BLOG, 2 Prill 2022, 11:11

Shpërthimi Enverit në mbledhjen e Byrosë: Mehmet, para se të thonin Simoni dhe Nazari për nusen e djalit, të kam lajmëruar unë që të merrje masa, sepse e ndjek…

Shpërthimi Enverit në mbledhjen e Byrosë: Mehmet, para se të
Mehmet Shehu dhe Enver Hoxha

Publikohen disa dokumente të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), ku ndodhet një dosje voluminoze me materiale arkivore të cilat mbajnë siglën ‘Tepër sekret’, të cilat i përkasin periudhës së viteve 1981-1982, me raporte, relacione, dëshmi, informacione, proçes-verbale të mbledhjeve të Byrosë Politike dhe sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, etj., duke filluar nga ajo që u mbajt për të shqyrtuar dhe analizuar autokritikën e ish-kryeministrit Mehmet Shehu në dhjetorin e vitit 1981, për shkak se kishte lejuar fejesën e djalit të tij, Skënderit, “me një vajzë e cila në rrethin e saj familjar kishte disa të arratisur politikë”.

Mbledhja maratonë e Byrosë Politike e pasdites së 17 dhjetorit të tij viti që vazhdoi deri në orët e vona të asaj nate, ku u shqyrtua ai problem me debatet dhe diskutimet e të gjithëve anëtarëve që “kryqëzuan” ish-kryeministrin Shehu, mbledhja e paradites së 18 dhjetorit, pas lajmit se kryeministri Mehmet Shehu kishte vrarë veten, mbledhja maratonë e Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së e datës 20 shtator të vitit 1982, me temë: “Analiza e gabimeve të rënda të Kadri Hazbiut, të kryera gjatë periudhës kur ai ishte zv/ministër dhe ministër i Punëve të Brendshme”.

Enver Hoxha nisi fillimisht akuzat ndaj Kadri Hazbiut, duke e joshur atë si “besnik i Partisë”, (në mënyrë që ai “t’ja hapte zëmrën Partisë”, duke folur kundër ish-kryeministrit Mehmet Shehu), ku që në fillim të fjalës së tij, Enveri u shpreh: “Pas puçistëve në ushtri, zbuluam grupin tradhtar në ekonomi të Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit dhe Kiço Ngjelës me shokë. Edhe këtë grup e zbuluam ne këtu, nuk e zbuloi Sigurimi i Shtetit.

Po kështu mund të themi edhe për zbulimin e grupit të Fadil Paçramit, të Todi Lubonjës dhe të një sërë njerëzish të tjerë të lidhur pas tyre, si Ismail Kadareja me shokë, nuk e zbuloi Sigurimi, por ajo punë armiqësore u zbulua nga ana e Komitetit Qendror, etj.”!

PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË


KOMITETI QENDROR Sekret

-Sektori i Përgjithshëm-

PROCES – VERBAL

I MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE TË KQ TË PPSH TË DATAVE

17 E 18 DHJETOR 1981

Rendi i ditës: Analiza e gabimit të rëndë të kryer nga anëtari i Byrosë Politike, Mehmet Shehu, lidhur me fejesën e djalit me një vajzë me përbërje shumë të keqe politike.

Në këtë mbledhje marrin pjesë gjithë anëtarët e Byrosë Politike, me përjashtim të shokut Hekuran Isai, që nuk erdhi për arsye se mbrëmë natën, i vdiq e ëma.

SHOKU SIMON STEFANI: Po pse ti nuk më besoje mua që ta solla informacionin, por besoje Nazarin?

SHOKU MEHMET SHEHU: Jo se nuk të besoja ty dhe informacionin që më dhatë, po nëse kishte dhe disa gjëra të tjera jashtë informacionit.

SHOKU SIMON STEFANI: Po pse, po të kishte gjëra të tjera nuk do të t’i thosha unë? Po të më vinin të tjera, unë do të t’i thosha patjetër edhe ato.

SHOKU MEHMET SHEHU: Jo, po kishte gjëra të tjera jashtë informacionit që më dërgove, meqenëse përmendej që Nazari kishte qenë prezent në atë kohë. Pra, desha të di ç’kishte vënë re edhe Nazari, që është edhe anëtar i Komitetit Qendror.

SHOKU KADRI HAZBIU: Shoku Mehmet, ky ishte një informacion që juve ju erdhi nga Partia, që jua solli sekretari i K.Q. dhe…

SHOKU MEHMET SHEHU: Jo…!

SHOKU KADRI HAZBIU: Një minutë, të lutem, mos më ndërprit shoku Mehmet, se puna duhet gjykuar një çikë më thellë, atëherë, për të qenë edhe unë i qetë, t’i themi shokut Simon se Nazari që thotë kështu, është anëtar i K.Q., ju lutem shumë…!

SHOKU MEHMET SHEHU: Atë edhe mund ta bëja…

SHOKU KADRI HAZBIU: Po pse s’e bëre kështu, po more Nazarin?!

SHOKU MEHMET SHEHU: Shoku Nazar më vërtetoi po ato që kishte biseduar me atë person.

SHOKU KADRI HAZBIU: Jo, nuk ka rëndësi, se kjo vërtetohet, Partia nuk na i dërgon gjërat ne pa i vërtetuar. Atëherë përse bëtë ju një demarsh të tillë? Pse nuk keni besim në informacionin që të jep Partia?

SHOKU MEHMET SHEHU: Nuk shtrohet çështja që unë nuk kam besim te Partia.

SHOKU KADRI HAZBIU: Atëherë vemi tek ajo që thamë që në fillim, se ju veproni pa pyetur njeri, pa pyetur se ka Parti, ka rregulla e norma të saj etj.

SHOKU MEHMET SHEHU: Jo, jo, nuk është kështu, nuk është se unë nuk kam besim te Partia.

SHOKU QIRJAKO MIHALI: Jo vetëm kaq xhanëm, por mendoj se Nazarin ju e keni thirrur që t’ju vërtetonte ndonjë gjë të kundërt, që të thoshit pastaj, ja nuk është kështu si u njoftove, po ndryshe.

SHOKU MEHMET SHEHU: Unë Nazarit i fola si anëtar i Komitetit Qendror dhe emri i të cilit përmendej në atë informacion, e pyeta nëse kishte vërejtur gjë e çfarë kishte vërejtur që mund të ishte e tepërt. Po mund të ishte edhe ashtu si thoni ju, që unë të kisha vajtur te shoku Simon.

SHOKU PALI MISKA: Mirë, shoku Mehmet, po pse nuk e gjykon në anën tjetër këtë çështje, se unë nuk e di punën e informacionit si është e ku është, këtë e dini ju, ne nuk dimë as çështjen, e të thoni bravo i qoftë këtij komunisti të thjeshtë që preokupohet për çështjen e Partisë.

SHOKU MEHMET SHEHU: Unë nuk e kam kritikuar atë komunistin. I thashë edhe shokut Simon, se kështu duhet vepruar.

SHOKU PALI MISKA: S’ishte nevoja ta thërrisje ti Nazarin që të vërtetoje ato që thuheshin në informacion, ose Nazari të të thoshte disa gjëra të tjera.

SHOKU MEHMET SHEHU: Po unë nuk e kam kritikuar komunistin që dërgoi informacionin në Komitetin Qendror, dhe shokut Simon i thashë se kështu duhet vepruar, i kërkova informacionin dhe nuk mund të mos e thërrisja unë vajzën (nusen) dhe djalin t’i kritikoja dhe i kritikova rëndë, po ajo më tha që kish shkuar vetëm sa të blinte çokollatën.

SHOKU ENVER HOXHA: Ua shpjego mirë shokëve çështjen se kjo nuk është diçka e thjeshtë. Më parë se të të thonin Simoni dhe Nazari për nusen, të kam lajmëruar unë që të merrje masa, sepse e ndjek francezi.

SHOKU MEHMET SHEHU: Edhe kam vepruar.

SHOKU ENVER HOXHA: Nuk them se nuk ke reaguar, por këtë unë nuk mund të ta thosha pa qenë i sigurt. Dhe ti, porsa të njoftova, e thirre nusen dhe i fole. Këtë ma ke bërë edhe mua të ditur dhe ke bërë mirë. Tani ty të vjen një informatë tjetër, që tregon se ajo ecën prapë në atë rrugë, prandaj ti nuk kishe asnjë arsye pse të pyesje kurrkund, por me këtë të të forcohej besimi se kjo vajzë diçka ka. Mbase ajo nuk ka gjë me francezin dhe ishalla nuk ka, por çështja është që ai po e sulmon.

SHOKU MEHMET SHEHU: Edhe unë e kritikova shumë rëndë vajzën.

SHOKU ENVER HOXHA: Tashti unë po të tregoj një gjë tjetër më të re. Pasi ti e kritikove rëndë nusen, unë prapë kam informata nga Sigurimi, se kur ajo ka vajtur në shkollë, francezi e ka ndjekur nga pas me automobil. Biseduan a nuk biseduan me njëri-tjetrin, kjo s’dihet, po ja i kanë parë të ecnin paralel. Tani çështja nuk shtrohet, e pyete apo nuk e pyete ti Nazarin. Ajo që të dërgoi Simoni, është një informatë për vajzën, për të cilën ti e dije më parë diçka nga unë, të erdhi edhe një herë tjetër, u bënë dy, të erdhi edhe një herë tjetër, tre. Ja tani po të them edhe këtë që është më e re. Prandaj nuk bëhet fjalë pse pyete ti Nazarin, por ti e bëre atë se nuk ishe i bindur nga ato që të tha Simoni, harrove edhe atë që të kisha thënë unë.

SHOKU MEHMET SHEHU: Jo atë nuk e harrova.

SHOKU ENVER HOXHA: Po e harrove, se të erdhi edhe një informatë tjetër përsëri nga Partia, nga një person tjetër. Tani shtrohet çështja për atë që të thashë unë e që e kisha nga Sigurimi: Ti ke të drejtë t’i thuash Feçorit, kush e ka parë këtë gjë? Filan person, do të të thotë ai, një funksionar i ministrisë. Atëherë ti, po të vazhdosh kështu, do ta thërrasësh funksionarin e ta pyesësh: e pe apo nuk e pe këtë gjë?

SHOKU MEHMET SHEHU: Jo unë nuk e kam pyetur Feçorin për një gjë të tillë.

SHOKU ENVER HOXHA: Jo, jo, nuk e ke pyetur, po ta zëmë sikur të veproje kështu. Meqenëse pyete Nazarin, përse të mos pyesësh edhe “Selmanin”? Ti je anëtar i Byrosë Politike dhe e ke këtë të drejtë, por ama ne kemi besim në organizmat tona, në kuadrot tona. Ato që na thonë ata, nuk na çojnë në rrugë të gabuar, në të kundërtën, ndihmojnë që të ndreqemi.

SHOKU MEHMET SHEHU: Unë konsiderova se nuk bëra ndonjë gabim që pyeta Nazarin, që është edhe anëtar i Komitetit Qendror. Nëse kishte edhe ndonjë gjë tjetër, veç atyre gjërave që thuheshin në informacion, nuk e di, po vajzën unë e kritikova duke u mbështetur plotësisht në informacionin që më dha shoku Simon.

SHOKU SIMON STEFANI: Shoku Mehmet unë kam të drejtë të nxjerr konkluzionin se ju nuk kishit besim tek ai informacion që të dërgova dhe jo vetëm kaq, por edhe në përgjigjen që më dhatë, ju filluat i rrëzuat një pjesë të të dhënave, duke thënë se nuk kishte njeri atje kur…domethënë dëgjuat nusen e nuk dëgjuat komunistin.

SHOKU MEHMET SHEHU: Unë ju thashë si më foli vajza.

SHOKU SIMON STEFANI: Mua nuk më duhej si tha vajza, mua më duheshin ato që tha komunisti për vajzën. Po në fund të fundit, si do t’ju thoshte juve ajo? Juve ju ka vënë vetë në dijeni shoku Enver dhe megjithatë ajo përsëri ka vazhduar rrugën e saj. Të nesërmen në mëngjes, kur shkonte në shkollë, makina e francezit i qëndronte një metër larg, ecte paralel me të, ndërsa ajo ecte më këmbë, me avash ecte edhe makina me francezin brenda, me atë me mustaqe.

SHOKU MEHMET SHEHU: Mundet që francezi t’i jetë qepur me gjithë mend.

SHOKU ENVER HOXHA: Ai mund të jetë edhe një provokator.

SHOKU MEHMET SHEHU: Po, ndonjë fakt që ajo të ketë pasur kontakt me francezin, unë nuk kam pasur deri tash. Në qoftë se do të vërtetohet një gjë e këtillë, atëherë do të marr masat që janë për të marrë.

SHOKU PALI MISKA: Jo, shoku Mehmet, çështja ka të bëjë me atë që nga ana juaj duhen vlerësuar ato ç’ka informojnë të tjerët. Ju vetë e thoni se: “nuk i kam vlerësuar, duhet të jem i thjeshtë, duhet të mos jem kështu e ashtu”. Po tashti kur informacioni të vjen nga Komiteti Qendror dhe atë e bën një komunist, i cili ka marrë guximin dhe i lumtë për këtë, kjo duhet vlerësuar nga ana jote.

SHOKU ENVER HOXHA: Realizoje mirë çështjen. Ne nuk gjykojmë vajzën. Ne gjykojmë gabimet e tua dhe çështjen si i kupton ti këto gabime. Nuk e gjykojmë ka pasur apo s’ka pasur ajo kontakte me francezin. Po të ketë fakte për këtë, do të t’i japim, po me sa di unë deri tani, përveç të fërkuarit të faqeve të kalamanit, nuk ka gjë tjetër, por edhe që të rrinë ata karshi me njëri-tjetrin, të shikohen e të buzëqeshin, edhe këto janë fakte. Këto fakte nuk mund të mos thonë asgjëkafshë.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Edhe fare për t’i hedhur poshtë këto, nuk janë. Neve duhet të na tërheqin vëmendjen këto sinjale, se pastaj po të trashen, bëhen më të ndërlikuara.

SHOKU ENVER HOXHA: Deri sa vihen në dukje, këto kanë diçka dhe nuk janë për t’i hedhur poshtë. Pse për shembull ai provokatori nuk i vjen rrotull edhe vajzës sime, ose vajzës së Adilit, etj? Sepse, tek nusja e djalit tuaj, diçka shpreson ai, se diçka ka parë ne karakterin e saj që e lejon tjetrin ta provokojë. Dhe ka arsye ai të provokojë, se ka gjetur terren. Duhet ta marrim nga ana politike këtë çështje. Në personin e dhënë, ai ka gjetur terren dhe synon të bëjë të paktën një skandal.

SHOKU MEHMET SHEHU: Atëherë, nuk më mbetet gjë tjetër, veçse ta ndaj nusen nga djali.

SHOKU ENVER HOXHA: Jo. Ne nuk themi as ta ndash, as të mos e ndash. Ne shtrojmë logjikën e gjërave, rrjedhimet e tyre e synimet e armikut, pse sa për të gjetur vajza, ka Parisi për të sa të duash, po ai ka të tjera objektiva, synon të tjera gjëra. Prandaj këto synime, këto qëllime duhen kuptuar drejt. Askush nga shokët dhe nga organet tona nuk mund të flasë për gjëra që nuk janë. Bile ka shumë rrezik që ata të mos flasin, të mos thonë, dhe me siguri nuk thonë shumë gjëra për ne, dhe ky është një rrezik akoma më i madh. Prandaj, kur thonë një të vërtetë, ose një gjysmë të vërtetë, kjo është më e rëndë. Këto informata pra njerëzit tanë nuk i ekzagjerojnë, i thonë ashtu siç janë, i thonë ashtu siç i shikojnë, se nuk dinë ç’flet ai me të, po atë që shohin se makina po e ndjek pas nusen, e thonë.

SHOKU MEHMET SHEHU: Mua s’më mbetet tjetër ose ta ndaj vajzën ose ta mbaj mbyllur, në qoftë se vërtetohet që francezi i qepet pas.

SHOKU ENVER HOXHA: Nuk bëhet fjalë këtu për të. Atë vendim merre vetë ti. Këtu, në Byronë Politike, nuk diskutojmë atë, nuk futemi në atë çështje, ne futemi në çështjet politike. Nga ana familjare, do ta ndash, apo nuk do ta ndash, do ta ndajë djali apo nuk do ta ndajë nusen, ne nuk futemi në ato gjëra, po na preokupon ajo që çështja ka karakter politik dhe si politikanë që jemi kështu duhet ta kuptojmë këtë problem.

SHOKU MEHMET SHEHU: Edhe unë në atë kuptim e marr, që francezi këtu diçka synon.

SHOKU ENVER HOXHA: Patjetër që diçka synon, dhe duhet të kesh bindjen që të gjitha këto që të thonë shokët dhe organet kompetente, janë me baza, mendoj se ata asgjë të tepër nuk thonë. Po ta gjykosh kështu çështjen, arrin në konkluzione për t’i bërë vetes pyetjen dale se çdo të bëjmë, çdo të bëj unë, se kjo çështje politikisht shtrohet.

SHOKU RAMIZ ALIA: Edhe konkluzioni tjetër ka rëndësi. Këto gjëra nuk duhen gjykuar nga ana sentimentale, po janë probleme që duhen parë me kuptim politik dhe ideologjik, po nuk i kuptuam kështu, bëjmë gabime.

SHOKU PALI MISKA: Dhe as të shkëputura nga njëra-tjetra nuk janë.

SHOKU ENVER HOXHA: Këto çështje ti, Mehmet, kanë rrjedhime. Njerëzit e kanë marrë vesh fejesën e djalit dhe natyrisht të kanë kritikuar, por kanë marrë vesh më pas që kjo u prish. Armiku edhe këtë e shfrytëzon. Tani ti thua se nuk të mbetet tjetër veç se ta mbyllësh nusen brenda. Ti nuk mund ta mbyllësh atë, bile nuk të lejohet ta mbyllësh brenda. Si do ta mbyllësh? Shtëpinë në burg do ta kthesh? Jo, në asnjë mënyrë nuk duhet të lejohet kjo tek ne.

E dyta, vure këtu çështjen se nuk të mbetet gjë tjetër, veçse ta ndash nusen. Këto janë veprime ekstreme, mendoj unë. Deri sa të vish tek kjo masë, më parë duhet të bësh përpjekje që ajo të jetë serioze, të përgatitësh një situatë një çikë më tutje, në qoftë se arrihet që ta ndash këtë vajzë, për arsye se ka të gjitha këto anticedente dhe përsëri për ty dhe për Partinë do të krijohet një situatë e vështirë, do të fillojnë llafet pse e ndau Mehmeti nusen. Mileti do të fillojë të vejë pikëpyetje të shumta. Disa qëndrime të burrit të saj, bota i dinë fare mirë.

Ja pra e shikon se si ngatërrohet kjo punë, në qoftë se ecën në mënyrë të rrëmbyer. Ti bën edhe autokritikë bile, njeh që je i rrëmbyer, por nuk duhet të jesh i tillë, duhet të kesh një logjikë të fortë prej komunisti dhe këto që ngjanë, t’i parashikoje me kohë. Ja rrezikshmëria e mosparashikimit të tyre. Me qenë se hyjmë në punën e kësaj vajze, megjithëse nuk është e drejtë që të futemi në këtë, por me qenë se kjo u bë, edhe në fejesën e saj prapë ti ke përgjegjësi. Në këtë rast ka pasur prapë liberalizmi tek ti ose qëndrime oportuniste nga punonjësit e Sigurimit të rrethit të Durrësit. Në qoftë se këta të kanë informuar për sjelljet e nënës së kësaj vajze, ti nuk duhej ta kishe lejuar fejesën e djalit, pavarësisht se babanë e kishte shofer dhe faktikisht ai ishte ndarë me gruan. Përse? Pa arsye morale?!

SHOKU MEHMET SHEHU: Këtë nuk ma kanë thënë.

SHOKU ENVER HOXHA: Atëherë, në qoftë se nuk ta kanë thënë këtë, do të thotë që ti ke bërë një martesë qorrçe, ke marrë në shtëpi një njeri që nuk e njeh fare.

SHOKU MEHMET SHEHU: Unë kam marrë informata të gjera.

SHOKU ENVER HOXHA: Nga i ke marrë këto informata? Në qoftë se ke marrë informata, duhet të ketë dalë që nëna e nuses nuk ka sjellje morale të mira. Këtë e di gjithë Durrësi.

SHOKU MEHMET SHEHU: Mua këtë nuk ma kanë thënë.

SHOKU ENVER HOXHA: Nuk ta kanë thënë, po këto informata nga Durrësi kanë dalë, populli i të cilit i di të gjitha. Unë nuk rroj as në Durrës dhe as jam marrë me këto gjëra, po këto kështu dalin. Prandaj në këtë çështje ose ka pasur oportunizëm, ose ti nuk ke pyetur organet e Sigurimit të këtij rrethi, siç bëre me Feçorin për vajzën e Turdiut. Dhe me këtë neglizhencë, ke bërë gabim.

SHOKU MEHMET SHEHU: Sigurimi i Durrësit, mua më ka dhënë informata më të gjëra.

SHOKU KADRI HAZBIU: Kush t’i ka dhënë, se mund të kini thirrur ndonjë oficer të Sigurimit pa dijeninë time. Unë kam qenë ministër i Brendshëm në atë kohë dhe nuk kam ditur gjë.

SHOKU MEHMET SHEHU: Për fejesën e Bashkimit, unë jam informuar edhe pranë Drejtorisë së udhëheqjes, atje duhet të jetë edhe dokumenti përkatës.

SHOKU ENVER HOXHA: Ne nuk gjykojmë atë, shoku Mehmet. Ne gjykojmë gjërat që kanë lidhje me karakterin dhe me pikëpamjet e tua. Këto janë çështje që dalin në këtë situatë dhe për të kuptuar më mirë gabimet e tua.

SHOKU MEHMET SHEHU: Mund të vazhdoj, shoku Enver?/Memorie.al