BOTA, 3 Shtator 2025, 16:00

SHBA intensifikon luftën kundër karteleve të drogës, Hegseth: Operacionet ushtarake nuk do të ndalen

SHBA intensifikon luftën kundër karteleve të drogës,

Sekretari i Mbrojtjes së SHBA-ve, Pit Hegseth, ka deklaruar se operacionet ushtarake kundër trafikantëve të paligjshëm të drogës do të vazhdojnë, pavarësisht sulmit të fundit ndaj një anijeje që kishte nisur nga Venezuela.

Forcat e armatosura amerikane kanë shkatërruar një mjet lundrues që transportonte drogë dhe që kishte origjinën nga Venezuela, duke vrarë 11 persona të cilët SHBA i cilëson si “narkoterroristë”, sipas deklaratës së bërë të martën nga presidenti amerikan Donald Trump.

Operacioni është pjesë e një fushate më të gjerë në Karaibe, e cila është kundërshtuar nga autoritetet venezueliane.

“Ne kemi në dispozicion mjete ajrore, nënujore dhe detare, sepse kjo është një mision shumë serioz për ne dhe nuk do të ndalet me këtë sulm të vetëm,” deklaroi ministri Hegseth për Fox News.

“Kushdo tjetër që kapet duke trafikuar drogë në këto ujëra dhe që është i njohur si narkoterrorist, do të ketë të njëjtin fat,” shtoi ai.

Uashingtoni ka vendosur së fundmi të paktën shtatë anije luftarake në rajonin e Karaibeve, duke e konsideruar këtë si pjesë të një operacioni ndërkombëtar kundër trafikut të drogës. Presidenti Trump ka akuzuar presidentin e Venezuelës, Nikolas Maduro, dhe anëtarë të qeverisë së tij, se udhëheqin një “kartel droge”.

Nga ana e tij, kreu i diplomacisë amerikane, Marco Rubio, deklaroi në platformën X se operacioni u zhvillua “në jug të Karaibeve” dhe kishte në shënjestër një mjet lundrues që kishte nisur nga Venezuela.

Tensionet mes Uashingtonit dhe Karakasit po përshkallëzohen. Sipas raportimeve të mediave, SHBA ka vendosur një flotë luftanijesh përballë brigjeve të Venezuelës, si pjesë e një operacioni për të ndaluar trafikun e drogës që kalon përmes kësaj republike të Amerikës Latine.

Kjo lëvizje vjen disa javë pasi SHBA rriti në 50 milionë dollarë shpërblimin për kapjen e presidentit Maduro, të cilin e quan “udhëheqës të arratisur të një karteli droge”.

Një zyrtar tjetër i Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-ve theksoi se shtatë anije luftarake amerikane, përfshirë tre anije zbarkimi, janë aktualisht në Karaibe, ndërsa një tjetër anije ndodhet në Oqeanin Paqësor si pjesë e të njëjtit operacion.

Presidenti Nikolas Maduro e ka përshkruar këtë ndërhyrje si “kërcënimin më të madh për ekzistencën e Venezuelës gjatë 100 viteve të fundit”. Ai paralajmëroi se në rast të ndonjë përpjekjeje nga ushtria amerikane për “ndryshim të regjimit”, Venezuela do të rezistojë.

“Tetë anije luftarake me 1.200 raketa dhe një nëndetëse bërthamore kanë vënë në shënjestër Venezuelën,” tha ai të hënën përpara gazetarëve të huaj në Karakas, duke e cilësuar këtë si një kërcënim “të pajustifikueshëm, imoral dhe plotësisht të paligjshëm”.

Maduro theksoi se Venezuela është e përgatitur për “luftë të armatosur” në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit të saj territorial.