TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Më 20 korrik 1944, në orën 12:42, një shpërthim tronditi bunkerin e Adolf Hitlerit në kompleksin e njohur si “Streha e Ujkut” (Wolfsschanze) në Prusinë Lindore. Objektivi ishte një dhe i vetëm: eliminimi i diktatorit nazist dhe rrëzimi i regjimit të tij. Pas atentatit qëndronte koloneli Klaus Schenk von Stauffenberg, një oficer i lartë gjerman, i cili dikur kishte mbështetur Nacional Socializmin, por gjatë viteve të fundit të luftës arriti në përfundimin se Hitleri duhej vrarë për t’i dhënë fund katastrofës që po përjetonte Gjermania. “Nuk kemi alternativë tjetër përveçse të vrasim Hitlerin”, u kishte thënë ai bashkëpunëtorëve të tij. Von Stauffenberg nuk ishte vetëm personi që vendosi bombën, por edhe një prej arkitektëve kryesorë të një komploti të gjerë, ku përfshiheshin oficerë të lartë ushtarakë, diplomatë dhe figura të administratës shtetërore gjermane.
Pak para shpërthimit, von Stauffenberg u largua nga bunkeri dhe u nis drejt Berlinit me bindjen se misioni kishte përfunduar dhe se Hitleri kishte vdekur. Në kryeqytetin gjerman kishte nisur ndërkohë “Operacioni Valkyrie”, një plan i krijuar fillimisht për reagim ndaj një kryengritjeje të mundshme, por që komplotistët e kishin transformuar në një përpjekje për grusht shteti ndaj regjimit nazist. Megjithatë, atentati dështoi. Hitleri mbijetoi, edhe pse pësoi disa plagë. Tavolina e rëndë prej druri në sallën e konferencave dhe dritaret e hapura, për shkak të temperaturave të larta, reduktuan ndjeshëm fuqinë shkatërruese të shpërthimit.
Dështimi nuk erdhi vetëm nga mbijetesa e Hitlerit. Brenda komplotit pati vonesa, probleme komunikimi dhe pasiguri nga disa prej pjesëmarrësve, të cilët nuk arritën të vepronin me vendosmëri. Në mbrëmjen e 20 korrikut u bë e qartë se “Operacioni Valkyrie” kishte dështuar. Hitleri iu drejtua popullit gjerman përmes radios, duke deklaruar se kishte shpëtuar “për misionin e tij”. Von Stauffenberg dhe disa prej bashkëpunëtorëve të tij u arrestuan dhe u ekzekutuan po atë natë. Sipas historianëve, një nga faktorët kryesorë të dështimit ishte mungesa e mbështetjes së plotë nga figurat më të njohura ushtarake të kohës. Feldmareshali Erwin Rommel, i cili ishte përmendur si një figurë e mundshme mbështetëse, nuk mori pjesë drejtpërdrejt në komplot.
Nga tradhtarë në simbol të rezistencës
Për shumë vite pas Luftës së Dytë Botërore, pjesëtarët e komplotit u panë nga një pjesë e shoqërisë gjermane si tradhtarë. Madje, fillimisht shteti gjerman refuzoi t’i jepte pension vejërisë së von Stauffenbergut. Me kalimin e kohës, qëndrimi ndryshoi dhe ata u njohën si figura të rezistencës kundër nazizmit. Sot, rrugë, shkolla dhe institucione në Gjermani mbajnë emrat e tyre.
Përpjekja e 20 korrikut u bë pjesë e historisë së rezistencës ndaj Hitlerit, krahas tentativës së zdrukthëtarit Georg Elser në vitin 1939 dhe aktivitetit të grupit studentor antinazist “Trëndafili i Bardhë”. Megjithatë, figura e von Stauffenbergut dhe e bashkëpunëtorëve të tij vazhdon të jetë objekt debati mes historianëve.
Disa studiues theksojnë se shumë prej tyre nuk u kthyen kundër Hitlerit që në fillimet e regjimit nazist, por vetëm kur humbja e Gjermanisë dukej e pashmangshme. Historianë si Wolfgang Bentz argumentojnë se për shumë prej komplotistëve shqetësimi kryesor ishte shpëtimi i Gjermanisë nga disfata, ndërsa çështje si Holokausti nuk ishin në qendër të motivimit të tyre. Nga ana tjetër, studiues të tjerë theksojnë se, pavarësisht kufizimeve të tyre politike, përpjekja e 20 korrikut përfaqësonte një akt të jashtëzakonshëm kundërshtimi ndaj një prej regjimeve më kriminale në histori. Edhe pse dështoi, atentati i 20 korrikut 1944 mbetet një nga momentet më të rëndësishme të rezistencës ndaj Hitlerit dhe një kujtesë se, edhe brenda një diktature brutale, pati njerëz që vendosën të sfidonin regjimin me koston e jetës së tyre.