BLOG, 1 Maj 2022, 09:19

Historia e panjohur e kreut të mërgatës antikomuniste! Dëshmia: Babai im ishte dy herë kryetar i Bashkisë Mitrovicë, u detyrua t’ia dorëzonte pushtuesit serb

Historia e panjohur e kreut të mërgatës antikomuniste!

Ndoshta si shumë të tjerë, edhe unë, shpeshherë shfletoj letrat me miqtë dhe bashkëpunëtorët e mi, që nuk janë më në këtë jetë.

Duke i shfletuar ato, për një çast shpalosen kujtime që më duket se disa prej tyre mund t’i shërbejnë historisë tonë. Pastaj, kthehem te vetëdija për gjendjen e e sotme të rëndë në atdheun etnik, shkaktuar nga çatrafilimi i politikës shqiptare, e them me vete: “Vallë, çfarë mund të shërbejnë në këtë kohë të zymtë kujtimet e mia për të tjerët ose letrat e njerëzve të vdekur?”

Pa qenë ndjellës ogurzi i pesimizmit, duke menduar si gjithmonë për një të ardhme më të mirë, kthehem tek detyrimet e mia ndaj miqve të mi dhe si një vëzhgues i akullt i kohës, pa asnjë pretendim shërbimi historik, kur më jepet mundësia e botimit, shkruaj atë që kam në mend, gjithnjë të mbështetur në shkrimet dhe në letrat e tyre. Ky parim ndiqet edhe në këtë libër për Xhafer Devën. Xhafer Devën e njoha në person, kemi këmbyer vizita dhe kemi pasë letërkëmbim të dendur.

Kam kaluar ditë pushimi në shtëpinë e tij dhe kam trashëguar të gjithë korrespondencën e Xhafer Devës me Rexhep Krasniqin, shokun e tij më të ngushtë, për mëse 40 vjet. Mbas shumë vjetësh, bisedova në telefon me të bijën dhe dhëndrin e zonjës Deva. Në bisedë e sipër, duke përfituar nga miqësia e vjetër, pyeta për letrat e tij dhe më njoftuan se të gjitha i kishte Qefali Hamdia, mik i familjes së tyre.

Në qershor të vitit të kaluar (2001) shkova në Kenosha, Wisconsin, mysafir i Qefali Hamdisë, për të shikuar korrespondencën e Xhafer Devës, të cilën ia kishte dërguar zonja Deva vite më parë, kur ajo, për shkak të moshës së thyer, po mbyllte shtëpinë e vet për të vajtur në shtëpinë e 5 së bijës dhe të dhëndrit, zonjës Burgl Dagmar dhe Rev. Dennis Logie.

Mbasi lexova pjesën kryesore të letrave, në ato gjuhë që i merrja vesh, mora me vete më shumë se një mijë faqe të korrespondencës së tij, ku përfshihet një periudhë mbi 30 vjet, 1945 – 1978. Xhafer Deva foli dhe shkroi shtatë – tetë gjuhë. Korrespondenca e tij është: shqip, anglisht, gjermanisht, italisht, frëngjisht, turqisht dhe serbisht. Letrat dhe shkrimet e Xhafer Devës, me përjashtim të atyre me shkronja të turqishtes së vjetër dhe të serbishtes me shkronja cirilike, kryesisht janë të shkruara me makinë, të mbajtura mirë dhe të renditura si mbas alfabetit, me personat që ai kishte të bëjë.

Aty përfshihen edhe letrat e tij familjare. Ai ruajti me kujdes kopjen e çdo letre që dërgoi dhe çdo letre që mori. Zonjës Oswalda Deva, të bijës Burgl, dhëndërrit Dennis Logie dhe z. Qefali Hamdia me familje, i’u shprehi falënderimet më të përzemërta për besimin që më dhanë. Me mirënjohje të veçantë kujtoj këtu ndihmesën që më dhanë vëllezërit – Kapidan Nue Gjomarkaj dhe Nikoll Gjomarkaj, në përgatitjen e njërit prej kapitujve më të rëndësishëm të këtij libri.

Kapidan Nou, përveç vënies në dispozicion të lëndës mbi marrëdhëniet e Xhafer Devës me ‘Bllokun Kombëtar Indipendent’ dhe dërgimin e parashutistëve në Shqipëri e në Kosovë, shqyrtoi bashkë me mua secilin dokument të asaj periudhe, dhe formuluam tekstin në formë bisede; ndërsa Nikolla, deshifroi letrat, transkriptoi dhe përktheu nga italishtja, materialet e papublikuara deri më sot, të cilat u botuan në këtë kapitull.

 Jeta dhe veprimtaria e Xhafer Devës në mërgim

                                              – Kosova në kohën e Shqipnisë etnike –

Xhafer Deva në dritën e letrave të veta

Të shkruhet për njohuritë, kujtimet dhe veprimtarinë e Xhafer Devës, para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, mbështetur në letrat e tij, nuk është dhe aq e lehtë. Për të thënë diçka të veçantë për te, në këto dy periudha, duhet shfletuar me kujdes letrat dhe shkrimet e tij; duhet nxjerrë fjali dhe paragrafe për të portretizuar një biografi të saktë për te. Sjellim disa shembuj karakteristik.

Xhafer Deva, lindë e rritë në një familje tipike myslimane shqiptare shumë të pasur, ishte besimtar i devotshëm mysliman. Mbështetur në dy – tri letra, ai gjatë jetës kishte bâ “vetëm një sakrilegj” kundër besimit të tij:

“Ti e dinë se si mbas Kur’anit, besimtari i mirë nuk guxon t’i lutet Zotit me i sjellë ndonjë të keqe as armikut. Kam pas sjellë nga Çekosllavakia nji radio të madhe, atëherë nuk kishte televizioni. Radion e mbajsha në dhomën e mysafirëve dhe dëgjoja lajmet kur kisha kohë.

Nji ditë hapa radion pak me zâ të naltë dhe dëgjova demonstratat në Beligrad me buçima thirrjesh: “Bolje grob nego rob. Bolje grob nego rob” (më mirë vorr se rob, më mirë vorr se rob, – I.L.). U çova në këmbë dhe me zâ të naltë ju luta Zotit: – 0 Zot, jepu vorrin dhe robin, le ta shohin edhe ata se çka asht vorri dhe robi. Dhâ Zoti e gjermanët u dhanë atyne (fjala është serbëve – I.L.) edhe “grobin”, e edhe “robin”.

Këtë përshkrim të demonstratave serbe në Beograd para pushtimit gjerman të Jugosllavisë, Xhafer Deva e përsëritë në dy-tri raste të ndryshme, si në një letër dërguar z. Gjon Shtufaj dhe dy miqve të tij të tjerë. Pohimi përsëritës për një sakrilegj të tillë, si besimtarë i mirë mysliman që ishte, lë të kuptohet se ai nuk ishte penduar. Ai ishte armik i vjetër, i bindur dhe i përbetuar i politikës shoviniste serbe ndaj shqiptarëve.

Ai kishte përcjellë me hollësi të gjitha brutalitetet serbe ndaj shqiptarëve. Mllefin e shpagimit e kishte bajtë të ndrydhun thellë në shpirtë, deri në momentin e duhur, tamam siç e kishte këshilluar i ati: “Duro, me durue nuk asht turp. Kur të vjen dita asht turp me heshtë”.

Në letrat dhe shkrimet e tij, Xhafer Deva nuk mund të provohet si ekstremist kundër serbëve. Qendrimi i tij ndaj serbëve është shumë i qartë. Herë mbas here, në forma të ndryshme, vihen në dukje këto shprehje të tij:

“M’asht dashtë me u shoqnue me intelektual serb dhe më kanë respektue. Serbët e ngulun me kohë në Kosovë, si thomë na në vilajetin tonë, raja e vjeter, ata që flasin shqipen si na, duhet trajtue mirë. Kolonistat e ri duhet të shkojnë në vendin e tyne.” (Letër dërguar Dr. Hamdi Oruçit, 4 nëntor, 1975).

Njohurit e tij rreth zhvillimeve politike, historike, letrare e folklorike të Evropës qendër – lindore dhe të Lindjesë së Mesme, janë të pashterrshne. Botën sllave ndoshta e njihte më mirë se askush në kohën e tij. Ai njihte gjuhët e sllavëve të jugut në përsosmëri. Përveç studimit të veprave historike e letrare në gjuhët e tyre, ai kishte studiuar edhe veprat më të njohura në gjermanisht e turqisht, që kishin të bëjnë me sllavët në përgjithësi dhe me serbët në veçanti.

Këto njohuri reflektojnë dukshëm në letrat e tij. Historinë e vjetër serbe, ai e cilëson si “pralla të lezetshme serbe dhe mite e legjenda të krijueme nga kallugjerët serb”, etj. Po të pyetej për ndonjë çështje, menjëherë u referohej me emër autorëve dhe botimeve, duke treguar edhe bibliotekat ku ndodheshin librat në fjalë.

Xhafer Deva ishte lexues i pashoq. Ai përcillte çdo gjë që kishte të bënte me çështjen shqiptare. Gjatë viteve ‘70, kur dukej se Kosova po arrinte deri tek shkeputja e plotë nga Serbia, ai lexonte rregullisht shtypin më të njohur të Jugosllavisë, në veçanti gazetat: ‘Politika’, ‘Borba’, ‘Nova Makedonia’, ‘Rilindja’ dhe ‘Flaka e Vëllazrimit’.

Megjithëse gazetat i mirrte me vonesë, sepse ato i vinin nga kanale të ndryshme dhe miq personal, i ruante të gjitha dhe mbasi i lexonte, m’i postonte duke nënvizuar fjali të tëra mbrenda rreshtave dhe më sugjeronte t’i lexoja me kujdes dhe t’ia ktheja së bashkut me mendimin tim rreth artikujve të nënvizuar. Në veçanti lexonte ‘Rilindjen’.

Në çatinë e shtëpisë së tij, mbante të paluar në kutia kartoni koleksionin e nja 15 vjetëve të kësaj gazete. Edhe pse ishte optimist mbi zhvillimet e atyre viteve në Kosovë, shumë letra dëshmojnë skepticizmin ndaj mundësisë konkrete të shkëputjes:

“Serbët janë tue gatue diçka për ne në guzhinën e tyne, ishalla Zotin e kemi në ndihmë!”. (Fjali nga një letër e datës 4 prill, 1975).

Në letrat dërguar Devës, vihet re se shumë miq i kërkonin t’i shkruante kujtimet e veta. Ai i përgjigjet njërit prej tyre: “Flitni për memoaret e mija. Kishem me thanë avanturat e mija. Edhe Rexhepi dhe Idrizi (Krasniqi dhe Lamaj) shpesh më kanë thanë që t’i shkruej. E vërteta asht që unë nuk jam marrë me politikë deri me 1941, por kam ndjek ngjarjet në Jugosllavinë Mbretnore.

Me 5 mars, 1938, baba im ka vdekë në moshën 78 vjeçare. Po ashtu si baba i tij. Ka ra në krevet dhe menjiherë e ka thirrë nanën. Nana ka mrri aty dhe ai ka vdekë. Askush nuk e ka ditë që baba kishte bâ testamentin e tij. Prej shtat vllazënve, unë kam kenë i pesti. Më ka caktue mue si ekzekutor të testamentit. Aty e kam pâ për herën e parë se sa më ka besue dhe sa më ka dashtë. Edhe ai asht kanë ‘muhaxhir’, lë e rritë në Nish. Aty e ka krye ‘Ryzhdijen’, në Nish. Ka pasë respektin jo vetëm të myslimanëve, por edhe të serbëve.

Ka kenë njeri shumë i urtë dhe shumë i matun. Dy herë kryetar i Bashkisë dhe dy herë asht detyru me i’a dorëzue Mitrovicën pushtuesit serb. Si Bektashi ka qenë shqiptar i mirë, largpamës dhe u ka dhanë djemve të tij edukatën ma të mirë. Ka kenë ndër të vetmit në Kosovë që ka pas vizionin e përparimit. Më ka dhanë shumë këshilla. Jam përpjekë me i mbajtë. Në nekrologjinë e shpallun në fletoren ‘Politika’ e Beligradit, e shkrueme prej Gligorije Bozhoviqit, autori e ka barazue babën tem me Fordin, etj. etj.

Edhe zonja ime më shtynë me shkrue biografinë time. Mirëpo, biografija duhet të perfshijë edhe të mirat, po ashtu edhe të këqijat. Biografija asht si nji pikturë e plotë dhe jo si karikaturë. Nuk i dijë arsyenat e atyne që permendni në letrën tuej, pse nuk kanë shkrue biografinë e tyne. Jam i sigurt që edhe mosha ka të bajë në kët mes. Po e mbylli me kaq. Shpresoj që do të kemi rastin me u pa dhe me shtrue muhabetin”. (Letër dërguar Dr. H. Oruçit, 4 nëntor 1975).

Në letrat e tij gjenden shumë paragrafe nostalgjike të kujtimeve të hershme. Shpesh përmend se si i ishte ngulitur në sy dhe në mendje figura vigane e Isa Boletinit, të cilin e kishte pa si fëmijë, kur ai kalonte çarshisë së Mitrovicës. Xhafer Deva pohon se babai i tij, kishte miqësi të ngushtë me Boletinët. Ai thotë se nëna e Isa Boletinit dhe nëna e tij, shkëmbenin vizita të shpeshta mbas vendosjes së Boletinëve me banim në Mitrovicë. Një miku tjetër i shkruan:

“Para çlirimit, nji gjeneral serb me mbiemrin Tomiq, kishte dhanë urdhën me më marrë peng dhe me më izolue në komandë të Xhandarmërisë, me 8 prill 1941, në Mitrovicë. T’ue pa budallakun e tyre, në fund më nxorën dhe me urdhrin e qeverisë së tyre. Më kishin emnue Kryetar të Bashkisë. Nja 300 çetnik ishin në Mitrovicë dhe shpesh herë vritnin njerëz, natyrisht shqiptar. Me 17 Prill hyni Gjermania me nji divizion. Nuk kaluen tri ditë e u mora vesh me gjeneralin gjerman, me bâ nji udhëtim në marrë Kosovën dhe me i zgjedh dy shqiptarë (prej parisë) me u paraqitë me datën 23 në Mitrovicë.

Ashtu ndodhi dhe në hotelin “Jadran” u bâ mbledhja dhe u proklamue çlirimi. Administrata shqiptare mori fuqinë civile në dorë. Nuk kishim as nji njeri për prefekt. Në udhëtimin tim kam pas urdhnue me zëvendësues nënprefektët dhe kryetarët e bashkive. Gjermanët kërkojshin punë, kurse na nuk kishim asnjë njeri të zotin me drejtue punët zyrtare, etj. M’u dasht me i mbajt disa serbë në detyrë dhe menjëherë doli fjala se Deva kishte shitë Kosovën serbëve. Kështu disa rrugaçë, kishin vendos me më vra, tre veta ishin caktue për me krye vrasjen. Nji ditë qëlloi që i gjeta të tret në kafehanen e Shemsi Velis (Gjinaj).

Shkova drejtë te tavolina e tyre dhe u thash se nëse keni vendos të më vrisni, ja ku jam. Asnjani prej tyre nuk luejti veni, as nuk e luejti gishtin. M’u dasht me të tregue këtë ngjarje sa me lanë me kuptue se çfarë malli jemi, çfarë brumi jemi. Jam i mendimit, që jo vetëm në gurbet, por as në Kosovën e sotme, shqiptarët nuk kanë ndryshue. Jemi në mërgim dhe nuk kemi asgjë me nda. Siç e kam pas thanë në fjalimin tim para trupit të Kalosh Hamdis, në Kenosha, me 18 korrik 1973, “Shqiptari asht armiku ma i madh i shqiptarit”. Nji ndërton, 100 shkatërrojnë. (Letër dërguar z. Shtufaj 3.9.1975).

Ndërkaq, Esat Bilali e pyet Xhafer Devën, për Dostan Rexhepin, një figurë e shquar e luftës antikomuniste në Lumë. Ai i përgjigjet z. Bilalit, me 2 nëntor 1973:

“Çdo herë që lexoj ose ndigjoj që nji prej emigrantëve ka vazhdue studimet në USA, gëzohem. Kuptoj se keni BA-in të Universitetit të New Yorkut. Ju uroj që së shpejti ta keni edhe MA-in.

“Dostan Rexhepi: Nëse nuk jam i gabuem ka kenë në fund të shtatorit 1944. zz. Arsllan Zeneli dhe Miftar Spahia, kishin ardhē në Prizren për të kërkue ndihmen dhe përkrahjen e Lidhjes se II-të të Prizrenit, t’ue shpjegue se komunistët kishin rrethue Muharrem Bajraktarin dhe në drejtim me sulmue Kuksin. Mbas plotësimit të nevojave materiale dhe financiare të tyne, së bashkut me Tahir Zajmin dhe me nji Kompani të Rregjimentit “Kosova” u nisëm për në Kukës. Me të arritë aty shkova te komandanti gjerman, përgjegjës për sigurimin e rrugës Shkodër-Prizren.

Tërheqja gjermane kishte fillue, por unë doja me marrë informata prej tij për gjendjen. Ai vërtetoi se komunistët i janë afrue Kukësit dhe pritet nji sulm. Majori e kishte emnin Frank dhe ka shkrue nji libër. Prof. Krasniqi e ka librin e tij. Kryetar i Bashkisë së Kuksit, ishte Xhafer Aga. Aty filluem përgatitjet e kundërsulmit tonë. Komandant i Kompanisë tone, ishte Shahin Gradica prej Podujeve. Me këtë rast u njofta me Dostan Rexhepin, i cili u ba prijës i operacionit. Kaluem në Shtigjen dhe plasi lufta. Pozita e komunistëve ishte shumë ma e favorshme për ta. Majori Frank, më kishte dhanë njifarë tanku italian me dy gjerman. Dostani mu afrue e më tha pse nuk po jep urdhën me gjuejt.

Ka kohë i thash. Shahinit i thash që të improvizon nji tërheqje të ngadalshme, sa me u dhanë kurajë komunstave që të zbritnin në Shtigjen. Gjermanëve u thash të gjuejnë disaherë dhe të kthehen në Shtigjen. Shahini kishte urdhnin që kur të errej – ishte afër akshamit – të shpërndante ushtarët dhe të fsheheshin nëpër shtëpitë e Shtigjenit. Dostani nuk m’u ndante dhe më tha; komunistat do të hyjnë në Kukës. Në Shtigjen, nji i Gjakovës e kishte nji dugajë për të cilin Dostani më pat thanë se asht komunist. I thash të shkojmë në dugajen e tij. Mos, më tha. I thash, eja me mue. Na priti shumë mirë por edhe u drasht. Tue i’a ba me sy Dostanit i thash: Ikën komunistët dhe tashi puna e jonë mbaroi këtu.

Na bani nga nji kafe dhe shkuem në shtëpinë e Xhafer Agës. Aty i thash se komunistët do të hyjnë në Shtigjen dhe pale të shohim! Kah mesnata krisi kjameti në Shtigjen. Rreth mëngjesit shkuem aty dhe gjetëm komunistë të vramë e të plagosun. Ata që kishin mbetë gjallë, kishin ikë. Xhafer Aga u kujdesue me i vorrosë të vdekunit. Qysh prej aty, Dostani nuk m’asht nda. Në luften e Dragashit, ishte afër meje dhe gjithmonë më ka mbrojtë tue më vnu gurë para kokës teme. Komunistat ishin sipër nesh, por ne na duhej me vazhdue luftën në kushte shumë të vështira. Humbjet tona ishin të konsiderushme. Aty u ndamë prej Dostanit. Në atë kohë, z. Krasniqi ishte Nënkryetar i Lidhjes.

Kur më shifte që unë po nisem dikund, më thonte: – Pse po shkon? Ndoshta ka pas të drejtë. Tahir Zajmi ishte Sekretar i Lidhjes dhe nuk m’asht nda asnjiherë. Mbasi komunistat hynë në Prizen, kanë shkue në ndërtesën ku ishte Lidhja. Kanë gjetë çdo gjâ në rregull, në llogari dhe në të holla jo të prekuna. Na kemi ba detyrën tonë me dedikim të plotë dhe me vullnetin e lirë tonin. Askush nuk na ka shtërngue. Disa hora, të cilët kanë shijue jetën po në atë kohë dhe tashti gjinden në USA, na kanë damkue si fashist, nazist dhe deri edhe drazhist, etj. Por, ata që nuk janë largue prej vendit të tyne, i çmojnë ato pak vepra tona. Brezat e ardhshëm do ta kenë gjykimin e fundit”.

Mbas Mbledhjes së Madridit, Deva i shkruan shpesh Lec Shllakut, editor i revistës “Koha Jonë” dhe Sekretar i Mbledhjes së Madridit. Në leterkëmbim shihen përpjekjet e tyre për realizimin e bashkimit të mërgatës. Në një letër dërguar Shllakut (8.9.1974) Xhafer Deva shkruan:

“Tash 30 vjet jemi në mërgim dhe jetojmë në shtete të përparueme. Duket që asgja nuk kemi mësue. Flas për ata që janë të shkolluem. Kur festohet 28 Nandori, përpjekim gotat dhe thojmë: “N’Mot, në Shqipninë e lirë”, etj., e kur vjen puna me bâ diçka për vendin tonë, zihemi për asgja. Fryma e Madridit ishte me u bashkue, t’ue lanë me nji anë të gjitha diferencat personale dhe kolektive. Qëllimi kryesor ishte me bashkradhitë fuqitë tona, etj. Ç’farë fuqie? Na nuk kemi as armë, as aeroplana që nevojiten për luftë. Ajo që na ka mbetë, asht vlera intelektuale dhe vullneti i fortë, e jo ideologjitë, si: Monarki, Republikë, etj.

Në fund, këto ideologii nuk na përkasin ne në mergim. Ajo që populli pret prej nesh asht me i sigurue lirinë atij populli. Në radhën e parë duhet të hetojmë nëse ai popull me të vërtetë dhe në shumicë janë kundër sistemit të qeverimit. Nji brez na ndanë, e realiteti na mëson që mentaliteti ynë nuk pajtohet me mentalitetin e atyne që jetojnë në Shqipni. Vet Solzhenitsyn, fitues i Çmimit ‘Nobel’, shkrimtar i madh, nuk asht (si thotë në librin e tij Gulag Archipelago”) i kënaqun me sistemin e qeverimit demokratik, sidomos në USA. Akt-Marrëveshja jonë përdorë fjalët “me rrëxue regjimin”. Këto fjalë tregojnë megalomaninë t’onë, d.m.th., mendësinë t’onë, pa marrë para sysh se ç’farë janë mjetet në dispozicionin t’onë.

Regjimi komunist në Shqipni mund të rrëxohet nga mbrenda dhe jo nga jashtë. Ata që pretendojnë me vendos Monarkinë në Shqipni, pa i dhanë lirinë popullit shqiptar, janë jo vetëm shumë të gabuem, por edhe injorant ndaj fakteve. Ç’farë janë ata që, pa mendue mirë, thonë se unë due me pasë kaq e aq antarë në Komitetin Drejtues, etj.? Nuk kanë mësue asgjë prej të kaluemes. Presin që të tjerët të bëjnë punën dhe ata të fitojnë ‘namin’./Memorie.al