TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një nga figurat më ikonike të televizionit italian, Emilio Fede, është ndarë nga jeta në moshën 94-vjeçare, në azilin e pleqve “San Fedele” në Segrate, pranë Milanos.
Lajmi është konfirmuar nga familjarët dhe burime pranë qendrës ku ai po trajtohej.
Fede mbylli sytë përgjithmonë, duke pasur pranë vajzat e tij, Simona dhe Sveva, shkruajnë mediat italiane.
Emilio Fede ka lënë një gjurmë të thellë si drejtor dhe prezantues i lajmeve në rrjetin Mediaset, i themeluar nga ish-kryeministri i ndjerë Silvio Berlusconi.
I njohur për stilin e tij të drejtpërdrejtë dhe shpesh polemizues, Emilio Fede ishte një prej mbështetësve më të zjarrtë të Berlusconit në ekran.
Emilio Fede-Berlusconi
Ai e ka drejtuar për vite me radhë edicionin informativ TG4, duke fituar vëmendjen publike si një figurë e përkushtuar ndaj kauzës politike dhe mediatike të ish-kryeministrit italian.
Lidhja e tij personale dhe profesionale me Berlusconin ishte aq e ngushtë, saqë ata bënin pushime bashkë deri në tre herë në vit, dhe shpesh ishin të pandarë në ambiente private dhe publike.
Pas daljes në pension, Fede u përfshi në një sërë problemesh ligjore, përfshirë edhe dënimin për përfshirje në skandalin e prostitucionit të mitur në vilën e Berlusconit në Arcore, një nga çështjet më të bujshme të viteve të fundit në Itali.
Mbështetja e tij e pakushtëzuar për Berlusconin në ekran shpesh është parë si propagandë mediatike, dhe është kritikuar ashpër nga forcat e qendrës së majtë në vend.