BOTA, 2 Shtator 2025, 10:18

CEO i "Nestle" shkarkohet pas hetimeve për marrëdhënie të fshehtë me një punonjëse

CEO i "Nestle" shkarkohet pas hetimeve për marrëdhënie

Kompania ndërkombëtare Nestlé, ka marrë vendimin për të shkarkuar CEO-n e saj, Laurent Freixe, pas një hetimi të brendshëm që zbuloi një marrëdhënie të fshehtë romantike me një punonjëse të varur prej tij, një veprim që përbënte shkelje të kodit të etikës së korporatës.

Në një njoftim zyrtar, Nestlé bëri të ditur se largimi i Freixe pas 40 vitesh karrierë në kompani u bazua në rezultatet e hetimit të drejtuar nga kryetari i bordit, Paul Bulcke, dhe anëtari i pavarur i bordit, Pablo Isla, me mbështetjen e një këshilltari të jashtëm ligjor.

Hetimi konkludoi se marrëdhënia me punonjësen përbënte shkelje të rregullave të etikës dhe qeverisjes së brendshme të kompanisë.

“Kjo ishte një vendim i domosdoshëm. Vlerat dhe qeverisja e Nestlé përbëjnë themelet e forta të kompanisë sonë. Falënderoj Laurent për vitet e tij të shërbimit,” thuhet në deklaratën e kryetarit të kompanisë.

Në vend të Freixe, pozicioni i CEO-së do të merret nga Philippe Navratil, i cili, sipas kompanisë, njihet për përvojën dhe aftësinë e tij për të sjellë rezultate edhe në kushte të vështira.

“Ai ka një prezencë të fortë drejtuese, frymëzon ekipet dhe udhëheq me një stil menaxhimi bashkëpunues dhe gjithëpërfshirës. Bordi është i bindur se ai do të çojë përpara planet e zhvillimit të kompanisë dhe do të përshpejtojë përpjekjet për rritjen e efikasitetit. Strategjia jonë mbetet e pandryshuar dhe ritmi i performancës nuk do të ngadalësohet,” theksohet në deklaratën e Nestlé.