BOTA, 24 Shkurt 2022, 19:14

Sulmi nga Rusia/ Ambasadorja e Ukrainës në SHBA: Po luftojmë për të mbrojtur shtëpitë e tyre

Sulmi nga Rusia/ Ambasadorja e Ukrainës në SHBA: Po luftojmë

Ambasadorja e Ukrainës në Shtetet e Bashkuara, Oksana Markarova, tha të enjten se të gjithë ukrainasit do të luftojnë për të mbrojtur vendin e tyre përballë një pushtimi rus. 

“Fryma luftarake e ushtrisë ukrainase është e lartë”, tha Markarova në një konferencë shtypi në Uashington.

“Ne po luftojmë. Ne do të luftojmë. Ne, jo vetëm ushtria jonë e guximshme dhe e motivuar, por të gjithë ukrainasit, ne po mbrojmë shtëpitë tona dhe nuk do të ndalemi”, tha ajo.

Markarova shprehu falënderime për presidentin amerikan Joe Biden për deklaratën e menjëhershme që erdhi disa minuta pas vendimit të (presidentit rus Vladimir) Putin për pushtim, si dhe aleatët e tjerë të cilët lëshuan deklarata në mbështetje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.

“Ne e vlerësojmë të gjithë mbështetjen. Dëgjojmë të gjithë mbështetjen. Është shumë e rëndësishme për ne”, tha ajo. “Por është gjithashtu koha për të vepruar. Dhe ne i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të veprojë menjëherë.”

E pyetur nga CNN nëse ajo besonte se presidenti rus Vladimir Putin do të ishte penguar nëse SHBA do të kishte vendosur sanksione më të forta më herët, Markarova tha: “Ne jemi aty ku jemi … kështu që le të përqendrohemi në sanksionet që Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera do të vendosin. Tani.”