AKTUALITET, 1 October 2026, 19:40

Bashkia e Tiranës vijon evidentimin e objekteve të palegalizuara, mbi 4,600 matje të depozituara në ASHK!

Bashkia e Tiranës vijon evidentimin e objekteve të palegalizuara, mbi

Bashkia e Tiranës ka rinisur prej disa javësh procesin e evidentimit dhe matjes së objekteve të palegalizuara në territorin e kryeqytetit.

Në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), strukturat e bashkisë po zhvillojnë verifikime në terren, duke u dhënë përparësi rasteve për të cilat qytetarët kanë aplikuar për legalizim, por që nuk janë më të kontaktueshëm nga institucionet.

Drejtoria e Koordinimit dhe Legalizimit në Bashkinë e Tiranës u ka bërë thirrje qytetarëve që kanë aplikuar për legalizimin e objekteve të tyre që të paraqiten pranë zyrave të bashkisë ose njësive administrative përkatëse, në mënyrë që të vijojë procedura.

“Kemi një problematikë të madhe në gjetjen e kontakteve të qytetarëve, të cilët kanë aplikuar dhe nuk e kanë më atë kontakt, në mënyrë që të kontaktohen nga Drejtoria e Koordinimit dhe Legalizimeve të Bashkisë së Tiranës, e cila bashkëpunon me ASHK për ta përfunduar sa më shpejt këtë proces”, u shpreh drejtori i Drejtorisë së Koordinimit dhe Legalizimit, Shkëlqim Brahushi.

Sipas tij, qytetarët që kanë bërë vetëdeklarime për legalizim duhet të paraqiten pranë zyrës së pritjes së qytetarit në Bashkinë e Tiranës ose pranë njësive administrative përkatëse për të bërë kërkesën dhe për të vijuar me procesin e evidentimit.

Një nga zonat ku ka avancuar procesi është Selita, ku, sipas bashkisë, pjesa më e madhe e matjeve dhe verifikimeve në terren ka përfunduar. Në këtë zonë, një pjesë e qytetarëve kanë nisur të plotësojnë dokumentacionin e munguar.

Procesi ka vijuar edhe në zonën e shinave të trenit, përgjatë linjës hekurudhore, ku bashkia raporton se evidentimi është pothuajse i përfunduar dhe dokumentacioni është përcjellë pranë drejtorive vendore të ASHK-së për përpunimin e mëtejshëm dhe zbatimin e vendimeve të legalizimit.

Të dhënat e bashkisë tregojnë se deri tani janë depozituar pranë ASHK-së 4,677 matje, ndërsa për rreth 60% të tyre janë dhënë vendimet përkatëse.

Në total janë matur 37 pallate, që përfshijnë 2,886 apartamente dhe njësi shërbimi. Për rreth 85% të këtyre njësive janë dhënë vendimet e legalizimit, ndërsa pjesa tjetër vijon të jetë në proces të plotësimit të dokumentacionit.

Gjatë aksionit në terren, strukturat vendore thonë se kanë hasur bashkëpunimin e qytetarëve, të cilët kanë shprehur gatishmërinë për të përfunduar procedurat e legalizimit.

“Pothuajse e gjithë Tirana është zonë problematike, por qytetarët e kanë përqafuar këtë nismë. Është shpresa e tyre e fundit që së shpejti të përfundojë ky proces në të gjithë Tiranën”, deklaroi Braushi.

Bashkia e Tiranës thekson se, në bashkëpunim me ASHK-në, po vijon punën për përfundimin e procesit brenda afateve ligjore, ndërsa qytetarëve u kërkohet të plotësojnë dokumentacionin dhe të përditësojnë kontaktet pranë institucioneve përkatëse.