BOTA, 13 Maj 2024, 10:21

Rrjetet islamiste në Gjermani, kush është grupimi “Muslim Interaktiv” dhe qëllimi i tij

Rrjetet islamiste në Gjermani, kush është grupimi “Muslim

Kur përkrahësit e një grupimi islamist “Muslim Interaktiv” lëshuan thirrje për Kalifatin, reagimet në Gjermani ishin të mëdha. Ata sërish protestuan në fundjavë, por pa incidente. Kush është grupimi “Muslim Interaktiv”?

Ishin rreth 1000 vetë që protestuan në fund të prillit në Hamburg të thirrur nga grupimi “Muslim Interaktiv”. Gjatë demonstratës u dëgjuan thirrjet “Kalifati është zgjidhja” dhe “Gjermania – diktaturë vlerash”. Reagimet ishin në Gjermani të forta, madje u kërkua edhe ndalimi i këtij grupimi. Të shtunën sërish pati protesta të këtij grupimi në Hamburg, por sipas njoftimeve të policisë të dielën (12.05.), në tubimin e zhvilluar me rregulla të forta, nuk pati shkelje të tyre.

Shumë u habitën nga marshimi i këtij grupimi. Edhe sociologja, Necla Kelek, që drejton shoqatën e islamit laik në Hamburg. Së bashku me shoqata të tjera ajo organizoi një kundërdemonstratë. “Ne ishim po ashtu të habitur nga demonstrimi i “Muslim Interaktiv”, tha ajo për D”. “Para së gjithash kjo është një organizatë që organizohet sidomos përmes mediave sociale, si TikTok. Kjo e bën edhe më të rrezikshme. Në një xhami mund të shkosh dhe të informohesh.”

“Muslim Interaktiv” ndiqet me vëmendje nga autoritetet gjermane, madje përmendet në një raport të shërbimit të Mbrojtjes Kushteutuese të landit. I themeluar në vitin 2020 ky grupim e rendit veten të afërt me organizatën Hizb ut-Tahrir (HuT), që në vitin 2003 u ndalua, sepse mbështeste përdorimin e dhunës dhe kishte bërë thirrje për vrasjen e hebrenjve. Tek organizatat që konsiderohen si degë të HuT është edhe “Generation Islam” dhe “Realität Islam”.

“E sigurtë si ekstremiste”

“Muslim Interaktiv” konsiderohet nga autoritetet si “e sigurtë ekstremiste”. Kjo lidhet edhe me atë që grupimi kërkon një kalifat në mbarë botën dhe me këtë refuzon demokracinë dhe rendin kushtetues të shtetit ligjor në Gjermani.

“Ky është në thelb një program politik, që shpërndahet këtu dhe madje mbi bazën e islamit dhe Sharias. Kjo, e formuluar në formë neutrale, është një lëvizje politike revolucionare, që kërkon riformësim themelor të rendit aktual, jo vetëm në botën islamike, por në të gjithë botën”, shpjegon Andreas Jacobs, drejtues i sektorit për unitetin shoqëror në fondacionin Konrad-Adenauer.

Ndryshe nga lëvizjet e tjera islamiste, si salafistët, në këtë grupim nuk janë parësore rregullat konkrete të zbatimit të islamit. “Aty diskutohen më pak çështje që lidhen me stilin e jetesës, si a mund të preket një grua apo gjëra të tilla”, thekson Andreas Jacobs. Për ekspertin “Muslim Interaktiv” është një grupim si “kult rinor identitar”, në analogji me lëvizjet ekstremiste të djathta identitare, si ata të “Qytetarëve të Rajhut”.

Një vështrim në paraqitjen sociale të MI e bën të qartë: Më shumë se 20.000 ndjekës ka ky grupim në TikTok. Videot janë të bëra në mënyrë profesionale, personat e njohur të tyre inskenojnë veten në mënyrë moderne dhe janë elokuentë. Ka edhe sondazhe në rrugë për të krijuar përshtypjen e afërsisë me komunitetin mysliman. Dhe mesazhet që ky grupim përcjell duket se gjejnë përkrahës. Në një portal online të “t-online”, një mësues raporton në mënyrë anonime, se personat drejtues të Muslim Interaktiv shikohen si yje të muzikës dhe nxënësit e tij shkojnë tek demonstratat e tyre për të takuar “idhujt” e tyre.

Shpesh ky grupim prek edhe debatet shoqërore: si përndjekjen e uigurëve në Kinë, djegien e kuranit në Suedi, debatet për shaminë e kokës në Gjermani. Gjithmonë ai i prezanton myslimanët si të diskriminuar dhe të përjashtuar. Sidomos pas sulmit terrorist të Hamasit kundër Izraelit, dhe fillimit të luftës në Gaza e protestave kudo në botë. Gjuha e përdorur nga “Muslim Interaktiv” dhe grupime të tjera është bërë shumë e drejtpërdrejtë tani, tha për DW, Navid Wali, punonjës pedagogjik në organizatën joqeveritare, Violence Prevention Network.”Muslim Interaktiv përdor edhe inluencer të njohur që i ndajnë përmbajtjet e tyre pa e vrarë mendjen dhe thonë me këtë, e shikoni, ne myslimanët tani duhet të bashkohemi, për të vepruar kundër armiqësisë ndaj islamit. Kjo është strategjia që përdorin ata për të tërhequr dhe për të bërë për vete të tjerët.”

Për Wali, “Muslim Interaktiv” përdor përmbajtje vetëm në gjermanisht, të shkurtra. Grupimi i drejtohet studentëve por edhe akademikëve, pasi qëllimi nuk është fitimi i përkrahësve, por popullariteti./Deutsche Welle