TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Bashkimi Evropian ka konfirmuar mbështetjen e tij për Gjykatën Ndërkombëtare Penale (ICC) dhe parimet e përcaktuara në Statutin e Romës, duke theksuar respektimin e pavarësisë dhe paanshmërisë së saj.
Një zëdhënës i Komisionit Evropian, gjatë konferencës së përditshme për shtyp, reagoi ndaj kërcënimeve të sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, ndaj Gjykatës.
“Si Bashkim Evropian, ne konfirmojmë mbështetjen tonë për Gjykatën Ndërkombëtare Penale dhe parimet e mishëruara në Statutin e Romës. Ne respektojmë pavarësinë dhe paanshmërinë e Gjykatës”, tha zëdhënësi.
Ai theksoi se BE-ja është e angazhuar për drejtësinë penale ndërkombëtare dhe luftën kundër pandëshkueshmërisë.
“Sulmet ose kërcënimet kundër Gjykatës, zyrtarëve ose stafit të saj janë thjesht të papranueshme”, shtoi ai.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian kujtoi gjithashtu se ICC nuk synon shtetet dhe nuk përbën kërcënim për sovranitetin e tyre.
Reagimi i BE-së vjen pasi sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, kritikoi ashpër Gjykatën Ndërkombëtare Penale, duke e akuzuar se po përpiqet të bëhet “arbitri i papërgjegjshëm i një ligji të ri global”.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Rubio deklaroi se Gjykata kërkon të “gjykojë dhe arrestojë qytetarët amerikanë sipas dëshirës” dhe të kërcënojë sovranitetin e SHBA-së, duke paralajmëruar masa kundër saj.
Ndër opsionet që po shqyrtohen nga Uashingtoni përfshihen revokimi i vizave, rritja e sanksioneve ndaj Gjykatës dhe presioni diplomatik ndaj vendeve të tjera për t’u tërhequr nga mbështetja e saj.