BOTA, 10 Mars 2023, 14:43

Meloni: 30 vjet burg për trafikantët e qenieve njerëzore

Meloni: 30 vjet burg për trafikantët e qenieve njerëzore

Pas dy javësh nga tragjedia ku humbën jetën 72 emigrantë në brigjet kalabreze, qeveria Meloni ka miratuar ligje të reja. Masat e reja parashikojnë nga 20 deri në 30 vjet burg nëse shkakton vdekjen e më shumë personave, 15 deri në 24 nëse humb jetën vetëm një emigrant dhe nga 10 në 20 nëse ka lëndime nga mbytja e anijes.

Meloni iu përgjigj kritikave ndaj qeverisë së saj mbi politikat e imigracionit, të cilat mund të kenë ndikuar në tragjedinë e 26 Shkurtit në brigjet e Steccato di Cutro. Autoritetet italiane të shpëtimit janë duke u hetuar për akuzat se nuk kanë vepruar mjaftueshëm shpejt për të parandaluar mbytjen e anijes.

Hetimet gjithashtu janë shtrirë edhe në disa pista të tjera pasi Frontex dyshohet se nuk i ka ardhur në ndihmë anijes me 250 emigrantë në bord.

Guardia di Finanza, e cila kontrollon vijën bregdetare, bëri të ditur se dërgoi dy varka patrullimi, por ata hoqën dorë nga kërkimi për emigrantët dhe u kthyen në port për shkak të kushteve të motit.

Mediat kanë vënë në pikëpyetje pse Roja Bregdetare, anijet e së cilës janë më të pajisura për t’u përballur edhe me mot të keq, nuk shkoi në vendngjarje pasi mori një telefonatë nga emigrantët. Ndërkaq pas miratimit të ligjeve kundër emigracionit të paligjshëm, u mbajtën protesta afër një sheshi ku po zhvillohej mbledhja e kabinetit. Protestuesit shpërndanë lodra, ndërsa disa mbanin pankarta ku shkruhej “Jo në emrin tonë … Kalabria ka një zemër të madhe, ju jo!”

Disa nga protestuesit kërkuan dorëheqjen e zëvendëskryeministrit Matteo Salvini i cili së fundmi ka përshëndetur edhe planin britanik për ndaljen e emigracionit të paligjshëm si dhe ministrit të Brendshëm, Matteo Piantedosi, i cili u kritikua pas tragjedisë.