane, duke përbërë një përshkallëzim të rrezikshëm të krizës në rajon. Burime të sigurisë në Teheran dyshojnë se sulmet janë kryer nga dronë të vegjël dhe të avancuar, që arritën të depërtojnë pa u zbuluar.

Autoritetet iraniane janë në gjendje gatishmërie, ndërsa ende nuk ka të dhëna zyrtare për viktima apo përmasat e plota të dëmeve materiale.

Situata mbetet e tensionuar, me thirrje ndërkombëtare për vetëpërmbajtje dhe shmangie të një konflikti më të gjerë në Lindjen e Mesme.