BOTA, 14 July 2026, 16:49

VIDEO/ Fenomeni “El Nino”, pamje apokaliptike nga bregdeti i Francës! Stuhi rëre dhe resh terrorizojnë pushuesit

Pushuesit në Adai të Francës u zunë në befasi kur u përballën papritur me fenomenin “galerne” (lloj tornadoje), me stuhi resh në bregdet dhe rëre. Edhe pse ky fenomen ka ndodhur çdo ditë gjatë javës së kaluar, pushuesit e shumtë u zunë në befasi të dielën, më 12 korrik, duke ikur për t’u strehuar nga erërat e forta.

Fenomeni Galerne u shfaq gjatë një vale të nxehti dhe plazhistët panë shpërthimin e tij të dhunshëm (vala e El Nino), duke shkaktuar një rënie të ndjeshme dhe dramatike të temperaturës. Në emisionin e së hënës “Bonjour! La Matinale TF1”, meteorologia Daniela Prepeliuk shpjegoi fenomenin.

“Është një ndryshim i menjëhershëm i drejtimit të erës. Dje patëm një erë perëndimore që ndryshoi papritur drejtimin”, shpjegoi ekspertja, duke bërë që zhiva të binte menjëherë nën 30°C.

Ky fllad deti mbërrin duke sjellë temperatura shumë më të ulëta. Në plazhin e Adai-t, temperatura regjistroi një rënie prej 12°C midis orës 20:30 dhe 21:00, duke rënë nga 37°C në 25°C”, shtoi Prepeliuk.

 
Ky fenomen, i cili prek Francën perëndimore, është mjaft i njohur në rajonin e Adai-t. Në fakt, vendasit përdorin edhe emra të tjerë për shpërthimin e galerne-s, duke e quajtur shpesh “enbata” ose “brouillarta”.

Një nga fenomenet më intensive që kanë parë vendasit

Deri të hënën në mëngjes, qetësia ishte rikthyer në zonë. “Ishte si një tornado. Papritmas fryu era dhe pastaj njerëzit u ngritën dhe ikën. Ishte errësirë. Kishim diell dhe papritmas u bë me re dhe mjegull”, tha një grua për franceinfo.fr, duke shtuar: “Ishte e mrekullueshme, por shumë shqetësuese.”

Ian Plillarouet, pronar i një restoranti, i pa çadrat e tij të fluturonin, i mahnitur nga intensiteti i fenomenit. “Kemi pasur nga një çdo ditë këtë javë. Ka qenë një nga fenomenet më intensive që kemi parë prej shumë kohësh”, tha ai.

“Është e vërtetë që nxehtësia intensive është absolutisht e favorshme për vëzhgimin e këtij fenomeni. Megjithatë, kjo nuk është automatike. Nevojitet gjithashtu ajër i ftohtë mbi Atlantikun e afërt. Prandaj, duhet të përmbushen të dy kushtet për të përjetuar vërtet këtë përplasje të masave ajrore midis ajrit shumë më të freskët dhe më të lagësht, i cili bie në kontakt me ajrin shumë të ngrohtë të pranishëm në bregdet”, shpjegon Jérôme Cerisier, meteorolog në Weather Solutions.