BLOG, 9 Korrik 2023, 14:35

Si ndryshoi Italia me Silvio Berlusconin

Si ndryshoi Italia me Silvio Berlusconin

Silvio Berlusconi ka vdekur. Njeriu me “diellin në xhep”, krokodili, kavalieri, i Mirosuri i Zotit, presidenti punëtor, këngëtari i kroçerave, manjati i mediave dhe e gjithë moria e personazheve që ai vetë kishte krijuar, i përkasin tani historisë dhe jo më kronikave.

Dhe mbase vetëm tani mund të zbërthehet më në fund gjithçka nga kundërshtarët e tij, por edhe nga ata që ishin pranë tij në secilën prej mijëra jetëve që jetoi, apo që thoshte se kishte jetuar. Dhe në përpjekje për ta bërë këtë, është më mirë t’ia nisim me atë që askush nuk do të jetë në gjendje t’ia mohojë:Berlusconi e ka ndryshuar thellësisht këtë vend, fillimisht si një sipërmarrës, pastaj si një politikan.

Debutimi në skenën politike ndodhi siç nuk ishte parë kurrë më parë: me një videokasetë të dorëzuar në një redaksi televizive. Ajo përmbante fjalimin e famshëm “Zbritja në fushë”. “Italia është vendi që dua, këtu i kam rrënjët, shpresat, horizontet e mia”- deklaroi kreu i atëhershëm i kompanisë Fininvest, duke iu drejtuar drejtpërdrejt teleshikuesve.

Ai po premtonte një “mrekulli të re italiane”. Ishte 26 janari i vitit 1994. Që nga ajo ditë Italia nuk ishte më e njëjta. Por nëse Berlusconi ndryshoi vendin, duhet thënë se e bëri këtë pa iu afruar asnjëherë realizimit të një revolucionit liberal, pra synimit për të cilin shpenzoi të paktën gjysmën e jetës së tij, atë që e jetoi si politikan.

Në fakt “ashtu si në vitin 1994, unë vazhdoj të besoj se një revolucion liberal është i domosdoshëm dhe urgjent”, shkroi sërish ai më 22 gusht 2021 në një artikull të botuar në Il Giornale”. Por kjo aspiratë dhe çdo lloj përpjekje për ta përmbushur konkretisht këtë premtim, ka qenë paradoksalisht platforma mbi të cilën mori jetë çdo lloj populizmi që kolonizoi çdo hapësirë ​​të jetës publike në Itali.

Kjo mund të ketë ndodhur mbi të gjitha sepse ishte vetë Berlusconi, ai që imponoi një konotacion populist në projektin e tij politik, që në fillim të aventurës së tij në politikë. Në themelin e veprimit të tij ishte ideja se ekziston një lidhje direkte midis të qenit në krye të qeverisë dhe vullnetit të popullit.

Ai e deklaroi hapur këtë gjë që në vitim 1994, në fjalimin që mbajti në parlament pak para rrëzimit të qeverisë së tij të parë për shkak të mungesës së mbështetjes nga Lega Nord e Umberto Bossit. Në fakt, kjo teori nuk është pasqyruar ende në kushtetutë, e cila përkundrazi parashikon që populli të ushtrojë sovranitetin e tij “në format dhe brenda kufijve” të parashikuar nga vetë kushtetuta, të cilat janë ato që u përkasin demokracive parlamentare.

E megjithatë me Berluskonin ideja e një marrëdhënieje të drejtpërdrejtë midis liderit dhe popullit u çimentua në mënyrë vendimtare. Dhe me këtë qasje ndryshoi historia politike italiane, duke mbyllur një rreth që ishte hapur me sezonin e referendumit të fillimit të

viteve 1990, ai që çoi në futjen e sistemit zgjedhor mazhoritar, dhe që nga ana e tij ishte rezultat i krizës së sistemit politik italian që u shfaq në mënyrë dramatike duke filluar nga fundi i viteve tetëdhjetë.

Ishin vitet në të cilat vendi, i tronditur nga masakrat e mafias të viteve 1992-1993 dhe nga hetimet e prokurorisë së Milanos për korrupsionin, u përpoq që të pajtohej me shekullin e njëzetë. U zhdukën nga skena partitë e vjetra popullore. Dhe pikërisht atëherë Berlusconishpiku Forza Italia, një parti politike sipas imazhit dhe tij, paraqitet në zgjedhje dhe i fiton ato.

Qeveria e tij e parë zgjati vetëm disa muaj, por në 20 vitet e ardhshme Berlusconi udhëhoqi 3 qeveri të tjera, dhe e bëri këtë si udhëheqës i padiskutueshëm i një të djathte së cilës i njihet si themeluesi. Ato ishin për të vitet e triumfit. Për shembull, ishin vitet e samitit të NATO-s Pratica di Mare në vitin 2002, kur aleanca atlantike i hapi dyert trashëgimtares së Bashkimit Sovjetik, Rusisë, dhe për të cilën vetë Berlusconi u mburr në vitet në vijim se ishte lideri që i dha fund Luftës së Ftohtë.

Ndërkohë ato ishin edhe vitet e sfidave me Romano Prodin për qeverisjen e vendit. Berlusconi fiton dhe humbet, por edhe kur mposhtet ai gjithmonë arrin të mbetet në qendër të skenës. Por ato janë edhe vitet e samiti famëkeq të G8-ës në Genova në vitin 2001, dhe të reagimit brutal të policisë ndaj protestave ku pati edhe vikitima.

Berlusconi ishte diktues “i një përmbysje momentale të kodeve demokratike”- shkruante Lucie Geffroy në Le Monde në vitin 2013, “ai e ndryshoi përgjithmonë marrëdhënien e italianëve me jetën politike dhe angazhimin shoqëror”. Po në ato vite mbi Berlusconin nisën të ngrihen shumë pikëpyetje, duke filluar nga ato për anëtarësimin e tij në Lozhën masonikeP2 të Licio Gelli, dhe deri tek burimi i një pjese të fondeve mbi të cilat ai kishte ndërtuar pasurinë e tij si sipërmarrës.

Përballja me drejtësinë, është ndër kapitujt më thelbësorë në historinë e Berlusconit mes akuzave për korrupsion, zhvatje, prostitucion me të mitur, mashtrim tatimor etj. Por të vetmin dënim të formës së prerë ai e korrigjoi në vitin 2013, kur u dënua me 4 vjet për një mashtrim tatimor në lidhje me shitjen e të drejtave televizive.

Për pjesën tjetër, ka pasur shumë shfajësime, por kjo edhe falë modifikimit prej tij të rregullave të parashkrimit të veprave penale. Ishte diçka që nuk ishte parë kurrë në historinë e Italisë republikane. Më pas pasoi një betejë e ashpër me opozitën që ndau vendin deri në rënien e qeverisë së fundit të drejtuar nga Berlusconi në vitin 2011.

Nëse Berlusconi e ndryshoi historinë e këtij vendi si politikan, kjo ishte mbi të gjitha e mundur falë asaj që ai kishte ndërtuar 20 vite më herët, pra shumë përpara se të themelonte Forza Italia. Këto ishin vitet e “Milano 2”, blerjes së ekipit të Milanit, dhe të shpikjes së televizionit komercial.

Me forcën e madhe të perandorisë së tij mediatike, dhe në veçanti të televizioneve të tij, Berlusconi krijoi në ato vite kushtet që shoqëruan një lloj mutacioni antropologjik që në vitet 1980 i bëri italianët ata që janë sot. Ishte thuajse një revolucion kulturor. Dhe pikërisht ky revolucion kulturor ishte premisa programore e asaj që ndodhi më pas.

Sot në pushtet janë pikërisht post-fashistët që promovoi Berlusconi. Ata drejtohen nga Giorgia Meloni, e cila në ato vite sapo kishte filluar të interesohej për politikën. Dhe pikërisht asaj i takon të mbyllë sezonin e gjatë të berluskonizmit, një synim të cilin ka dështuar gjithmonë ta arrijë qendra e majtë, e cila ka qenë në fakt gjithmonë e ndërvarur në aspektin kulturor nga Berlusconi për 30 vite me rradhë.

Në fakt, Meloni përfaqëson një të djathtë shumë të ndryshme nga ajo me prirje liberale, e cila prej dekadash gjeti udhëheqësin e saj tek Berlusconi. E përbashkëta me Berluskonin është ideja se pushteti ekziston si një marrëdhënie e drejtpërdrejtë midis liderit dhe njerëzve, pa një ndërmjetës të mundshëm.

Por asgjë më shumë se kaq. Ajo e drejtuar sot nga Meloni është një e djathtë shumë më ideologjike sesa qendra e djathtë e Berlusconit. Është një e djathtë që gjen rrënjë të forta në shekullin XX, dhe kjo është arsyeja pse e sheh kushtetutën si një tekst mbi të cilin mund të ndërhyhet në thelb duke u nisur nga supozimet e saj teorike.

Vitet e fundit Berlusconi ishte rivlerësuar edhe nga kundërshtarët e tij. Pa shumë ide se si të përballen me të ardhmen, dhe të frikësuar fillimisht nga populizmi sovran i Salvinit dhe më pas nga nacionalizmi i Melonit, shumë liderë të qendrës së majtë kishin nisur ta shihnin me njëfarë nostalgjie liderin e vjetër.

Ndoshta edhe sepse janë që të gjithë “fëmijët” e tij, kulturalisht dhe politikisht. Dhe kjo është ndoshta fitorja më e madhe për sipërmarrësin e vjetër të kthyer në politikan./ “Internazionale” /Perktheu:Bota.al