BOTA, 8 Mars 2023, 16:20

Kërcënimi rus krijon një mentalitet të ri në Lituani

Kërcënimi rus krijon një mentalitet të ri në Lituani

Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës, tashmë në vitin e dytë, ka ndezur alarmin në vendet fqinje. Lituania po dyfishon përpjekjet për t’u përgatitur për një konfrontim që tani shumë e shohin më të mundshëm se kurrë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Ricardo Marquina njofton nga kryeqyteti lituanez, Vilnius.

Këmbësoria lituaneze përparon…objektivi është që të marr me shpejtësi një pozicion të armikut.

Këto janë vetëm stërvitje – një provë për atë që mund të jetë një luftë e vërtetë – sepse për këta luftëtarë dhe për shumë lituanezë është e qartë se bota ka ndryshuar brenda një viti.

Stërvitja rutinë është e rëndësishme për këta burra dhe gra. Siç e shohin ata, vetë ekzistenca e Lituanisë varet nga përgatitja.

“E ndjej tek ushtarët e mi, e ndjej tek vetja, se motivimi është edhe më i madh. Dhe mentaliteti ynë bëhet më i fortë sepse fqinjët janë afër. Stërvitja na ndihmon të përmirësojmë aftësitë tona. Për shembull, si të mbijetojmë si individë dhe sigurisht që jemi gjithmonë të vetëdijshëm dhe gjithmonë të përgatitur”, thotë Raminta Banisauskaite, ushtare lituaneze.

Lituania është anëtare e Bashkimit Evropian dhe e NATO-s, e cila siguron një mburojë politike dhe ushtarake, që Ukraina nuk e kishte kur u sulmua një vit më parë. Megjithatë lufta ka treguar se mbetet shumë për të mësuar.

Forcat e NATO-s të dislokuara në Lituani e konsiderojnë jetike vëzhgimin e trupave ukrainase dhe integrimin e taktikave me të cilat ata kanë arritur të përballojnë pushtimin rus.

Pjestarët e NATO-s i kërkuan Zërit të Amerikës të përdorin vetëm emrat e tyre të parë.

“Kur shikoj nivelin tonë të thjeshtë taktik, kupton se çfarë mund të bësh me jo aq shumë personel, por me shumë këmbëngulje (CUT) duke e kombinuar me dronët modernë, teknologjitë moderne për të krijuar një parakusht për një luftë të mirë. Mendoj se kjo është një nga gjërat që bie kryesisht në sy. Një luftë vërtet e guximshme zhvillohet tani në Ukrainë”, thotë kapiteni Eric E.

Rritja e tensioneve në Evropë të shkaktuara nga lufta në Ukrainë kanë nxitur shovinizmin rus. Në Duma, dhoma e ulët e parlamenti t rus, është paraqitur një propozim për të anuluar vendimin e vitit 1991 për t’i dhënë pavarësinë Lituanisë. Moska bëri një lëvizje të ngjashme në prag të sulmit të saj frontal ndaj Ukrainës.

Sulmi jo vetëm që ka detyruar autoritetet lituaneze dhe NATO-n të reagojnë, por edhe shoqërinë në përgjithësi.

Unioni i Pushkatarëve të Lituanisë është një grup vullnetarësh meshkuj dhe femra që i nënshtrohen trajnimit ushtarak gjatë fundjavave. Shumë prej tyre thonë se 24 shkurti i vitit 2022 ishte një pikë kthese për ta.

“Atë ditë pati shumë diskutime: me miq, me familje. Çfarë do të bëje nëse diçka e tillë do të ndodhte në vendin tënd, sepse kjo është shumë realiste dhe mendova se përgjigjet e ikjes apo fshehjes nuk ishin për mua”, thotë Aiste Linauskaite, pjestare e unionit.

Lituania, me më pak se 2 milionë banorë dhe forca të armatosura prej pak më shumë se 20 mijë trupash, është e shqetësuar për refuzimin e Rusisë për t’u tërhequr, pavarësisht se forcat ruse, ndryshe nga sa pritej, kanë pësuar dështime të shumta në Ukrainë.

Kufiri i Lituanisë me Bjellorusinë – një aleat I Rusisë – është gjithashtu shkak për shqetësim.

“Ne duhet të vlerësojmë sigurinë tonë në kufi. Ne kemi Kaliningradin në Perëndim dhe kemi Bjellorusinë, e cila ka lajuar një kontingjent të madh forcash ruse në territorin e saj dhe po mbështet agresionin ndaj Ukrainës”, thotë Vaidotas Urbelis zëvendës ministër lituanez i Mbrojtjes.

Me forcat e NATO-s në tokën lituaneze, ky vend është një nga pikat e mundshme të përplasjes së drejtpërdrejtë midis Rusisë dhe Perëndimit, një skenar pothuajse identik me atë të Luftës së Ftohtë, një skenar plot tension dhe pasiguri mbi atë që shumë e shohin si një konflikt të mundshëm – për të cilin ky vend i vogël baltik përpiqet të përgatitet./ VOA